Artikull
Drejtori i BTA-së, kandidati i Ilijana Jotovës për nënpresident
Premte 4 Shtator 2026 08:49
Premte, 4 Shtator 2026, 08:49
Ilijana Jotova
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
“Ju prezantoj Kirill Vëllçevin – jurist, njeri i fjalës dhe i ligjit, si dhe veprimtar publik.” Me këto fjalë, presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, prezantoi drejtorin e Agjencisë Telegrafike Bullgare (BTA), Kirill Vëllçev, si partnerin e saj në zgjedhjet e tetorit, ku të dy do të garojnë përkatësisht si kandidate për presidente dhe kandidat për nënpresident. Jotova e bëri të ditur lajmin para gazetarëve, pak para fillimit të koncertit në sallën “Bullgaria”, me të cilin u çel sezoni i ri i Filarmonisë së Sofjes. “Një nënpresident duhet t’i njohë në themel ligjet e vendit dhe të dijë se si funksionon shteti bullgar. Me Kirill Vëllçevin kemi punuar së bashku për shumë vite për një kauzë të përbashkët: ruajtjen e identitetit bullgar, zhvillimin e përkatësisë kombëtare, të shpirtit dhe të shkrimit bullgar, si dhe të alfabetit”, deklaroi Ilijana Jotova. Ajo theksoi gjithashtu se i bashkon një tjetër kauzë e përbashkët: puna me komunitetet bullgare jashtë vendit, për ruajtjen dhe zhvillimin e tyre.
Kirill Vëllçev
FOTO: BTA
Nga ana e tij, Kiril Vëlçev tha se nuk kishte synuar të bëhej kandidat për nënpresident. “E pranoj ftesën e presidentes Jotova si një vlerësim për BTA-në – një institucion i pajtimit, i komunikimit mes bullgarëve në mbarë botën dhe i kujtesës. Dhe pikërisht për pajtim ka nevojë edhe presidenca. Ky është gjithashtu një vlerësim për të gjithë ju, për mediat bullgare, të cilat krijojnë një hapësirë ku Bullgaria mund të paraqitet në të gjithë larminë e saj”, shtoi ai.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova