SHOQËRI

Seksion

Fentanili – një rrezik i ri në panoramën e ndryshueshme të opiateve në Bullgari

Nuk ka droga “moderne” ose “më pak të rrezikshme”, paralajmëron Aleksandër Panajotov nga Qendra Kombëtare për Shëndetin Publik dhe Analizat

Enjte, 3 Shtator 2026, 07:05

Fentanili – një rrezik i ri në panoramën e ndryshueshme të opiateve në Bullgari

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Përdorimi i substancave narkotike tek të rinjtë ndryshon paralelisht me mjedisin e tyre. Përveç substancave të njohura, në treg shfaqen substanca të reja psikoaktive, produkte për tymosje dhe forma të ndryshme të ofrimit të tyre online. Kjo kërkon që institucionet jo vetëm të monitorojnë përdorimin, por edhe të identifikojnë në kohë rreziqet e reja.

Si po ndryshon panorama në vendin tonë dhe ku pozicionohet Bullgaria krahasuar me vendet e tjera evropiane? Për këto tema bisedojmë me ekspertin kryesor Aleksandër Panajotov, drejtues i departamentit “Qendra Kombëtare e Fokusit” pranë Qendrës Kombëtare për Shëndetin Publik dhe Analizat.

Gjatë 15–20 viteve të fundit, kanabisi ka qenë substanca narkotike më e përdorur në Bullgari dhe në Evropë. Përdoren shpesh edhe stimulantë si amfetaminat, metamfetaminat, ekstazia dhe kokaina. Megjithatë, vitet e fundit vihet re një tendencë që përdorimi tradicional i kanabisit të zëvendësohet nga produkte për tymosje që përmbajnë kanabinoide sintetike dhe gjysmë-sintetike, thekson eksperti:

Aleksandër Panajotov

Aleksandër Panajotov

FOTO: Qendra Kombëtare për Shëndetin Publik dhe Analizat

“Por ka diçka që është ndryshe gjatë viteve të fundit – një ulje e përdorimit të kanabisit, në favor të përdorimit më të madh të një lloji tjetër produktesh për tymosje, si vape me kanabinoide të ndryshme sintetike dhe gjysmë-sintetike, pajisje për ngrohje dhe nargjile. Në të njëjtën kohë, vitet e fundit kemi edhe një përdorim më të lartë të gazit të azotuar (gazi qeshës).”

Veçanërisht shqetësuese është tendenca e rritjes së përdorimit të fentanilit – një opioid i fuqishëm, për të cilin po flitet gjithnjë e më shumë edhe në Bullgari.

Fentanili – një rrezik i ri në panoramën e ndryshueshme të opiateve në Bullgari

FOTO: bntnews.bg

“Kemi problem me fentanilin gjatë tre viteve të fundit, ndërsa gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar shumë raste vdekjesh – shpjegon Aleksandër Panajotov. – Po kryejmë një studim në Qendrën për Drogat dhe Varësitë, në bashkëpunim me Mjekësinë Ligjore dhe toksikologët, dhe rezulton se ka më shumë raste vdekjesh të lidhura me përdorimin e fentanilit – 53 raste në vitin 2024 dhe 58 raste në vitin 2025. Shifrat janë shumë më të ulëta se në Shtetet e Bashkuara, ku numri i vdekjeve është në mijëra, por gjithsesi duhet t'i kushtohet vëmendje faktit se përhapja e fentanilit në Bullgari po rritet gjithnjë e më shumë dhe, për pasojë, po rritet edhe numri i vdekjeve të shkaktuara prej tij.”

Sipas ekspertit, Bullgaria është rreth mesatares evropiane për sa i përket përdorimit të substancave narkotike tek të rinjtë. Megjithatë, profili i përdoruesve po ndryshon – diferenca mes djemve dhe vajzave tashmë është dukshëm më e vogël, ndërsa për disa substanca vajzat madje janë më të përfaqësuara. Qasja ndaj substancave narkotike lehtësohet edhe nga interneti dhe rrjetet sociale, ndërsa një pjesë e produkteve të reja ofrohen nga faqe interneti jashtë vendit, gjë që e vështirëson kontrollin.

Në përgjigje të tregut që ndryshon me shpejtësi, vendet evropiane mbajnë një sistem paralajmërimi të hershëm për substancat e reja psikoaktive, në të cilin Bullgaria merr pjesë përmes Qendrës Kombëtare të Fokusit për Drogat dhe Varësitë.

Fentanili – një rrezik i ri në panoramën e ndryshueshme të opiateve në Bullgari

FOTO: bTV

“Ekziston një sistem i posaçëm paralajmërimi të hershëm për substancat e reja psikoaktive, si në nivel evropian, ashtu edhe në Bullgari, i cili administrohet nga Qendra Kombëtare e e Fokusit për Drogat dhe Varësitë. Ky është një rrjet vendesh që përfshin 27 shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe Turqinë dhe Norvegjinë, dhe aty bëhet shkëmbim informacioni. Bullgaria ofron informacion rregullisht, përfshirë edhe një raport vjetor për këtë sistem evropian të paralajmërimit të hershëm. Kur zbulojmë një substancë të re dhe ajo vihet nën monitorim intensiv, informacioni u shpërndahet vendeve të tjera. Ekziston një mekanizëm për përfshirjen e substancave të reja psikoaktive në listat e substancave të ndaluara.”

Nga Buletini Informativ i Sistemit Kombëtar për Paralajmërimin e Hershëm mësojmë se gjatë gjysmës së parë të vitit 2025 në Bullgari janë identifikuar 34 substanca të reja psikoaktive, ndërsa gjatë tre viteve të fundit është shënuar një rritje e vazhdueshme e numrit të substancave të reja. Sipas Aleksandër Panajotov, mekanizmi mundëson që substancat e reja psikoaktive të përfshihen relativisht shpejt në listat e substancave të ndaluara. Megjithatë, sfida mbetet e madhe, pasi vazhdimisht shfaqen substanca të reja.

Në këtë kuadër, një nga detyrat më të rëndësishme mbetet parandalimi. Ai nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një institucioni apo vetëm e familjes.

Fentanili – një rrezik i ri në panoramën e ndryshueshme të opiateve në Bullgari

FOTO: mentalhealth.org

“Parandalimi nuk duhet t’u drejtohet vetëm prindërve, por edhe mësuesve dhe shoqërisë në tërësi, pasi ky është një problem i të gjithë shoqërisë”, thekson Panajotov. “Sigurisht, duhet t’u kushtohet vëmendje prindërve, të ndjekin atë që po ndodh me fëmijën e tyre dhe të ketë komunikim, sepse komunikimi është shumë i rëndësishëm për të kuptuar se në çfarë drejtimi po shkon fëmija i tyre. Edhe institucionet duhet ta monitorojnë këtë. Shkolla është shumë e rëndësishme për sa i përket parandalimit.”

Sipas Aleksandër Panajotovit, në Bullgari tashmë ekzistojnë iniciativa të ndryshme kombëtare dhe lokale për parandalimin, por një nga sfidat mbetet koordinimi më i mirë mes tyre, në mënyrë që përpjekjet të jenë më efektive.

Një nga mesazhet më të rëndësishme për të rinjtë është të mos nënvlerësohet rreziku që fshihet pas përkufizimeve të tilla si “droga moderne” ose “droga më të sigurta”. Sipas Aleksandër Panajotovit, ideja e një përdorimi të sigurt është një iluzion, ndërsa substancat e ndryshme mbartin rreziqe të ndryshme, përfshirë rrezikun e varësisë dhe pasojave të rënda shëndetësore. Prandaj, në botën e sotme, ku substanca të reja psikoaktive mund të shfaqen brenda një kohe të shkurtër dhe informacionet dhe ofertat mund t’u arrijnë të rinjve përmes telefonave të tyre, parandalimi varet gjithnjë e më shumë nga informacioni në kohë dhe nga një bisedë e hapur.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello