MUZIKË

Artikull

Formacioni etno “Oratnica” me albumin e ri STOPAN dhe një koncert në Sofje

Enjte, 10 Shtator 2026, 20:00

s

s

FOTO: Facebook /Oratnitza

Madhësia e shkronjave

Pothuajse tetë vjet kemi pritur për një album të ri nga “Oratnica”– formacioni etno që në muzikën e tij ndërthur motive të folklorit bullgar me një tingëllim modern, përmes elementeve të dubstep-it, hip-hop-it dhe drum and bass. Ky album tashmë është një realitet – mban emrin STOPAN, përmban dhjetë këngë dhe do të prezantohet për herë të parë live më 12 shtator, në skenën e vogël të Vidas Art Arena në Sofje.

Vetë emri “Oratnica” na drejton drejt zakonit popullor me zjarr, i cili zhvillohet para Sirni Zagovezni. Urat që muzikantët e grupit ndërtojnë mes traditës dhe së resë, që nga krijimi i grupit në vitin 2009, u kanë sjellë atyre shumë admirues, të ndryshëm nga njëri-tjetri. Është e pamundur të mos dashurohesh me dashurinë dhe respektin me të cilët ata i qasen këngëve popullore, si edhe me energjinë me të cilën i mbushin interpretimet e tyre autentike dhe krijuese të melodive të njohura. Në krahasim me albumin e tyre të mëparshëm, Alter Ethno (në të cilin eksperimentojnë edhe me stile si afrobeat, jazz dhe muzikë ambient më të rëndë), STOPAN paraqet kompozime më të pjekura dhe më shumë-shtresore të formacionit, i cili ndërkohë ka kaluar edhe nëpër ndryshime në përbërjen e tij.

Formacioni etno “Oratnica” me albumin e ri STOPAN dhe një koncert në Sofje

FOTO: Facebook /Oratnitza

Puna për mbledhjen e ideve për STOPAN filloi në vitin 2023. Një rol kryesor në përzgjedhjen e këngëve popullore bullgare, të cilat “Oratnica” i ripunon në mënyrë krijuese, ka këngëtarja Asja Pinçeva. Ajo shprehet:

Formacioni etno “Oratnica” me albumin e ri STOPAN dhe një koncert në Sofje

FOTO: Facebook /Oratnitza

“I zgjedhim nga vende nga më të ndryshmet. Unë, Diana dhe Nelina (tre këngëtaret e ‘Oratnica’) kemi mbaruar shkollat e folklorit në Kotel dhe Shiroka Llëka. Prej aty kemi një repertor mjaft të pasur nga rajone të ndryshme folklorike – natyrisht, në ‘Oratnica’ mbizotërojnë këngët e krahinës së Shopllukut; kjo është një karakteristikë e ruajtur e grupit që përpara se ne të bëheshim pjesë e tij. Për të zgjedhur këngët, duhet të na tërheqë mbi të gjitha melodia; edhe tekstet janë shumë të rëndësishme për ne – çfarë tregohet në vetë këngën, cila është simbolika e saj. Ndërsa kur fillojmë ta përpunojmë dhe të bëjmë aranzhimin, nuk ka absolutisht asnjë kufi deri ku mund të arrijë muzika.”

Nga dhjetë këngët e STOPAN, tetë janë këngë popullore bullgare; sipas traditës, ka edhe një remix dhe një këngë origjinale, të cilën Asja Pinçeva e përcakton si të krijuar spontanisht dhe eksperimentale. Të gjitha së bashku krijojnë një pamje të plotë, për mesazhin e së cilës Hristijan Georgiev (kavall, vokale) thotë:

Formacioni etno “Oratnica” me albumin e ri STOPAN dhe një koncert në Sofje

FOTO: Facebook /Oratnitza

“Ne jemi shumë të frymëzuar nga kjo ide, nga kjo besë për ‘stopanin’ – gjarprin mbrojtës. Nga ideja se në çdo shtëpi ka një gjarpër, një gjarpër të vjetër – një gjarpër që nuk është domosdoshmërisht në imazhin e tij negativ. Ne e morëm këtë mesazh dhe e sollëm në variantin e tij bashkëkohor – më tepër të përpiqemi të jemi kujdestarë të mirë sesa të duam të jemi pronarë, të zotërojmë. Të jesh ‘stopan’, ‘stopanin’, do të thotë të jesh kujdestar në gjithçka: edhe në marrëdhëniet me njerëzit, me natyrën, me mjedisin dhe me ata që na rrethojnë – me gjithçka që na rrethon.”

Kënga e albumit STOPAN – “Tënka Stana” – është ndër këngët e reja të “Oratnica” që do të interpretohen më 12 shtator nga skena e Vidas Art Arena në Sofje.

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski