Autor
Anelia Dimitrova
Artikull
"Jam nga Kjustendili":
Kejsi nga Nju Jorku që e bëri Bullgarinë shtëpinë e saj
Enjte 10 Shtator 2026 07:00
Enjte, 10 Shtator 2026, 07:00
FOTO: Facebook /Casey Angelova
Madhësia e shkronjave
Ju prezantojmë një amerikane që me buzëqeshje e quan veten “vajzë nga Kjustendili”. Kejsi Angellova (Casey Angelova) ka lindur në Brooklyn, Nju Jork, por më shumë se 15 vjet më parë zgjodhi Bullgarinë si vendin ku do të ndërtonte jetën e saj. Së bashku me familjen, ajo u vendos në rajonin e Kjustendilit, në jugperëndim të Bullgarisë, ku gjeti një drejtim të ri në jetë: bujqësinë e qëndrueshme, ushqimin e pastër dhe lidhjen me natyrën.
Në fermën familjare në fshatin Shipoçano, Kejsi dhe bashkëshorti i saj zhvillojnë projekte të ndryshme të frymëzuara nga traditat lokale dhe pasuritë natyrore të rajonit, i njohur si “kopshti i qershive i Bullgarisë”. Ndër to janë një plantacion për kultivimin e tartufëve, prodhimi i rakisë artizanale të qershisë dhe pasioni i saj më i ri: përgatitja e sapunit kastilian nga përbërës krejtësisht natyralë.
FOTO: Facebook /Angelove Estate
Që me mbërritjen e saj në Bullgari, Kejsi zbuloi diçka që i kishte munguar shumë gjatë jetës në Nju Jork: kontaktin e drejtpërdrejtë me natyrën.
“Në Nju Jork gjithçka është beton dhe njeriu e ka të vështirë të ndiejë lidhjen me natyrën. Kur erdha në Kjustendill, më lanë shumë përshtypje pemët e qershisë përgjatë rrugëve. Pas shkollës, fëmijët kalonin pranë tyre dhe mblidhnin qershi. Në Nju Jork kjo do të ishte e paimagjinueshme. Pikërisht kjo afërsi me natyrën më bëri të ndihesha mirë këtu. Në Nju Jork punoja nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe pothuajse nuk më mbetej kohë për familjen. Në Bullgari gjeta ekuilibrin midis punës dhe jetës personale. Këtu njerëzit kanë kohë të jenë bashkë, të ulen qetësisht për drekë. Në fillim kjo ishte një tronditje kulturore për mua, por sot besoj se jeta është më e mirë pikërisht me një ritëm të tillë.”
Rruga drejt jetës së saj të re kalon edhe përmes kulinarisë. Pikërisht në Bullgari, Kejsi zbuloi dashurinë e saj për ushqimin, kopshtarinë dhe mënyrën rurale të jetesës. Në vitin 2008 ajo filloi të shkruajë blogun e saj të kulinarisë, “Eating, Gardening and Living” (“Të hash, të merresh me kopshtari dhe të jetosh”), ku rrëfen për eksperimentet dhe zbulimet e saj.
Interesi për kulinarinë e çoi gjithashtu në Institutin Kulinar të Amerikës në Hyde Park, të cilin e përfundoi në vitin 2011.
FOTO: Anelia Dimitrova
Megjithatë, mësimet e para për kuzhinën bullgare ajo i mori nga vjehrra e saj.
“Kur lindi vajza ime e parë, vjehrra ime erdhi në Nju Jork dhe solli nga Bullgaria borzilok dhe erëza të tjera. Ajo nuk fliste anglisht, ndërsa unë nuk dija bullgarisht, por më mësoi të bëja qofte dhe musaka. Qëndroja pranë saj me një fletore dhe vizatoja gjithçka, aq qepë sa kjo, aq të mëdha qofte sa këto... dhe i ruaj ato receta edhe sot. Nuk gatuaj shumë gjellë bullgare, sepse preferoj një kuzhinë më ndërkombëtare, por më pëlqejnë taratori dhe sallata shopska. Gjatë verës dieta ime përbëhet nga domate dhe kastravecë nga kopshti, djathë i mirë dhe tarator.”
Megjithatë, kërkimet e saj gastronomike nuk ndalën këtu. Gjatë një udhëtimi kulinar në Nju Jork, ajo u frymëzua nga bota e tartufëve dhe distilerive artizanale, ide që më vonë i realizoi pikërisht në Bullgari.
FOTO: Facebook /Angelove Estate
Sot, Kejsi e përkufizon veten si shkrimtare, fermere, kuzhiniere, konsulente për kopshtarinë e qëndrueshme, mjeshtre e kompostimit dhe entuziaste e verës. Ajo merr pjesë aktive në iniciativa që lidhen me ushqimin e pastër dhe mënyrën e qëndrueshme të jetesës, si edhe në krijimin e rrjetit rinor të organizatës Slow Food në Bullgari.
Për Kejsin, Bullgaria prej kohësh nuk është thjesht një vend për të jetuar, por një shtëpi ku ka zbuluar thirrjen e saj dhe një mënyrë jetese në të cilën qetësia e fshatit dhe puna mes natyrës janë burim frymëzimi.
“Ka njerëz që shkojnë në terapi. Terapia ime është kopshti. Dhe kjo mënyrë e thjeshtë jetese i bën mirë zemrës. Kur kam kohë të lirë, qëndroj mes bimëve, kujdesem për domatet, dëgjoj zogjtë, bretkosat dhe bletët. Kjo jetë më pëlqen shumë, sepse në qytet zhurma nuk ndalet kurrë, ndërsa këtu njeriu mund ta dëgjojë natyrën. Kjo është diçka që sjell qetësi të vërtetë.”
FOTO: Facebook /Angelove Estate
Pas gati dy dekadash në Bullgari, Kejsi nuk ndihet më si mysafire. Përkundrazi, ajo thotë me buzëqeshje se është bërë një banore e vërtetë e Kjustendilit.
“Kur njerëzit më thonë se jam nga Nju Jorku, unë u përgjigjem: jo, unë jam nga Kтustendili. Nuk jam amerikane në Amerikë dhe nuk jam bullgare në Bullgari, por ndihem kтustendilase në Kjustendill. Pas kaq shumë vitesh këtu, Bullgaria është shtëpia ime dhe ëndërroj të krijojmë diçka këtu që të mbetet edhe pas nesh.”
Shtëpia nuk është gjithmonë vendi ku ke lindur dhe historia e Kejsi Angellovës e dëshmon këtë. Ndonjëherë shtëpia është aty ku zbulon misionin e saj në jetë, njerëzit që i konsideron familje dhe mënyrën e jetesës që të bën vërtet të lumtur.
Nga zhurma e Nju Jorkut deri te qetësia e rajonit të Kjustendilit, Kejsi gjeti rrugën e saj pranë natyrës dhe vlerave të thjeshta njerëzore. Historia e saj tregon se Bullgaria mund të shndërrohet në shtëpi për këdo që është i gatshëm ta njohë, ta vlerësojë dhe ta dojë.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Kejsi Angellova e braktis karrierën e saj televizive në Nju Jork për të kultivuar tartuf në Bullgari
- Tartufi – “thesari i gjelbër” në trojet e Bullgarisë
- Gjimnazi me tartufët pret rendimentin e vet të parë në pranverë
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva