HISTORI

Artikull

Muzeu Kombëtar Etnografik krenohet me historinë e tij 120-vjeçare

Në kuadër të jubileut të tij, muzeu tregon lidhjen midis së kaluarës dhe së tashmes dhe ofron hyrje “falas”

Dielë, 13 Shtator 2026, 09:00

Muzeu Kombëtar Etnografik krenohet me historinë e tij 120-vjeçare

FOTO: Muzeu Kombëtar Etnografik – BAN

Madhësia e shkronjave

Një udhëtim i vërtetë në kohë dhe hapësirë ofron Muzeu Kombëtar Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (BAN), dhe arsyeja është shënimi i 120-vjetorit të themelimit të tij në vitin 1906. Festimet zhvillohen nën moton “120 vjet – 120 minuta në Muzeun Kombëtar Etnografik”, ndërsa për vizitorët janë krijuar edhe më shumë mundësi për t’u njohur me traditat, zakonet dhe mënyrën e jetesës së bullgarëve nga periudha dhe rajone të ndryshme. Për të gjithë vizitorët, me rastin e jubileut, Muzeu Kombëtar Etnografik ofron hyrje falas çdo fundjavë (të shtunën dhe të dielën), nga ora 10:00 deri në 12:00, në sallat e muzeut që ndodhen në adresën “Knjaz Aleksandër I” nr. 1.

Muzeu Kombëtar Etnografik krenohet me historinë e tij 120-vjeçare

FOTO: BGNES

E gjithë historia 120-vjeçare e muzeut ka qenë mjaft dinamike gjatë viteve. Ndërtesa e tij ishte ndër ndërtesat e goditura më rëndë gjatë bombardimeve mbi Sofje. Pjesa më e madhe e koleksionit të tij u shkatërrua dhe u përmbyt. Megjithatë, një pjesë e tij u shpëtua. Në vitin 1953, muzeu u vendos në ndërtesën ku ndodhet edhe sot – ish-Pallatin Mbretëror.

“Dhe që atëherë e deri më sot, ne jemi këtu – këto janë tashmë 70 vjet në Pallat”, thotë në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë drejtoresha aktuale e Institutit të Etnologjisë dhe Folkloristikës me Muze Etnografik pranë BAN, doc. dr. Mila Maeva.

Doc. dr. Mila Maeva

Doc. dr. Mila Maeva

FOTO: BGNES

Përveç shëtitjes dhe njohjes me koleksionet e larmishme, Muzeu Kombëtar Etnografik (MEN) fton miqtë dhe admiruesit e tij në një seri aktivitetesh, ekspozitash dhe nismash të veçanta, kushtuar trashëgimisë së pasur kulturore dhe historike të Bullgarisë. Ndër pikat kryesore të programit është ekspozita e përkohshme “Të shpërngulesh në fshat”, si edhe ekspozita “Qielli me yje – mitologji dhe shkencë”, e cila është unike dhe organizohet për herë të parë në Bullgari. Për të tashmë ofrohet edhe një album dygjuhësh.


Ekspozita “Qielli me yje – mitologji dhe shkencë”

Ekspozita “Qielli me yje – mitologji dhe shkencë”

FOTO: BGNES

Ekspozita “Qielli me yje – mitologji dhe shkencë” paraqet studimet e etnografëve, etnologëve dhe folkloristëve, të lidhura me besimet mbi kozmosin dhe mënyrën se si ai përshtatet në folklorin tonë. “Kjo është një nga ekspozitat tona më të vizituara, një nga më tërheqëset. Ajo është e përshtatshme si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit”, thekson Mila Maeva.

Ekspozita për rikthimin nga qyteti në fshat, nga ana tjetër, tregon jo vetëm kulturën e përditshme dhe jetën e përditshme, por edhe ndryshimin në pikëpamjet dhe në mënyrën e jetesës së njerëzve. Ajo trajton një problem mbarënjerëzor që lidhet me zgjedhjen e njerëzve të cilët vendosin të shpërngulen nga qyteti dhe të jetojnë sot në vendbanime të vogla, si dhe me mënyrën se si vendi e ndryshon njeriun dhe zakonet e tij.

Ekspozita fotografike “Të shpërngulesh në fshat”

Ekspozita fotografike “Të shpërngulesh në fshat”

FOTO: BGNES

E tillë është edhe ideja që lidhet me shënimin e 120-vjetorit e themelimit të Muzeut Kombëtar Etnografik – e gjithë trashëgimia kulturore të paraqitet për publikun e gjerë në një mënyrë të kuptueshme, interesante dhe interaktive. “Sepse kur flasim për kulturën dhe për muzetë etnografikë, shpesh në to kuptojmë kryesisht stoli, qeramikë, arkitekturë, por në fakt etnografia është shumë më tepër. Ajo lidhet me njeriun, me komunitetet dhe me kulturën. Pikërisht kultura është ajo që mbart këtë lidhje midis së kaluarës dhe së tashmes së popullit tonë”, thotë doc. dr. Mila Maeva.

Muzeu Kombëtar Etnografik krenohet me historinë e tij 120-vjeçare

FOTO: BGNES

Një nga muzetë më të vjetër në vend, që nga themelimi i tij, i është kushtuar kulturës tradicionale të bullgarëve, ose komuniteteve që jetojnë në Bullgari. “Dhe gjatë viteve është interesante se si muzeu e ndryshon fokusin e tij dhe, falë shumë viteve punë të studiuesve, artistëve dhe punonjësve të muzeut, kemi mbledhur koleksionin më të pasur në Bullgari”, thotë Mila Maeva:

Muzeu Kombëtar Etnografik krenohet me historinë e tij 120-vjeçare

FOTO: Muzeu Kombëtar Etnografik – BAN

“Planifikojmë që në muajt e ardhshëm ta pasurojmë ndjeshëm programin tonë jubilar dhe të kemi pothuajse çdo ditë diçka që i kushtohet përvjetorit. Dhe ndoshta këtu është momenti të themi se, përveç aktiviteteve, planifikojmë edhe diçka që do të vazhdojë dhe do të kalojë në vitin e ardhshëm, dhe kjo do t’i kushtohet 120 viteve të ardhshme të Muzeut Kombëtar Etnografik. Përpiqemi të tërheqim një audiencë të ndryshme – si fëmijë, nxënës, ashtu edhe të rinj, studentë, njerëz që deri tani nuk e kanë vizituar muzeun tonë. Duam ta bëjmë atë më të njohur, më të dukshëm. Puna me publikun tregon se, pavarësisht faktit që Muzeu Kombëtar Etnografik ndodhet në trotuaret e verdha – në vetë qendrën e Sofjes – për një pjesë të banorëve dhe për turistët, ne nuk jemi një vend që ata e kanë vizituar. Prandaj qëllimi ynë nuk është vetëm të paraqesim koleksionin tonë të pasur, nuk është vetëm të organizojmë aktivitete të ndryshme, por edhe të bëjmë diçka më shumë, të hapim sallat si një vend për komunikim dhe ndërveprim me trashëgiminë kulturore. Dhe ajo nuk është aspak e vogël.”

Kështu deklaroi në përfundim drejtoresha e Muzeut Kombëtar Etnografik.

Muzeu Kombëtar Etnografik krenohet me historinë e tij 120-vjeçare

FOTO: BTA

Doc. Mila Maeva me një qilim nga koleksioni i Jakob van Bejlenit në Muzeun Kombëtar Etnografik

Doc. Mila Maeva me një qilim nga koleksioni i Jakob van Bejlenit në Muzeun Kombëtar Etnografik

FOTO: Gergana Mançeva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski