Sofja e Vjetër – në qendër të vëmendjes së „Festivalit KvARTal“ të këtij viti

Mërkurë, 16 Shtator 2026, 07:00

Sofja e Vjetër – në qendër të vëmendjes së „Festivalit KvARTal“ të këtij viti

FOTO: Kvartal Festival

Madhësia e shkronjave

Në vitin 2016, në qendër të Sofjes, në rrugicat e vogla përreth xhamisë, Tregjeve Qendrore dhe Banjës Qendrore, të cilat të befasojnë me ndërtesat e tyre të jashtëzakonshme dhe atmosferën e ruajtur të shekullit të kaluar, lindi një festival i ri. „Festivali KvARTal“ ishte një nga përpjekjet e para për t’i dhënë përgjigje pyetjes: „Pse nuk i kemi vënë re deri tani?“, duke i vendosur vetes si qëllim të tregojë potencialin kulturor dhe historik të zonës midis bulevardeve „Maria Luiza“, „Dondukov“, „Vasill Levski“ dhe „Slivnica“.

Sot, në vitin 2026, „Festivali KvARTal“ është një ngjarje e dashur dhe e shumëpritur, e cila zhvillohet së bashku me festën e kryeqytetit, më 17 shtator. Gjatë viteve të kaluara, ai u shndërrua në një gjenerator të vazhdueshëm idesh dhe projektesh, ndriçoi dhjetëra lokacione të fshehura, organizoi punëtori dhe ture arkitekturore në ndërtesa të vjetra të harruara dhe u bë pjesë e jetës së qytetit.

Programi i këtij viti – nga 18 deri më 20 shtator – përfshin mbi 60 lokacione: galeri, studio, hapësira kulturore, vende për të ngrënë dhe për të shijuar shijet e Sofjes së Vjetër, zona këmbësorësh të festivalit, skena muzikore, instalacione, ekspozita, ture, zonë arkitekturore për fëmijë, punëtori dhe iniciativa të tjera, kushtuar historisë, arkitekturës dhe trashëgimisë kulturore. Për edicionin e njëmbëdhjetë bisedojmë me iniciatoren e festivalit, Martina Stefanova, e cila shpjegon:

Martina Stefanova

Martina Stefanova

FOTO: Joan Kolev

„Festivali ka për qëllim t’i ftojë mysafirët e kryeqytetit dhe banorët e Sofjes në qytetin e vjetër historik. Që ata të mund ta përjetojnë atë përmes shijeve, përmes historisë, përmes programeve të ndryshme edukative. Ky është një festival në të cilin ne e ndiejmë qytetin dhe e duam historinë tonë, sepse pa histori nuk ka të ardhme.“

Këtë vit, tema kryesore e festivalit është e ardhmja e qendrës historike të Sofjes dhe ruajtja e trashëgimisë së saj kulturore. Edhe para fillimit të festivalit, më 16 shtator, do të zhvillohet forumi „E ardhmja e qytetit të vjetër“. Në të do të marrin pjesë arkitektë, ekspertë dhe profesionistë në fushën e trashëgimisë kulturore. Janë ftuar përfaqësues të të gjitha institucioneve në këtë fushë, për të diskutuar tema që lidhen me arkitekturën e shekullit XX, arkeologjinë, trashëgiminë minerale dhe termale dhe banjat minerale të Sofjes, të ardhmen e muzeve dhe veprimtarinë muzeale.

Sofja e Vjetër – në qendër të vëmendjes së „Festivalit KvARTal“ të këtij viti

FOTO: Martina Stefanova

„Është e rëndësishme që këtë vit do të shpallim dy iniciativa të reja – shton Martina Stefanova. – E para është „Adopto një ndërtesë“, të cilën do t’ua prezantojmë kompanive dhe qytetarëve aktivë që duan të dhurojnë për restaurimin e një ndërtese historike. E dini, është e vështirë të restaurohen, programet për mbështetje janë të pakta. Nisma tjetër e rëndësishme është „Karta e lagjes“. Kjo do të jetë një kartë që do të jetë e pranishme në të gjitha lokacionet në lagjen e Sofjes së Vjetër. Çdokush do të mund ta nënshkruajë – si online, ashtu edhe drejtpërdrejt. Qëllimi është t’u kërkojmë institucioneve ta ruajnë zonën ashtu siç e shohim dhe ta rikthejnë ashtu siç ka qenë.“

Sofja e Vjetër – në qendër të vëmendjes së „Festivalit KvARTal“ të këtij viti

FOTO: Amfiteatri i Serdikës

Sofja e Vjetër – në qendër të vëmendjes së „Festivalit KvARTal“ të këtij viti

FOTO: Kvartal Festival

Një nga ngjarjet në kuadër të festivalit na kthen gjithashtu në fillimin e shekullit XX, kur në Sofje u krijua fabrika e parë e çokollatës në Gadishullin Ballkanik. Ajo ishte vepër e industrialistit Velizar Peev, ndërsa gjatë tri ditëve të festivalit ndërtesa e saj në rrugën „George Washington“ nr. 12 do të jetë një nga skenat që do t’u ofrojnë vizitorëve përvoja interesante:

Sofja e Vjetër – në qendër të vëmendjes së „Festivalit KvARTal“ të këtij viti

FOTO: Kvartal Festival

„Në të gjithë hapësirën e madhe të fabrikës, në katet e ndryshme dhe në oborr, do të prezantojmë mobilje të vjetra – disa prej të cilave tashmë janë restauruar, ndërsa të tjera janë të tilla që ende mund të restaurohen dhe të gjejnë përsëri një pronar. Do të organizojmë një ekspozitë mes së kaluarës dhe së ardhmes – me mobilje nga e kaluara dhe vepra të autorëve bashkëkohorë, art bashkëkohor, skulptura dhe instalacione. Në këtë mënyrë do të prezantojmë një mjedis tjetër, në të cilin do ta sjellim këtë histori. Do të kemi gjithashtu një program muzikor me pllaka gramafoni, një leksion për mobiljet e vjetra dhe stilet e mobiljeve dhe të arkitekturës gjatë periudhës së art nouveau-së, secesionit dhe më vonë modernizmit. Do të jetë një program treditor shumë interesant, të cilin mund ta ndiqni edhe në kanalet tona sociale.“

Sofja e Vjetër – në qendër të vëmendjes së „Festivalit KvARTal“ të këtij viti

FOTO: Kvartal Festival

„E kaluara në kohën e ardhshme“ – ndoshta kështu duhet ta përcaktojmë përmbajtjen e „Festivalit KvARTal“, duke besuar se kauza e tij për ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj pjese të kryeqytetit do të realizohet para syve tanë. Ndërkohë, mund ta mbështesim këtë përpjekje ose thjesht të bëhemi pjesë, në një mënyrë apo në një tjetër, e programit të larmishëm dhe të pasur të përgatitur nga organizatorët e tij.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski