KULTURË

Artikull

Me një program të pasur letrar :

„Rrugica e Librit – Sofje“ sërish tërheq vëmendjen

Shtunë, 5 Shtator 2026, 08:00

„Rrugica e Librit – Sofje“ sërish tërheq vëmendjen

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Nga 7 deri më 13 shtator, bulevardi qendror „Vitosha“ i kryeqytetit dhe parku përpara Pallatit Kombëtar të Kulturës, edhe një herë do të shndërrohen në një hapësirë takimesh mes lexuesve, shkrimtarëve dhe botuesve. Mbi 150 shtëpi botuese marrin pjesë në „Rrugica e Librit – Sofje“ 2026. Panairi është një nga ngjarjet më të mëdha të librit në vend dhe tradicionalisht e shndërron qendrën e kryeqytetit në një vend takimesh mes njerëzve që shkruajnë librat dhe atyre për të cilët ato krijohen – lexuesve.

Përgjatë shtatë ditëve, vizitorët do të mund të zbulojnë libra të rinj dhe të preferuar për të gjitha moshat dhe interesat, si dhe të takohen personalisht me dhjetëra autorë bullgarë. Rrugica do të jetë e hapur çdo ditë nga ora 10:00 deri në 20:00, ndërsa programi kulturor shoqërues përfshin promovime dhe prezantime librash, biseda letrare, takime me autografe, veprimtari për fëmijë dhe iniciativa të ndryshme krijuese.

„Rrugica e Librit – Sofje“ sërish tërheq vëmendjen

FOTO: BTA

Ndër autorët me të cilët publiku do të ketë mundësi të takohet janë Georgi Gospodinov, Zdravka Evtimova, Zahari Karabashev, Maria Doneva, Ivo Siromahov, Katja Antonova, Nikollaj Terzijski, Georgi Konstantinov, Maria Kasimova-Moase. Përveç emrave të njohur të letërsisë bashkëkohore bullgare, në program janë përfshirë edhe autorë debutues dhe zëra të rinj, takime me përkthyes dhe botues, veprimtari për lexuesit më të vegjël dhe prezantime të letërsisë nga zhanre të ndryshme.

„Rrugica e Librit – Sofje“ sërish tërheq vëmendjen

FOTO: BTA

Këtë vit, partner i „Rrugicës së Librit – Sofje“ është „Mozaiku Demokratik“ – një festival qytetar kushtuar pjesëmarrjes aktive dhe takimit mes njerëzve, organizatave dhe kauzave. Partneriteti zgjeron hapësirën për biseda dhe shkëmbim idesh dhe vendos një tjetër theks mbi rolin e librave dhe leximit si bazë për një shoqëri të informuar dhe aktive. „Rrugica e Librit – Sofje“ 2026 zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Veprimtaria organizohet nga Shoqata „Libri Bullgar“ dhe është pjesë e Kalendarit Kulturor të Bashkisë së Sofjes për vitin 2026.


Përpiloi: Cvetana Tonçeva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski