Arti i ruajtjes së rrënjës:

Trajektorja jetësore e Magdalena Nedellçeva në Cyrih

Hënë, 21 Shtator 2026, 07:00

Trajektorja jetësore e Magdalena Nedellçeva në Cyrih

FOTO: Aleksandra Karamihaleva

Madhësia e shkronjave

Rrugët njerëzore shpesh duken kaotike, të palogjikshme dhe të mbushura me paradokse. Çfarë paradoksi më të madh mund të ketë sesa të nisesh nga Shumeni – nga trojet ku dikur lulëzoi Shkolla Letrare e Pliskës dhe Presllavit dhe ku lindi Epoka e Artë e fjalës bullgare – të përfundosh studimet për filologji sllave, i ushqyer me këtë traditë shekullore të shkrimit, dhe më pas të largohesh për të kërkuar veten në Zvicër? Pikërisht kjo është rruga jetësore e Magdalena Nedellçevës – filologe dhe mësuese e gjuhës bullgare, e cila sot jeton dhe punon në Cyrih.

Pasi mbërrin dhe vendoset në Republikën Federale Alpine, Magdalena Nedellçeva bëhet diçka shumë më e madhe se një emigrante – ajo shndërrohet në një lloj misionareje bashkëkohore të asaj trashëgimie letrare presllaviane, e thirrur për ta ruajtur dhe përhapur gjuhën tonë larg atdheut.

Trajektorja jetësore e Magdalena Nedellçeva në Cyrih

FOTO: Aleksandra Karamihaleva

Trajektorja jetësore e filologes nga Shumeni dëshmon se asgjë në këtë botë nuk është e rastësishme. Bisedojmë nën harqet e larta gotike të kishës së Cyrihut “Predigerkirhe”, mes rreptësisë së saj të ftohtë dhe imponuese. Kisha ndodhet në afërsi të menjëhershme të Bibliotekës Qendrore të Cyrihut – vendi ku, në thesaret e lashta, ruhet “Kodiku i Rajhenaut” i paçmuar, me emrin e Shën Metodit të shënuar në të, duke dëshmuar qëndrimin e mësuesit të parë sllav në këto troje.

Kjo pikë gjeografike dhe shpirtërore e ndërthurur duket se na kujton në heshtje se filli i fjalës dhe shenjtërisë bullgare nuk është këputur kurrë në zemër të Evropës. Sot, vetëm pak hapa larg pergamenës shekullore, Magdalena thjesht vazhdon të njëjtin Plan të padukshëm.

“Pasi përfundova Universitetin e Shumenit me specializimin ‘Filologji bullgare dhe ruse’, dëshirova të shqyrtoja mundësitë edhe në universitete të tjera. Dhe kështu erdha këtu. Në fillim fillova të punoja në një punë që nuk lidhej me profesionin tim, në mënyrë që së pari të mësoja gjuhën – gjermanishten lokale zvicerane. Meqenëse në shkollë kisha mësuar vetëm gjermanishten standarde (Hochdeutsch), duhej ta përvetësoja nga e para dialektin zviceran.

Gradualisht arrita ta sillja edhe djalin tim këtu. Ai u rrit në këtë mjedis, u njoh me kulturën vendase dhe aktualisht po përfundon me sukses masterin në Universitetin e Cyrihut. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me jetën këtu – ndihemi të qetë.”

Trajektorja jetësore e Magdalena Nedellçeva në Cyrih

FOTO: Aleksandra Karamihaleva

Kur sistemi zviceran nuk e njeh arsimin e saj filologjik dhe e detyron të fillojë të punojë jashtë profesionit, duket sikur lidhja me fjalën është këputur përgjithmonë. Por pikërisht atëherë, kur njeriu ndihet më i larguar nga rrënja e tij, lind thirrja e tij e vërtetë. Zoti nuk lejon që dija dhe zemra e ushqyer nga burimi i Shumenit të mbeten të padobishme. Në vend që t’ia thyejë shpirtin, kjo përballje me realitetin e huaj e kthen atë drejt misionit të saj fillestar. Magdalena gjen mënyrën e saj për t’u realizuar – ajo i përkushtohet fëmijëve bullgarë, që ata të mos e humbin fillin e gjallë me atdheun.

Trajektorja jetësore e Magdalena Nedellçeva në Cyrih

FOTO: Aleksandra Karamihaleva

Njëzet vjet në një vend të huaj janë një kohë e mjaftueshme për t’u mësuar me ritmin e Zvicrës dhe për t’u ndier i qetë atje. Por, për të gjetur paqen e vërtetë në shpirt, kërkohet diçka më shumë sesa integrimi shoqëror – kërkohet një strehë shpirtërore, ku fjala amtare derdhet në lutje. Për Magdalenën, kjo strehë bëhet kisha bullgare në Cyrih, ku kërkimi i saj personal për kuptimin takohet me udhëzimin atëror të një bariu bashkëkohor.

“Në fillim nuk e dija që ekzistonte kisha jonë – kujton ajo. – Gradualisht, përmes Facebook-ut dhe internetit, fillova të interesohem, e gjeta dhe kështu, pak nga pak, fillova të merrja pjesë në shërbesat fetare. Atë Jordani është një njeri jashtëzakonisht i mirë. Ai na futi në vetë besimin, në jetën dhe në shoqërinë bullgare këtu, në Cyrih. Na ndihmon me absolutisht gjithçka që mundet.”

Magdalena dhe besimtarët e Komunitetit Kishtar Ortodoks Bullgar “Shën Gjergji Fitimtari” nxitojnë t’i përgjigjen kujdesit me kujdes, duke e ndihmuar Atë Jordanin me gjithçka që munden dhe duke dhuruar në komunitet aftësitë dhe kohën e tyre për të mirën e tjetrit.

Atë Jordan

Atë Jordan

FOTO: Darina Grigorova

“Po, natyrisht. Gjithmonë kur ai ka nevojë për ndihmën tonë, ne jemi aty. Ndihmojmë në çdo moment – qoftë duke përgatitur ushqim, qoftë thjesht me praninë tonë. Përpiqemi gjithmonë të jemi në shërbesat fetare. Gjithashtu mësojmë shumë gjëra prej tij – ai na udhëzon në rrugën e drejtë, na dëgjon dhe na mbështet.”

Për të, Atë Jordani është me të vërtetë figura që e bashkon këtë komunitet:

“Ai na bashkon të gjithëve, na afron dhe na mbledh së bashku. Atë Jordani është një njeri jashtëzakonisht i mirë, i zgjuar dhe i arsimuar, i cili përpiqet në çdo gjë. Këtu takohemi me shumë njerëz inteligjentë, komunikojmë me njëri-tjetrin dhe diskutojmë tema të ndryshme. Mblidhemi kryesisht gjatë festave – Pashkët dhe Krishtlindjet janë të detyrueshme për të gjithë ne, kur është e mundur.”

Trajektorja jetësore e Magdalena Nedellçeva në Cyrih

FOTO: Aleksandra Karamihaleva

Megjithatë, ky ishull shpirtëror bullgar në zemër të Zvicrës nuk mbetet i izoluar pas mureve të tempullit. Përkundrazi – ai shndërrohet në një ambasador të spikatur të ortodoksisë, i cili zgjon kureshtje të sinqertë dhe fiton respekt të thellë në shoqërinë vendase zvicerane. Traditat tona, të nxjerra përtej hapësirës së mbyllur të famullisë, bëhen një rast për dialog të gjallë dhe takim mes kulturave. Festa të tilla si Dita e Shën Jordanit (6 janar) e sjellin gëzimin shpirtëror të vendlindjes drejtpërdrejt në rrugët dhe brigjet e Cyrihut. “Këto janë festat tona më të gëzueshme, veçanërisht Dita e Shën Jordanit, sepse atëherë Atë Jordani është në ditën e emrit të tij” – tregon me buzëqeshje Magdalena:

“Përgatisim shumë ushqim dhe mblidhemi te Liqeni i Cyrihut. Atë Jordani e hedh kryqin në ujë dhe, megjithëse është dimër, gjithmonë gjenden mjaft të rinj vullnetarë që hidhen në ujërat e ftohta për ta nxjerrë... Gjithmonë, absolutisht gjithmonë, gjenden vullnetarë. Dhe më pas, sigurisht, e festojmë siç i ka hije ditën e emrit të Atë Jordanit.”

Pavarësisht përmbajtjes së banorëve vendas, ky ritual i pazakontë dhe spektakolar në liqen tërheq në mënyrë të pashmangshme vështrimet e kalimtarëve të rastësishëm:

“Njerëzit ndalojnë, na shikojnë dhe kjo zgjon tek ata një interes të madh për ortodoksinë – tregon ajo. – Fillojnë të na pyesin pse e bëjmë, çfarë do të thotë rituali, ndërsa ne me kënaqësi ua tregojmë. Liqeni i Cyrihut është një vend i preferuar për shëtitje gjatë kohës së lirë, kështu që gjithmonë ka shumë njerëz që ndalojnë dhe na vëzhgojnë me kureshtje.”

Megjithatë, ky interes i gjallë i zviceranit të zakonshëm nuk është thjesht kureshtje boshe, por shprehje e një veçorie kulturore shumë më të thellë – shoqëria zvicerane dallohet për një respekt fetar të jashtëzakonshëm dhe të rrënjosur ndaj komuniteteve të ndryshme:

Trajektorja jetësore e Magdalena Nedellçeva në Cyrih

FOTO: Aleksandra Karamihaleva

“Në Cyrih ka shumë kisha dhe komunitete nga më të ndryshmet – shpjegon Magdalena. – Këtu askush nuk e gjykon tjetrin sipas besimit të tij. Secili tregon respekt të sinqertë ndaj fesë së tjetrit dhe ndaj traditave të komunitetit përkatës.”

Kulmi i kësaj ndërthurjeje të traditave tona ortodokse me historinë vendase është pjesëmarrja e komunitetit bullgar në festën tradicionale të mbrojtësve të krishterimit të hershëm të Cyrihut – shenjtorëve martirë Feliks dhe Regula. Në zemër të Evropës, Magdalena përjeton një unitet të thellë, universal ortodoks, në të cilin bullgarët marrin pjesë si ruajtës të barabartë dhe të denjë të kujtesës së përbashkët të krishterë.

Trajektorja jetësore e Magdalena Nedellçeva në Cyrih

FOTO: © Pfarrei Felix und Regula, Zürich

Ajo e përshkruan procesionin solemn në nderim të shenjtorëve si jashtëzakonisht madhështor; mbahen flamujt kishtarë dhe ecet me këngë lutjeje:

“Nisemi nga ‘Lindenplatz’ dhe në të marrin pjesë përfaqësues të të gjitha kishave ortodokse në qytet – bullgare, ruse, serbe, si edhe koptët. Mbaj mend se atëherë, për herë të parë, dëgjova dhe mësova për komunitetin e krishterë kopt. Këta të krishterë lindorë janë jashtëzakonisht interesantë për sa i përket kulturës. Gjatë këtij procesioni, komuniteti ortodoks bart ikona dhe dhurata simbolike për të nderuar kujtimin e shenjtorëve martirë, të cilët humbën jetën për shkak të besimit në Krishtin në këto troje. E përshkojmë të gjithë rrugën deri te katedralja më e njohur e Cyrihut – madhështorja ‘Grossmünster’. Ajo është një nga vendet më të vizituara dhe më simbolike të qytetit, ndërsa për ne është një ngjarje emocionuese, e cila na bashkon dhe na bën të ndihemi pjesë e diçkaje të madhe.”

Procesion festiv i kishave ortodokse për nder të shenjtorëve mbrojtës të qytetit: Feliksit, Regulës dhe Ekzuperantit

Procesion festiv i kishave ortodokse për nder të shenjtorëve mbrojtës të qytetit: Feliksit, Regulës dhe Ekzuperantit

FOTO: zhkath.ch

Në këtë ditë të kujtesës universale, prania bullgare lë gjurmën e saj të veçantë, të ngrohtë dhe mikpritëse përmes ndarjes së bukës dhe tryezës. “Për këtë ditë ne, bullgarët, gjithmonë përgatisim shumë ushqime, të cilat janë tradicionale për vendin tonë, dhe i ndajmë me të tjerët”, thotë Magdalena.

Dikur e nisur nga djepi presllavian i shkronjave, për t’u humbur në dukje në përditshmërinë zvicerane, sot Magdalena është thirrur nga Zoti për të kryer të njëjtin mision – ta ruajë fjalën të pastër dhe të gjallë për brezat e ardhshëm. Dhe për sa kohë që në Cyrih ka njerëz si ajo, të cilët u mësojnë fëmijëve të lindur larg atdheut të shkruajnë me alfabetin cirilik dhe ta duan rrënjën e tyre, Bullgaria do të jetojë – e madhe, e përjetshme dhe e shenjtë, kudo në botë. Rruga e saj jetësore është dëshmia e gjallë se kufijtë e një kombi nuk përcaktohen nga hartat gjeografike dhe as nuk fshihen nga kaosi i emigracionit. Ato ruhen aty ku ekzistojnë kujtesa, besimi dhe gjuha.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski