Pse e quajnë shkollën bullgare në Dortmund “shkolla e mjekëve”?

Dimitrinka Niklina: “Edhe sikur vetëm një fëmijë të mësojë gjuhën bullgare – atëherë ia ka vlejtur!”

Shtunë, 5 Shtator 2026, 09:00

Pse e quajnë shkollën bullgare në Dortmund “shkolla e mjekëve”?

FOTO: bgschuledortmund.de

Madhësia e shkronjave

Rreth 422 mijë shtetas bullgarë jetojnë në Gjermani, sipas të dhënave të autoriteteve gjermane të emigracionit, pa përfshirë në këtë statistikë bashkatdhetarët tanë që kanë edhe shtetësi gjermane. Pothuajse një e katërta e tyre janë vendosur në landin Nordrhein-Westfalen – rajoni më i populluar i vendit, ku ndodhet edhe Dortmundi. Pikërisht aty, prej tashmë tetë vitesh, funksionon Shkolla Bullgare e së Dielës “Shën Kirilli dhe Metodij”, e krijuar nga një grup bashkatdhetarësh që nuk pranojnë që gjuha bullgare të mbetet vetëm gjuha e bisedave në shtëpi.

Drejtoreshë e saj është Dimitrinka Niklina – inxhiniere ndërtimi me profesion, e cila ka përfunduar edhe studimet për të drejtën evropiane. Gjatë ditëve të javës punon në profesionin e saj, ndërsa fundjavat ia kushton shkollës dhe shoqatës që e administron atë. Në vitin e fundit shkollor, në këtë shkollë mësojnë 62 fëmijë, ndërsa për familjet që jetojnë më larg është krijuar edhe një formë online e mësimit.

Dimitrinka Niklina

Dimitrinka Niklina

FOTO: Elena Karkallanova

“Si i tërheqim ata? Bëjmë atë që ndiejmë dhe që e konsiderojmë të vlefshme. Kur e bën diçka me zemër, shpirt dhe frymëzim, njerëzit të gjejnë vetë. Asgjë nuk bëhet me çdo kusht ose vetëm sepse ‘duhet’. E bëjmë sepse kështu e ndiejmë dhe mendojmë se ka kuptim. Unë gjithmonë u them prindërve dhe kolegëve atë që na udhëheq – edhe sikur vetëm një fëmijë të flasë gjuhën bullgare, ne e kemi përmbushur misionin tonë.”

Dimitrinka Niklina në Festën Kombëtare në Shkollën Bullgare të së Dielës në Dortmund

Dimitrinka Niklina në Festën Kombëtare në Shkollën Bullgare të së Dielës në Dortmund

FOTO: bgschuledortmund.de

Komuniteti bullgar në Dortmund vështirë se mund të përshkruhet me një fjalë të vetme. Në të bashkëjetojnë njerëz me profesione, arsimime dhe rrugë të ndryshme jetësore. Sipas Dimitrinka Niklinës, pikërisht kjo larmi e bën komunitetin interesant.

Pse e quajnë shkollën bullgare në Dortmund “shkolla e mjekëve”?

FOTO: bgschuledortmund.de

“Komuniteti bullgar në Dortmund është i larmishëm. Këta janë, në pjesën më të madhe, njerëz që deri në një masë të madhe varen nga sistemi social, domethënë puna që bëjnë nuk u mundëson të jenë në një nivel të tillë që të mund të mbajnë veten financiarisht në mënyrë të pavarur. Por, në ekstremin tjetër, kemi edhe një komunitet të madh, le të themi, mjekësh në Dortmund. Bëjmë shaka me kolegët se jemi ‘shkolla e mjekëve’, sepse tek ne janë 14 familje mjekësh. Dhe po, komuniteti përbëhet në shumicën e tij nga bullgarë, gjuha amtare e të cilëve nuk është bullgarishtja. Nga ana ime, kam një admirim për këta njerëz – edhe pse gjuha e tyre amtare nuk është bullgarishtja, ata duan të ndjekin shkollën bullgare dhe që fëmijët e tyre ta mësojnë gjuhën. E konsideroj këtë diçka jashtëzakonisht të rëndësishme dhe me shumë vlerë.”

Pse e quajnë shkollën bullgare në Dortmund “shkolla e mjekëve”?

FOTO: bgschuledortmund.de

Vetë Dimitrinka Niklina jeton në Gjermani prej gati një dekade. Sipas saj, realizimi profesional atje varet jo vetëm nga diplomat, por edhe nga qëndrimi ndaj punës dhe ndaj shoqërisë.

Dimitrinka Niklina me kolegët në shkollë

Dimitrinka Niklina me kolegët në shkollë

FOTO: bgschuledortmund.de

“Gjermania i jep mundësi një personi të punojë! Mund të ketë motive të ndryshme për të emigruar, por Gjermania është një vend që u jep mundësi të jashtëzakonshme njerëzve të përgatitur profesionalisht. Njeriu mund të bëjë menjëherë atë në të cilën është i aftë. Profesionalizmi është i rëndësishëm deri në një masë, por jo vetëm kaq. Gjermania e vlerëson të menduarit krijues dhe njerëzit që merren me veprimtari shoqërore. Në Gjermani ky është një privilegj. Dhe kur një punëdhënës e pyet punonjësin e tij nëse merret me veprimtari shoqërore – kjo vlerësohet shumë. Veprimtaria shoqërore atje është në një nivel jashtëzakonisht të lartë.”

Pse e quajnë shkollën bullgare në Dortmund “shkolla e mjekëve”?

FOTO: bgschuledortmund.de

Ky është edhe drejtimi në të cilin bashkatdhetarja jonë dëshiron të shohë zhvillimin e Bullgarisë. Ajo është e bindur se, si bullgarë, duhet të jemi të gatshëm të përshkojmë hap pas hapi rrugën drejt ëndrrës për një shtet të mirëorganizuar dhe të zhvilluar: “Puna gjithmonë shpërblehet. Jo në kaos, por me këmbëngulje dhe vazhdimësi”, thotë zonja Niklina dhe shton:

“Secili e ka në këndvështrimin e vet atë që sheh si të ardhmen për shtetin, për popullin e tij dhe për veten në aspektin familjar. Por mund të jemi më të mirë vetëm kur i përvishemi seriozisht punës.”

Pse e quajnë shkollën bullgare në Dortmund “shkolla e mjekëve”?

FOTO: bgschuledortmund.de

Për Dimitrinka Niklinën, puna në shkollën e së dielës nuk është një profesion i dytë, por një zgjedhje për të qëndruar e lidhur me Bullgarinë. Prandaj, kur duhet t’i përgjigjet pyetjes se çfarë do të thotë atdheu për të, ajo nuk kërkon shpjegime të gjata:

“Gjithçka që më mban në këtë jetë”, thotë ajo.

Fundi i vitit shkollor

Fundi i vitit shkollor

FOTO: bgschuledortmund.de

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski