FOLKLOR

Artikull

“Po të shtroj velenxa lara-lara” – një këngë për dashurinë, ndarjen, zgjedhjen

Premte, 4 Shtator 2026, 06:12

“Po të shtroj velenxa lara-lara” – një këngë për dashurinë, ndarjen, zgjedhjen

FOTO: arkiv

Madhësia e shkronjave

Një nga miniaturat më të bukura folklorike të krahinës së Pirinit, “Po të shtroj velenxa lara-lara”, mbart një ngarkesë të veçantë emocionale. Në pamje të parë, kemi një skenë të thjeshtë: një grua e re përgatit shtratin për të dashurin e saj. Ajo shtron “velenxa lara-lara”, si shenjë e afërsisë dhe ngrohtësisë së shtëpisë. Por në vend që të qëndrojë, ai i hipën kalit dhe bëhet gati të niset. “Po mua, kujt po më lë?” – pyet ajo mes lotësh. Burri i përgjigjet: te të dyja nënat – te e tija dhe te e saja. Dhe zgjedh malin, për t’u bërë… kaçak dhe trim. Zgjedhja e tij është një thirrje e brendshme drejt lirisë dhe një fati heroik, ndërsa fundi duket i paracaktuar. Në folklorin bullgar, natyra është gjithmonë një figurë madhështore, por edhe një gjuhë përmes së cilës shprehet shpirti njerëzor. Në këtë këngë, mjegulla e zbritur mbi mal është dhimbje, ndërsa vesa – lot. “Po të shtroj velenxa lara-lara” njihet në variante të ndryshme. Në disa prej tyre, heroi përmendet si vojvoda Manush, ndërsa në të tjera nuk  përmenden emra konkretë. Ajo që mbetet është drama e një gruaje të dashuruar, të sakrifikuar nga burri i saj për hir të detyrës dhe të një vdekjeje të mundshme, por fisnike.


Kjo këngë ka qenë pjesë e repertorit të shumë prej emrave më të shquar të folklorit bullgar: nga Gjurga Pinxhurova te Trio “Bëllgarka”, nga motrat Biserovi te Ansambli Folklorik bashkëkohor “Nusha”. Sot, ajo njihet më së shumti në përpunimin e dirigjentit dhe kompozitor të madh Kirill Stefanov. Ky variant i “Po të shtroj velenxa lara-lara” është ndër krijimet emblematike në repertorin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore “Pirin”. Emri i prof. Kirill Stefanov – një prej figurave më të rëndësishme në historinë e folklorit bullgar të interpretuar nga ansamble – tashmë është kthyer në legjendë. Ai lindi në Bllagoevgrad dhe jeta, ashtu si edhe rruga e tij profesionale, mbetën të lidhura ngushtë me vendlindjen e tij, krahinën e Pirinit.

Prof. Kirill Stefanov (1933 – 2005)

Prof. Kirill Stefanov (1933 – 2005)

FOTO: Facebook/Pirin.Ensemble.Blagoevgrad


Pas diplomimit në Akademinë e Muzikës për dirigjim koral, në moshën vetëm 23-vjeçare ai mori drejtimin e Ansamblit “Pirin” dhe qëndroi në krye të tij për gati 50 vjet. Këto pesë dekada përbëjnë faqen më të rëndësishme në historinë e ansamblit, të cilin drejtuesi i tij artistik e shndërroi në një formacion prestigjioz, me stilin e vet të veçantë dhe një prani të gjerë ndërkombëtare.

Qasja e Kirill Stefanovit ndaj folklorit është tejet profesionale, intelektuale dhe artistike, e mbështetur në njohjen e thellë të traditave muzikore vendase dhe në përpjekjen për të ruajtur veçantinë e tyre. Në përpunimet e tij, harmonia e thellon dhe e nxjerr në pah bukurinë e burimit origjinal folklorik.Një personalitet i spikatur dhe i pazakontë, Kirill Stefanov ka lënë gjurmë të rëndësishme jo vetëm në zhvillimin e koreve dhe ansambleve folklorike bullgare, por edhe në të gjithë muzikën bullgare.

“Po të shtroj velenxa lara-lara” – një këngë për dashurinë, ndarjen, zgjedhjen

FOTO: Facebook/Pirin.Ensemble.Blagoevgrad

Në vitin 2012, Ruska Stoimenova – këngëtare e njohur bullgare e këngëve nga Maqedonia, themeluese dhe një nga solistet më të spikatura të Ansamblit “Pirin” – tregonte në një intervistë për faqen struma.com se, që në fillim të punës së tij, Kirill Stefanovi solli mënyra të reja pune dhe një qasje krejt të re skenike ndaj folklorit: “Erdhi prof. Stefanov dhe, si të thuash, na çliroi nga kornizat. Ishte aq i hapur ndaj risive, saqë brenda vetëm pak javësh e transformoi tërësisht ansamblin… Krijonte në rrjedhën e punës dhe kishte gjithmonë vizionin e vet …” Ruska Stoimenova e përshkruan Kirill Stefanovin si “një njeri të bekuar nga fati, me një talent kolosal” dhe shprehet: “Nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm, por ka njerëz të papërsëritshëm – dhe prof. Stefanov ishte i tillë… Nuk do ta harroj kurrë se si, gjatë antrakteve, luante në piano Shopenin. Ishte një natyrë shumë romantike. Dhe, megjithëse kishte përfunduar studimet për dirigjim koral, na tregonte se si t’i bënim zbukurimet dhe kthesat e zërit si këngëtarë profesionistë. Prof. Stefanov ishte një fenomen.” Kështu e përfundon rrëfimin këngëtarja, e cila është soliste në përpunimin e këngës “Po të shtroj velenxa lara-lara”.

Edhe dekada pas krijimit të saj, vepra e Kirill Stefanovit vazhdon të dëshmojë forcën e shpirtit bullgar dhe magjinë e parezistueshme të folklorit bullgar.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova