SHOQËRI

Seksion

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

Martë, 8 Shtator 2026, 07:10

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Mes kthesave rrjedhës së lumit Iskër ndodhet Zverino – një fshat bullgar relativisht i madh, me një jetë kulturore jashtëzakonisht aktive. Këtu fëmijët kërcejnë dhe mësojnë të luajnë instrumente muzikore, ndërsa të rriturit ruajnë traditat dhe rikrijojnë ngjarje të rëndësishme historike, duke e kthyer të kaluarën në pjesë të jetës së komunitetit të sotëm.

“Fakell 1926” – biblioteka vendase, e cila këtë vit mbush plot një shekull – është në qendër të kësaj jete të pasur kulturore. Ajo është një vend takimesh, krijimtarie dhe edukimi dhe bashkon njerëz nga breza të ndryshëm.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

“Kam 10 vjet që punoj në këtë institucion kulturor, i cili është qendra kryesore shpirtërore dhe kulturore e fshatit. Në fshat jetojnë 1400 njerëz, ndërsa kemi një shkollë deri në klasën e dymbëdhjetë dhe një kopsht fëmijësh. Shpirti i fortë i njerëzve dhe komuniteti i bashkuar i bëjnë nismat tona shumë mbresëlënëse”, na tregon sekretarja e bibliotekës, Stilijana Stojanova.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

Qendra kulturore “Fakell” është “shtëpia” e një ansambli vallesh për fëmijë me 60 fëmijë, të ndarë në tri grupe sipas moshës, si dhe e një shkolle muzikore, ku të rinjtë mësojnë të luajnë instrumente të ndryshme muzikore. Aty funksionojnë gjithashtu grupe folklorike për gra dhe burra, një klub punimesh artizanale, si dhe një klub artistik e krijues me 36 shkrimtarë, piktorë dhe fotografë vendas. Janë bërë tashmë 5 përmbledhje të veprave të tyre.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

“Për ne është krenari që në grupet tona amatore marrin pjesë njerëz jashtëzakonisht të rinj. Gjëja më e rëndësishme është se aktivitetet që organizojmë kanë ndikim të fortë dhe motivojnë gjithnjë e më shumë njerëz të bëhen pjesë e tyre. Kjo vjen edhe falë dialogut të mirë dhe bashkëpunimit mes qendrës kulturore, bashkisë, shkollës dhe kopshtit të fëmijëve, por mbi të gjitha buron nga vetë qëndrimi i njerëzve ndaj trashëgimisë bullgare dhe traditave – që ato të ruhen dhe t’u përcillen brezave të ardhshëm”, thotë zonja Stojanova, ndërsa na tregon pasurinë e qendrës kulturore – sallën e gjerë, bibliotekën e rinovuar, dhomat e veshjeve me kostumet tradicionale të ansambleve të valleve dhe uniformat.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

Lidhja e Zverinos me historinë bullgare është veçanërisht e fortë. Në vitin 1876, gjatë luftës për çlirimin nga sundimi osman, nëpër këtë zonë kaluan revolucionarët e çetës së Hristo Botevit. Sipas kujtesës historike lokale, banorët e Zverinos i pritën, u dhanë ushqim dhe i ndihmuan të kalonin lumin.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

Kjo histori merr jetë çdo vit më 4 qershor – Ditën e Zverinos. Grupi vendas “Çetnikët e Botevit” rikrijon zbritjen e çetnikëve nga malet e Ballkanit, ndërsa në shtëpinë-muze aty pranë, “Mulliri”, është vendosur edhe një pllakë përkujtimore kushtuar kësaj ngjarjeje.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

“Grupi ka një uniformë karakteristike çetnike dhe ne rikrijojmë zbritjen nga Ballkani me pishtarë. Ata kalojnë në kuptimin e mirëfilltë lumin Iskër, ndërsa paraprakisht e kemi përgatitur dhe siguruar lumin me litarë. Në këtë mënyrë rikrijohet kalimi i çetnikëve përmes lumit”, shpjegon Stilijana Stojanova.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

Kalendari i festave në Zverino nis më 6 janar – me Ditën e Ujit të Bekuar (Epifania), një nga festat e mëdha të krishtera ortodokse. Pas liturgjisë festive në kishë, banorët vendas nisen në procesion drejt lumit Zlatica, ku burrat “shpëtojnë” kryqin e Epifanisë dhe kërcejnë vallen tradicionale të burrave në ujërat e akullta. Në Ditën Kombëtare të Bullgarisë – 3 mars, Zverino organizon një ceremoni së bashku me fshatrat fqinje Osellna dhe Ignatica. Të gjithë mblidhen në shesh, ndërsa festa përfundon me një valle të madhe tradicionale bullgare, na tregon Stilijana Stojanova.

Një nga ngjarjet më të mëdha në fshat është edhe Festivali Kombëtar Folklorik “Zmej Gorjanin”, i cili mbledh mbi 500 artistë amatorë – këngëtarë, valltarë dhe interpretues individualë nga e gjithë Bullgaria. Emri i festivalit lidhet me traditën folklorike vendase, ndërsa qëllimi është ruajtja dhe promovimi i krijimtarisë popullore bullgare. Traditat e këndimit të këngëve të Krishtlindjes (koledari) dhe të festës së Shën Llazarit (lazaruvane) janë ende të gjalla, ndërsa shpresa e sekretarit të qendrës kulturore është që së shpejti të rikthehet edhe rituali i vjetër vendas “Brashlenkju”, i lidhur me të ashtuquajturën “ujë i heshtur” dhe urimet për begati e mbarësi.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

Në qendrën kulturore është ngritur një kënd i posaçëm etnografik, ku janë ekspozuar sende të përdorimit të përditshëm nga jeta e banorëve, si dhe kostume tradicionale autentike vendase – të gjitha të dhuruara nga banorët e Zverinos.

Por çfarë i bën njerëzit të qëndrojnë në Zverino? Përgjigjja nuk është e lehtë, veçanërisht kur vendet e punës janë të pakta. Në vetë fshatin ka prodhim serash të perimeve, por mundësitë për punësim lokal mbeten të kufizuara. Prandaj, shumë prej banorëve punojnë në kryeqytet dhe çdo ditë përshkojnë rrugën drejt Sofjes, e cila është pak më shumë se 100 kilometra në një drejtim.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

Megjithatë, një pjesë e të rinjve zgjedhin të qëndrojnë – arsyet janë më tepër emocionale:

“Siç thonë njerëzit, guri rëndon aty ku ka vendin. Nuk mund të përshkruhet me fjalë. Vetë ky vend ka një energji kaq të fortë dhe një natyrë kaq të bukur”, shprehet Stilijana Stojanova.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

Zverino ka edhe një tjetër pasuri të madhe – natyrën. Fshati është pjesë e Grykës së Iskërit – një zonë piktoreske në Bullgarinë Perëndimore, përgjatë lumit Iskër, midis Sofjes dhe Mezdra-s. Pranë tij ndodhen Manastiri i Çerepishkit, fenomeni shkëmbor “Ritlite”, monumenti “Dado Joco” pranë Oçindollit, i frymëzuar nga personazhi me të njëjtin emër në tregimin e shkrimtarit bullgar Ivan Vazov, si dhe shtëpia-muze e “Baba Ilijcës” – vendlindja e heroinës së tregimit të Vazovit “Një grua bullgare”.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

Në vitin 2025, qendra kulturore dhe Drejtoria e “Parkut Natyror Ballkani i Vracës” nisën projektin “Ekodestinacioni Gryka e Iskërit”, i cili bashkon bukuritë natyrore dhe atraksionet kulturore të zonës. Janë përmirësuar dy itinerare për këmbësorë, ndërsa ndër vendet që tërheqin turistë është edhe ujëvara e bukur “Bigora”. Atje të çon një shteg 7 kilometra i gjatë përgjatë lumit Zlatica.

Zverino – një vend ku shpirti bullgar përcillet brez pas brezi

FOTO: Elena Karkallanova

Për momentin, zona është më tepër një destinacion për ekskursione njëditore, por njerëzit e Zverinos ëndërrojnë për më shumë. Sepse këtu nuk duan thjesht të ruajnë të kaluarën e tyre, por ta kthejnë trashëgiminë e lënë nga paraardhësit në një arsye që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre pikërisht këtu.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello