Artikull
Vazhdon studimi i qytetit antik Raciarija pranë fshatit Arçar, në Vidin
Dielë 6 Shtator 2026 04:00
Dielë, 6 Shtator 2026, 04:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Arkeologët vazhdojnë studimin e termeve romake në sektorin qendror të qytetit antik Raciarija, pranë fshatit Arçar – njofton për BTA drejtuesi i kërkimeve arkeologjike, docent doktor Zdravko Dimitrov, nga Instituti Kombëtar Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.
Docent doktor Zdravko Dimitrov
FOTO: BTA
Gërmimet e termeve do të vazhdojnë deri në fund të tetorit. Është parashikuar gjithashtu restaurimi dhe konservimi në terren i strukturave të zbuluara, të cilat me shumë gjasë i përkasin pjesës qendrore të banjës – kaldariumit dhe pishinave për ujë të nxehtë. Puna në këtë sektor vështirësohet nga rindërtimet e shumta të kryera gjatë Antikitetit të Vonë. Për këtë arsye, studimi i të gjithë sektorit nuk do të mund të përfundojë gjatë sezonit të tanishëm.
FOTO: BTA
Një pjesë e konsiderueshme e kërkimeve këtë vit është përqendruar gjithashtu në galeritë nëntokësore të kanalit për largimin e ujërave të shiut. Janë kryer matje dhe dokumentime të hollësishme dhe po kërkohet vendi ku kanali lidhet me kanalizimin kryesor të qytetit antik. Financimi i kërkimeve arkeologjike, ashtu si edhe gjatë tre sezoneve të fundit, është siguruar përmes programit për objektet prioritare shtetërore. Ai synon zhvillimin e përgjithshëm të rajoneve dhe, përveç kërkimeve shkencore, mbështet studimin e komplekseve të rëndësishme arkeologjike.
FOTO: BTA
Financimi për sezonin e tanishëm është 230 000 euro – një shumë e akorduar edhe gjatë viteve të mëparshme. Deri në fund të tetorit parashikohet edhe restaurimi në terren i strukturave të zbuluara. Një pjesë e madhe e banjës antike tashmë është studiuar dhe ka nevojë për konservim të vazhdueshëm. Në gërmimet e këtij sezoni marrin pjesë rreth 65 punëtorë dhe një ekip arkeologjik prej tetë anëtarësh. Kërkimet janë pjesë e përpjekjeve për ruajtjen dhe paraqitjen e ardhshme të një prej qyteteve më të rëndësishme antike përgjatë rrjedhës bullgare të Danubit.
Përpiloi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski