SHOQËRI

Seksion

Shkollimi i së dielës në Mynih bashkon dhe forcon komunitetin bullgar

Hënë, 14 Shtator 2026, 06:10

Shkollimi i së dielës në Mynih bashkon dhe forcon komunitetin bullgar

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës „Dora Gabe“ në Mynih

Madhësia e shkronjave

Mbi 14 500 është numri i bullgarëve që kanë zgjedhur të jetojnë dhe të punojnë në qytetin gjerman të Mynihut. Të dhënat janë të shërbimit statistikor të qytetit dhe u publikuan vitin e kaluar nga zëvendëskryetarja e bashkisë, Verena Ditel, e cila deklaroi se banorët me origjinë bullgare janë një pjesë e natyrshme dhe e rëndësishme e jetës kulturore dhe shoqërore të kryeqytetit të Bavarisë. Një qendër e natyrshme tërheqëse për komunitetin bullgar në qytet janë dy shkollat e së dielës, ku mësojnë mbi 300 fëmijë të bashkatdhetarëve që jetojnë në Gjermani. Të dyja shkollat atje – „Paisij Hilendarski“ dhe „Dora Gabe“ në Mynih – pranojnë fëmijë nga mosha parashkollore deri në klasën e 12-të. Të gjithë nxënësit mësojnë në grupe dhe klasa shkollore, në përputhje me kërkesat e miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Bullgarisë. Nxënësit që e përfundojnë me sukses vitin shkollor marrin dëshmi për përfundimin e klasës dhe për zotërimin e gjuhës bullgare, letërsisë, historisë dhe gjeografisë së Bullgarisë, sipas numrit përkatës të orëve mësimore. Me këtë dokument nuk kërkohet më provim plotësues për lëndën përkatëse, në rast se të rinjtë dëshirojnë të vazhdojnë arsimin në Bullgari.

Shkollimi i së dielës në Mynih bashkon dhe forcon komunitetin bullgar

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës „Dora Gabe“ në Mynih

Shkolla jonë e së dielës „Dora Gabe“ në Bavari i ka vendosur vetes synime të qarta dhe prej 13 vitesh përmbush misionin e saj – të hapë më shumë dyer drejt dijes, aftësive dhe kontakteve për fëmijët me origjinë bullgare. Duke nisur me vetëm 10 fëmijë në vitin 2023, sot numri i fëmijëve të bullgarëve, nga mosha 3 deri në 18 vjeç, që ndjekin këtë shkollë ka kaluar 210.

Shkollimi i së dielës në Mynih bashkon dhe forcon komunitetin bullgar

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës „Dora Gabe“ në Mynih

Në fakt, shkolla është shndërruar në një platformë të mirë për takime dhe krijimin e kontakteve edhe mes vetë prindërve, të cilët gjithashtu kërkojnë të lidhen me të tjerë si ata, që kanë ardhur të jetojnë në zemër të Gjermanisë. „Po të kishim qëndruar në Bullgari, me siguri nuk do të ishim njohur me kaq shumë bullgarë nga i gjithë vendi, siç po ndodh tani këtu, në Mynih“ – tregon në një intervistë për Radio Bullgarinë Elena Atanasova, e cila prej 25 vitesh jeton në Gjermani dhe aktualisht është pjesë e këshillit drejtues të shkollës „Dora Gabe“ në Mynih:

Shkollimi i së dielës në Mynih bashkon dhe forcon komunitetin bullgar

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës „Dora Gabe“ në Mynih

„Ne, e gjithë shkolla, e quajmë veten një ‘familje e madhe dhe e ndritur’, sepse të gjithë punojmë së bashku për këtë shkollë. Kemi një ekip, pra jemi kolegë në këshillin drejtues, kemi drejtorin tonë dhe rreth 30 mësues e pedagogë që zhvillojnë edhe veprimtari jashtëshkollore. Kemi një këshill prindërish, i cili na ndihmon jashtëzakonisht shumë. Punojmë edhe me shumë vullnetarë, të cilët na ndihmojnë në çdo drejtim – në organizimin e festave dhe aktiviteteve. Kështu, me forcat tona të përbashkëta, ia dalim. Por, të jem e sinqertë, nuk është e lehtë t’i motivojmë fëmijët dhe për këtë arsye kërkojmë gjithnjë e më shumë mundësi për t’i mbajtur ata në shkollë. Ndër gjërat tërheqëse është organizimi i festave, ftesa në kampe verore, organizimi i një dite sportive etj. Aktivitete të tilla i bashkojnë fëmijët dhe i ndihmojnë të njihen dhe të krijojnë gjithnjë e më shumë miqësi me njëri-tjetrin.“

Shkollimi i së dielës në Mynih bashkon dhe forcon komunitetin bullgar

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës „Dora Gabe“ në Mynih

Elena është nënë e dy fëmijëve. Ata kanë lindur në Gjermani dhe, rrjedhimisht, janë nxënës në shkolla gjermane, por flasin shumë mirë bullgarisht, ndjekin rregullisht shkollën e së dielës, ndërsa ajo përpiqet t’i edukojë në frymën e kulturës dhe traditave bullgare. Për Elena Atanasovën dhe bashkëshortin e saj, i cili është gjithashtu bullgar, gjëja më e rëndësishme është që fëmijët të njohin rrënjët e tyre, të jenë në gjendje të komunikojnë në gjuhën bullgare me gjyshet dhe gjyshërit, prindërit dhe të afërmit e tyre dhe të mos e humbasin kurrë lidhjen me Bullgarinë. „Kush nuk i njeh rrënjët e veta, nuk ka si ta njohë as veten“ – na tha më tej e reja nga Mynihu.

Shkollimi i së dielës në Mynih bashkon dhe forcon komunitetin bullgar

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës „Dora Gabe“ në Mynih

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello