Rumen Radev: Shërbimet e sigurisë po kalojnë një transformim të thellë

Premte, 4 Shtator 2026, 13:43

Rumen Radev: Shërbimet e sigurisë po kalojnë një transformim të thellë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

“Për momentin, shërbimet tona të sigurisë po kalojnë një proces të thellë transformimi, si në strukturë, ashtu edhe në mënyrën e funksionimit. Shpresoj që shumë shpejt drejtuesit e këtyre shërbimeve ta informojnë parlamentin për masat që do të ndërmerren”, deklaroi në Kuvendin Popullor kryeministri Rumen Radev. Ai iu përgjigj deputetit Atanas Atanasov nga “Bullgaria Demokratike”, i cili e pyeti për gatishmërinë e shërbimeve të sigurisë dhe të inteligjencës civile për kohën kur Bullgaria do të marrë kryesimin e Komitetit të Inteligjencës Civile në vitin 2027.

Duke folur për ndryshimet në shërbimet e sigurisë, Radev nuk dha detaje se çfarë masash po ndërmerren konkretisht. Megjithatë, ai theksoi se bëhet fjalë për një transformim të thellë, që synon të rrisë ndjeshëm efikasitetin e tyre. Sa i përket kapaciteteve të shërbimeve, kryeministri tha se informacioni i mbledhur përmes burimeve njerëzore mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm. Por, sipas tij, në botën e sotme është po aq e domosdoshme që shërbimet të kenë kapacitete të avancuara teknologjike për mbledhjen dhe analizimin e informacionit. “Kjo kërkon financim dhe pajisje të përshtatshme, sepse në shumicën e rasteve kundërshtarët e shërbimeve tona disponojnë teknologji shumë më të avancuara se ne”, tha Radev.

Ai shprehu pritshmërinë që Kuvendi Popullor, gjatë miratimit të buxhetit të ardhshëm, të mbështesë modernizimin teknologjik të shërbimeve të sigurisë.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova