KULTURË

Artikull

Në Pllovdiv hapet një ekspozitë kushtuar Bashkimit

Shtunë, 5 Shtator 2026, 07:00

Në Pllovdiv hapet një ekspozitë kushtuar Bashkimit

FOTO: Muzeu Historik Rajonal – Pllovdiv

Madhësia e shkronjave

Më 5 shtator 2026, në sallën „Bashkimi“ të Muzeut Historik Rajonal në Pllovdiv hapet ekspozita „Kujtesa e ruajtur për Bashkimin e vitit 1885 në muzetë, arkivat, bibliotekat dhe koleksionet private bullgare“. Ekspozita mbledh dokumente, fotografi dhe objekte të ruajtura në institucione të ndryshme kulturore në vend. Qëllimi i saj është t’i japë përgjigje pyetjes se si ruhet kujtesa për një nga momentet më të rëndësishme të historisë bullgare.

Ekspozita paraqet gjithashtu vlera kulturore nga Muzeu Rajonal Arkeologjik dhe Biblioteka Popullore „Ivan Vazov“ në Pllovdiv, muzetë historikë në Çirpan dhe Asenovgrad dhe Muzeu Historik Rajonal në Stara Zagora.

Në Pllovdiv hapet një ekspozitë kushtuar Bashkimit

FOTO: BTA

Ndër eksponatet më interesante është flamuri i çetës së Çirpanit, i punuar prej mëndafshi të gjelbër dhe i zbukuruar me një figurë luani, i cili qëndron mbi një gjysmëhënë, si dhe me mbishkrimet „Liri ose vdekje“ dhe „Fuqia e bën bashkimin“. Flamuri është dëshmitar i ngjarjeve të trazuara në Çirpan gjatë shtatorit të vitit 1885 dhe i rrugës së çetës drejt Pllovdivit. Gjatë këtij marshimi drejt Pllovdivit, njëri prej flamurtarëve – Ivan Dançov, u vra, por flamujt e çetës së Çirpanit nuk ranë në duart e armikut. Ata arritën në Pllovdiv së bashku me çetëtarët dhe më vonë u lidhën edhe me pjesëmarrjen e tyre në Luftën serbo-bullgare. Vizitorët do të shohin gjithashtu vulën e çetës së Golljamokonarit nga dita e Bashkimit të Rumelisë Lindore me Principatën e Bullgarisë, fotografi të veprimtarëve të Bashkimit dhe vullnetarëve në Luftën serbo-bullgare, si dhe dokumente të ndryshme arkivore të lidhura me Bashkimin.


Përpiloi: Cvetana Tonçeva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski