Shkolla “Bullgarçe” në Dubai – shtyllë e bullgarizmit në botën arabe

Mërkurë, 9 Shtator 2026, 07:00

Shkolla “Bullgarçe” në Dubai – shtyllë e bullgarizmit në botën arabe

FOTO: Konsullata e Përgjithshme e Bullgarisë në Dubai (arkiv)

Madhësia e shkronjave

Edhe fëmijët e bullgarëve që jetojnë në Dubai kanë qendrën e tyre arsimore dhe shpirtërore, e cila ka hapur dyert për vitin e saj të 20-të shkollor. Shkolla e së dielës quhet “Bullgarçe” dhe ka një funksion shumë të rëndësishëm – të ofrojë arsimim në gjuhën bullgare për të gjithë fëmijët që dëshirojnë të mësojnë bullgarisht. Shkolla ndiqet, ndonëse në distancë, edhe nga fëmijë nga Omani, Arabia Saudite, Bahreini, Katari etj.

Ajo u themelua në vitin 2007 me iniciativën e komunitetit bullgar vendas dhe aktualisht është nën varësinë e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Bullgarisë në Dubai. Aktualisht, në shkollë mësojnë rreth 170 fëmijë, ku më të vegjlit janë në grupin përgatitor, ndërsa më të mëdhenjtë deri në klasën e 12-të. Në praktikë, “Bullgarçe” në Dubai është një bashkim i të gjitha shkollave të së dielës që kanë ekzistuar më parë pranë shoqatave të ndryshme ose këshillave të kishave.

Shkolla “Bullgarçe” në Dubai – shtyllë e bullgarizmit në botën arabe

FOTO: Shkolla “Bullgarçe”, Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe

Në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk lejohet ekzistenca e organizatave joqeveritare, prandaj e vetmja mundësi ishte që shkolla të ishte nën ombrellën e konsullatës bullgare. Prindërit morën një vendim unanim se do ta mbështesnin veprimtarinë e shkollës si moralisht, ashtu edhe materialisht. Kështu, në botën arabe vazhdoi të ekzistonte një shkollë bullgare dhe tani ajo gëzon një popullaritet gjithnjë e më të madh mes fëmijëve dhe prindërve. “Avantazhi tek ne është se fëmijët, në mësimin me prani fizike, arsimohen në një godinë shkollore. Ne përdorim të gjitha lehtësitë në ambientet e Ambassador International School”, – thotë Diana Nazhi, drejtuese e shkollës së së dielës “Bullgarçe” në Dubai:

Diana Nazhi

Diana Nazhi

FOTO: Arkiv personal

“ Kjo shkollë u jep fëmijëve gjënë më të çmuar – të mësojnë gjuhën bullgare dhe të njihen me traditat tona. Për mua, kjo është më e rëndësishmja. Kam pothuajse 25 vjet që jetoj në Dubai, fëmijët e mi u rritën atje dhe falë shkollës, e cila funksionon sipas programit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Bullgarisë, ata mund të lexojnë dhe të shkruajnë në bullgarisht. Rreth 42 fëmijë mësojnë online nga vendet fqinje, ndërsa pjesa tjetër janë nga Dubai. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas vlerësimit tim, jetojnë ndoshta rreth 5–7 mijë bullgarë.”

Shkolla “Bullgarçe” në Dubai – shtyllë e bullgarizmit në botën arabe

FOTO: Shkolla “Bullgarçe”, Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe

Edhe këtë verë temperaturat e ajrit në Dubai ishin mbi 40 gradë dhe shumica e familjeve bullgare u kthyen në Bullgari për pushimet verore. Shkollat atje hapin dyert më 1 shtator, prandaj pushimet verore tashmë kanë përfunduar edhe për nxënësit e shkollës bullgare të së dielës “Bullgarçe”.

“Tek ne duhet të respektojmë edhe normat lokale në botën arabe, ndërsa më e vështira rezulton të jetë gjetja e mësuesve të kualifikuar”, – thotë më tej Diana Nazhi:

Shkolla “Bullgarçe” në Dubai – shtyllë e bullgarizmit në botën arabe

FOTO: Shkolla “Bullgarçe”, Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe

“Në Dubai, shkolla bullgare e së dielës duhet të respektojë kërkesën e veçantë që historia dhe gjeografia të mos mësohen në prani fizike, por drejtuesit e shkollës e kanë zgjidhur këtë çështje duke i zhvendosur orët mësimore online. Kemi një mësues që është nga Qiproja. Ai është profesionist, pedagog, i cili u mëson fëmijëve historinë dhe gjeografinë. Megjithatë, ky është një privilegj, sepse gjetja e mësuesve për shkollat bullgare të së dielës është shumë e vështirë. Në këtë mënyrë, fëmijët tanë kanë vërtet mundësinë që materialin t’ua mësojë një gjeograf dhe historian, gjë që e konsideroj shumë të vlefshme. Ndërsa prindërit e bullgarëve që janë vendosur në Dubai janë njerëz të mrekullueshëm, inteligjentë. Ata i kushtojnë shumë rëndësi faktit që fëmijët e tyre të arsimohen dhe të mësojnë bullgarisht. Tek ne vijnë fëmijë të jashtëzakonshëm, me talente. Madje, për Ditën e Rilindësve Bullgarë vitin e kaluar patëm pikërisht një koncert disi më jo-standard, kushtuar talenteve të fëmijëve tanë. Kemi muzikantë, balerina, gjimnastë dhe secili pati mundësinë të shfaqej në fushën e vet. Dhe ishte një festë e paharrueshme e talenteve bullgare!”


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski