Autor
Joan Kolev
Artikull
Mali Ljulin – „një hap larg“, por edhe „një klikim“ larg kryeqytetit
Hënë 7 Shtator 2026 09:42
Hënë, 7 Shtator 2026, 09:42
Shtëpia malore “Livadhet Bonsovi” - pamje nga larg
FOTO: Shoqata Turistike „Manastirska Koria“
Madhësia e shkronjave
A e dini sa male ka rreth Sofjes? Kjo pyetje do t’i vinte në vështirësi shumicën e banorëve të kryeqytetit dhe vizitorëve të tij, pasi Sofjen zakonisht e lidhin kryesisht me malin Vitosha. Në të vërtetë, Sofja është një qytet jashtëzakonisht i favorizuar nga natyra. E shtrirë në Fushëgropën e Sofjes, ajo rrethohet nga pesë male – Vitosha, Pllana, Mali i Sofjes, Ljulin dhe Mali i Lozеnit. Kjo u ofron banorëve të saj mundësi të shumta për shëtitje, turizëm në natyrë dhe çlodhje në ajër të pastër, larg zhurmës dhe ritmit të përditshëm të qytetit.
FOTO: Shoqata Turistike „Manastirska Koria“
Problemi, megjithatë, është se malet e vogla, që ndodhen vetëm pak hapa larg qytetit, ende nuk shfrytëzohen sa duhet për turizëm. Atyre u mungojnë shtigjet e shënuara, transporti i përshtatshëm dhe hapësirat e parkimit, por mbi të gjitha – informacioni për mundësitë që ofrojnë për turizëm dhe eksplorim.
FOTO: Shoqata Turistike „Manastirska Koria“
Nisma e re e Shoqatës Turistike „Manastirska Koria“ (Pylli i Manastirit), me titull „Mali Ljulin – Të ruajmë të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen“, synon të gjejë zgjidhje për këto çështje. Në kuadër të saj po përgatiten aktivitete turistike tematike dhe të organizuara, që do t’i nxisin njerëzit ta njohin malin nga afër dhe të zbulojnë pasuritë e tij. Projekti mbledh në një vend itineraret turistike dhe vendet më interesante të malit Ljulin, i lidh ato me përvoja të reja turistike dhe i sjell të gjitha këto në internet.
FOTO: Shoqata Turistike „Manastirska Koria“
Mali Ljulin, i shtrirë në perëndim të kryeqytetit, ka vërtet një potencial të jashtëzakonshëm: ndodhet shumë pranë disa lagjeve të Sofjes dhe ofron shtigje të lehta, të përshtatshme për familjet dhe ata që nisin të eksplorojnë malin.
Ivan Popov
FOTO: Facebook /Shoqata Turistike „Manastirska Koria“
„Mali Ljulin është shumë i pasur nga pikëpamja historike. Këtu ndodhen manastire që janë pjesë e Malit të Shenjtë të Sofjes – shpjegon në një intervistë për Radio Bullgarinë kryetari i shoqatës turistike, Ivan Popov. – Pra, kjo është edhe një nga arsyet pse duam të pakësojmë fluksin drejt Vitoshës. Të gjithë e dini se, kur moti është i mirë ose kur bie borë dhe fëmijët mund të bëjnë ski, të rrëshqasin me sajë e të argëtohen në dëborë, të gjithë dynden atje. Ndërsa Mali Ljulin ka ajër të pastër dhe vende shumë të këndshme për shëtitje. Ne mendojmë se edhe këto mundësi duhen bërë më të njohura.“
Manastiri i Gorna Banjës „Shenjtor Kirill dhe Metodij“
FOTO: Shoqata Turistike „Manastirska Koria“
Projekti për promovimin e potencialit turistik të malit Ljulin po realizohet me mbështetjen e Programit „Evropa“. Hapi i parë i projektit është përgatitja e një itinerari rrethor, rreth tre orë të gjatë, i cili do të shënohet me tabela që do të kenë kode QR. Itinerari do të nisë nga Manastiri i Gorna Banjës „Shenjtor Kirill dhe Metodij“, i themeluar në fund të shekullit të XIII-të dhe i shkatërruar disa herë gjatë periudhës së sundimit osman.
Manastiri i Gorna Banjës „Shenjtor Kirill dhe Metodij“
FOTO: Shoqata Turistike „Manastirska Koria“
Rruga është mjaft interesante, pothuajse tërësisht përmes pyllit dhe pranë disa kishëzave. Në kthim, ajo shpie te ish-reparti kundërajror – një qytet fantazmë ku dikur jetonin më shumë se një mijë ushtarakë dhe familjet e tyre. Nga ish-reparti kundërajror nis edhe një itinerar i nivelit të ndërmjetëm për adhuruesit e çiklizmit malor. Pika e fundit e tij janë Livadhet Bonsovi, që ndodhen vetëm pesë minuta larg parkingut dhe stacionit të autobusëve. Mungesa e shenjave orientuese në shtigje është një nga problemet kryesore në malin Ljulin. Pikërisht për këtë arsye është zgjedhur itinerari rrethor: ai është ndër të paktët që tashmë ka shenja të qarta dhe të përshtatshme orientimi.
FOTO: Shoqata Turistike „Manastirska Koria“
Projekti „Mali Ljulin – Të ruajmë të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen“ u jep banorëve të Sofjes dhe vizitorëve të qytetit mundësinë të zbulojnë vende të reja, histori interesante, bukuri natyrore dhe trashëgimi kulturore.
Kishäza „Të Gjithë Shenjtorët“ në malin Ljulin
FOTO: Shoqata Turistike „Manastirska Koria“
„Në program parashikojmë katër ecje në mal, në katër të diela radhazi. Së shpejti do të bëjmë të ditura edhe datat, të cilat do të jenë në fund të shtatorit dhe gjatë tetorit – shpjegon bashkëbiseduesi ynë. - Njëra prej tyre do t’i kushtohet më shumë historisë dhe jetës shpirtërore, ndërsa tjetra do të përqendrohet te ish-reparti kundërajror, historia e tij dhe fotografitë. Grupet do të shoqërohen nga fotografë profesionistë, të cilët do t’u japin këshilla pjesëmarrësve që duan të bëjnë fotografi cilësore. Shëtitjen e tretë e kemi quajtur „patrulla ekologjike“. Të gjithë do të kemi doreza dhe qese në çantat e shpinës, në mënyrë që të mbledhim mbeturinat e lëna nga vizitorët e papërgjegjshëm. Kështu duam të japim edhe një shembull dhe t’u themi njerëzve: „Kur dilni për shëtitje në mal, kujdesuni për natyrën dhe mblidhni mbeturinat!“ Ecja e fundit do të jetë një ngjitje e shpejtë në majën Dupeevica, ndërsa për pjesëmarrësit që do të arrijnë të parët parashikohen edhe disa çmime të vogla.“
FOTO: Shoqata Turistike „Manastirska Koria“
Grupet do të kenë rreth 35 pjesëmarrës, në mënyrë që t’u kushtohet vëmendje të gjithëve.
Vetë mali ofron mundësi të shumta për shëtitje të këndshme. Është një mal relativisht i ulët dhe i shtrirë, me shumë maja nga të cilat hapen pamje të mrekullueshme. Klima është e butë dhe e këndshme, pa ndryshime të menjëhershme të motit.
FOTO: Shoqata Turistike „Manastirska Koria“
Projekti i shoqatës turistike për promovimin e turizmit në këtë zonë pranë kryeqytetit u drejtohet kryesisht të rinjve. Për këtë arsye u krijua një aplikacion i posaçëm, ku, përveçse mund të gjeni informacion të detajuar, mund të grumbulloni edhe distinktivë digjitalë dhe pikë, me të cilat mund të përfitoni një pije ose një copë tortë falas në shtëpinë malore.
FOTO: Facebook /Shtëpia malore “Livadhet Bonsovi”
Qëllimi kryesor është t’i nxisë të rinjtë të dalin në natyrë, të përjetojnë fuqinë dhe ndikimin e saj pozitiv dhe, edhe pse vazhdojnë ta kenë telefonin në dorë, të arrijnë për pak kohë të shkëputen nga varësia ndaj ekraneve, e cila po bëhet një problem gjithnjë e më serioz në jetën e tyre.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova