Premte, 11 Shtator 2026, 07:05

“Shija e kohës” – zëri bullgar i rokut

FOTO: Ballkanton

Madhësia e shkronjave

Që nga shfaqja e tij në vitet ’50 të shekullit të kaluar, roku ka qenë zëri i rinisë, i protestës dhe i dëshirës për liri. Ai mbart energjinë e rinisë dhe të drejtën për të bërë pyetje të pakëndshme mbi problemet e mëdha të epokës. Në mbarë botën, roku ngjall mendimet dhe emocionet e shumë njerëzve inteligjentë dhe të ndjeshëm dhe shndërrohet në një reagim ndaj rendit të vendosur – i zhurmshëm dhe rebel, poetik apo lirik, por gjithmonë origjinal.

Në Bullgari, sinonim i muzikës rok është grupi “Shturcite”  – një formacion legjendar që ka fituar statusin e një simboli të frymës klasike rebele në kulturën tonë popullore. I krijuar në vitin 1967 nga Kirill Mariçkov, Petër Cankov, Petër Giuzelev dhe Veselin Kisjov, grupi u shfaq në një kohë kur kultura botërore e rokut tashmë ishte bërë gjuha e një brezi të tërë. Për të rinjtë bullgarë, roku ishte një dritare drejt një bote tjetër dhe një mënyrë ndryshe e të menduarit. Fillimisht, “Shturcite” ndoqën modelet botërore. Më vonë, ata pranuan se hapat e tyre të parë ishin të ndikuar nga imitimi i “The Beatles”. Grupi ishte unanim se duhej të kishte një bazë të qëndrueshme mbi të cilën të mbështetej dhe prej së cilës, me kalimin e kohës, të mund të lindte diçka origjinale. Sfida e vërtetë ishte krijimi i një gjuhe të tyre muzikore. Dhe “Shturcite” ia dolën – me përfshirjen e muzikantëve të ndryshëm gjatë viteve, grupi gradualisht e shndërroi estetikën botërore të rokut në një pjesë të kulturës bullgare.

“Shija e kohës” – zëri bullgar i rokut

FOTO: Facebook/ Volen Nikollaev

Në misionin e tyre për një muzikë rok bullgare, “Shturcite” besojnë pa kushte. Krijimtaria e tyre përdor gjuhën universale të këtij zhanri, por u flet bullgarëve në gjuhën bullgare. Në librin “Ambicia e quajtur rok bullgar”, Rumen Spasov e përkufizon rokun si një sintezë të veçantë midis muzikës, poezisë, folklorit bashkëkohor dhe teknologjive moderne. Sipas autorit, kudo në botë roku është një reagim ndaj pushtetarëve të kohës, ndërsa në vendet ku mungon demokracia e vërtetë, ky reagim shtypet me të gjitha mjetet dhe në mënyrë të pashmangshme merr një rëndësi të veçantë. Në këtë kuptim, “Shturcite” janë pjesë e një kulture që debaton dhe rebelohet. Në këngët e grupit, të krijuara në periudha të ndryshme, kristalizohet evolucioni i rokut bullgar. Autorët e teksteve janë të shumtë dhe të ndryshëm, por vetë tekstet mbartin një frymë dhe karakter të përbashkët. E gjithë kjo krijon një fenomen bullgar, i cili, edhe pse ngjan me modelet botërore, njëkohësisht dallon prej tyre.

“Shija e kohës” – zëri bullgar i rokut

FOTO: shturcite.github.io

Një nga krijimet e tyre më të spikatura – “Shija e kohës” – prej më shumë se katër dekadash është një pikë referimi në kulturën bashkëkohore bullgare. Muzika dhe aranzhimi janë të Kirill Mariçkovit, ndërsa teksti është shkruar nga një poet i cilësuar si “i ashpër dhe i pakompromis”.

“Shija e kohës” – zëri bullgar i rokut

FOTO: shturcite.github.io

Volen Nikollaev (9 shtator 1954 – 15 mars 2011) është autor i më shumë se 600 teksteve poetike. Ato janë kënduar nga yje si Lili Ivanova dhe Vasill Najdenov, por në historinë e muzikës Nikollaev mbetet si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të grupit “Shturcite”. Mbi vargjet e tij janë krijuar hite të grupit si “Shekulli XX”, “Zhulieta”, “Lamtumirë”, “Shkalla”, “Hamleti”… “Përsëri kërkojmë shijen e kohës” – personazhet nxitojnë, ndjekin suksesin, veshin “rroba të reja”, përpiqen ta ndalojnë jetën me dorë si tabela “stop”… por cili është çmimi? Teksti i Volen Nikollaevit është një bisedë për një brez, për rritjen dhe për vlerën e viteve që kanë kaluar. “E kripur është shija e kohës”, e cila të merr shumë, por të jep mundësinë të zbulosh veten.

Me hite si “Shija e kohës”, “Shturcite” krijojnë një muzikë rok me identitetin e tyre, ku bashkëjetojnë kultura muzikore botërore, poezia bullgare dhe qëndrimi personal. Sot, “Shturcite” është shumë më tepër se emri i një prej grupeve më të njohura rok bullgare. Ai është dëshmi se një zhanër botëror mund të përshtatet dhe të zërë rrënjë në tokën bullgare, pa humbur energjinë e tij dhe pa mbetur thjesht një kopje.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello