Autor
Joan Kolev
Artikull
Glagolitiku, simbol i kujtesës dhe mjet komunikimi
Një ekspozitë në Radion Kombëtare Bullgare i kushtohet alfabetit të parë sllav
Mërkurë 9 Shtator 2026 19:54
Mërkurë, 9 Shtator 2026, 19:54
FOTO: Ani Petrova
Madhësia e shkronjave
Radioja Kombëtare Bullgare është mikpritëse e një ekspozite kushtuar alfabetit glagolitik. Siç dihet, glagolitiku është alfabeti i parë i krijuar në Evropë dhe u hartua nga një autor i njohur, Konstandin Kirill Filozofi. Titulli i ekspozitës – „Me glagolitikun rreth Tokës“ – përputhet plotësisht me mesazhin e saj kryesor: të bashkojë bullgarët në mbarë botën dhe t'u kujtojë rrënjët dhe të kaluarën e tyre në atdhe, pavarësisht se ku ndodhen dhe cilat ishin arsyet që i shtynë të largohen prej tij.
FOTO: Joan Kolev
Kuratorja e saj është bashkatdhetaria jonë Mira Svilenova, e cila jeton në Kanada prej gati 20 vitesh. Fjala dhe shkronjat kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës së saj profesionale, pasi ajo merret me marketing dhe komunikim. Prandaj, nuk është çudi që ato janë bërë pjesë edhe e kërkimeve të saj krijuese.
Në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë, Mira Svilenova shpjegoi se çfarë e shtyu t'i kushtonte vëmendje alfabetit glagolitik dhe ta vendoste atë në qendër të një ekspozite:
Mira Svilenova
FOTO: Desisllava Semkovska
“Si krijuese, merrem me alfabetin glagolitik prej tre vitesh. Kjo periudhë më ka mundësuar të vërej një ngjashmëri në mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj tij, pavarësisht nëse ekspozoj në Bullgari apo jashtë vendit. Kjo ekspozitë është pjesë e një projekti timin kërkimor, që synon të krijojë një abetare interaktive të alfabetit glagolitik, e cila pritet të përfundojë deri në mesin e vitit të ardhshëm, 2027. Por unë e studioj glagolitikun edhe si një urë për krijimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, edhe si një mjet për alfabetizimin mediatik. Në ditët e sotme, mediat dhe teknologjitë zhvillohen dhe ndryshojnë me ritme shumë të shpejta. Ato përcjellin kulturën dhe identitetin dhe, nëse kjo do të bëhej përmes alfabetit glagolitik, do të na nxiste të reflektonim më thellë mbi mënyrën se si kultura dhe identiteti përcillen përmes teknologjive moderne.”
FOTO: Ani Petrova
Pikërisht për këtë arsye është zgjedhur edhe nëntitulli i ekspozitës – „Glagolitiku si teknologji komunikimi në praktikë“. „Në përditshmërinë e sotme, me ritmin e saj të shpejtë, shpesh nuk ndalemi të mendojmë se si i përdorim dhe i shkruajmë fjalët, ndërkohë që edhe kjo është një lloj teknologjie. Në fakt, çdo alfabet është një teknologji komunikimi“, theksoi Mira Svilenova gjatë hapjes së ekspozitës.
FOTO: Ani Petrova
Në fjalimin e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare, Milen Mitev, rikujtoi fjalët e piktorit me famë botërore Leonardo da Vinçi, i cili thoshte se „shpirti dhe zemra duhet ta udhëheqin dorën, përndryshe nuk ka krijimtari“. Duke iu referuar faktit se shpeshherë arti bashkëkohor i prezantuar para publikut është i vështirë për t'u kuptuar dhe ngjall reagime të ndryshme, Mitev vuri në dukje se ekspozita e tanishme përbën një përjashtim. Ajo përcjell ndjesinë e kujtesës kulturore bullgare dhe shërben si simbol i lidhjes së pandashme mes bullgarëve në atdhe dhe atyre që jetojnë në mbarë botën.
Drejtori i Përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare Milen Mitev
FOTO: Desisllava Semkovska
„Më gëzon veçanërisht fakti që në qendër të kësaj ekspozite është glagolitiku. Ky është alfabeti i parë, i krijuar në shekullin e largët IX, posaçërisht për të shkruar dhe për të kuptuar gjuhët sllave. Megjithatë, ai është shumë më tepër se një alfabet – është një përpjekje për të krijuar një identitet të pavarur kulturor dhe një filozofi të koduar përmes simboleve. Ai është lidhja jonë me rrënjët tona, me rrënjët bullgare. Ndoshta është e natyrshme që sot po vërejmë një interes gjithnjë e më të madh për glagolitikun. Po organizohen kurse të ndryshme kaligrafie dhe gjithnjë e më shumë të rinj po mësojnë të shkruajnë emrin e tyre me glagolitik. Kjo tregon se edhe sot kjo formë e parë e shkrimit bullgar vazhdon të jetë një pjesë e rëndësishme e identitetit tonë si bullgarë.“
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në hollin e mermerit përpara studios së parë të Radios Kombëtare Bullgare deri më 25 shtator.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova