Autor
Cvetana Tonçeva
Lajm
“Nani mi, nani, Damjanço” dhe dhuntia e madhe poetike e Ljubomir Pipkovit
Premte 18 Shtator 2026 07:00
Premte, 18 Shtator 2026, 07:00
FOTO: arkivi i Operës së Sofjes
Madhësia e shkronjave
Një nga kompozitorët tanë më të mëdhenj, me një kontribut të padiskutueshëm jo vetëm në muzikën bullgare, por edhe në atë evropiane të shekullit XX, Ljubomir Pipkov, është i njohur për talentin e tij të jashtëzakonshëm në shndërrimin artistik të fjalës. Në shkollën bullgare të kompozicionit nuk ka një personalitet, kultura, stili letrar dhe dhuntia poetike e të cilit të krahasohen me të tijat.
Pipkov i qaset fjalës si muzikant, por edhe si një njeri thellësisht i lidhur me poezinë. Në një pjesë të madhe të veprave të tij, veçanërisht në këngët, studiuesit zbulojnë mënyra të ndryshme me të cilat ai i ka interpretuar fjalët dhe ka ndërtuar lidhjen midis tyre dhe dramaturgjisë muzikore.
Vetë Pipkovi e konsideronte këngën korale si një nga zhanret kryesore të krijimtarisë së tij. Ndër kryeveprat e tij janë vepra si “Në arë”, “Era e pranverës”, “Flutura e verdhë”, “Misri i hershëm”, si dhe ciklet “Katër madrigale” dhe “Këngë të përmbajtura”, të cilat edhe sot përbëjnë një pjesë të rëndësishme të repertorit të koreve bullgare.
Një vend të veçantë ndër këto simbole të artit tonë koral zë “Nani mi, nani, Damjanço”, e shkruar në vitin 1948 për kor të përzier mbi një tekst popullor.
FOTO: 1001kartini.com
Mënyra se si kjo këngë ndërthur drejtpërdrejtësinë e folklorit gojor bullgar me mprehtësinë profesionale të kompozitorit është vërtet e jashtëzakonshme. Figura qendrore, nëna që vë në gjumë fëmijën e saj ndërsa është e detyruar të punojë pa pushim në arë, është thellësisht prekëse.
Butësia, lodhja, shqetësimi dhe dhimbja tingëllojnë në përkëdheljen e nënës, të shoqëruara nga realiteti i punës së rëndë. Kjo është një ninullë njëkohësisht intime dhe shoqërore, e rrëfyer pa asnjë grimcë patetizmi, me natyrshmërinë dhe thjeshtësinë karakteristike të krijimtarisë popullore bullgare.
FOTO: arkiv
Për Ljubomir Pipkovin, folklori nuk ishte thjesht një shenjë e jashtme kombëtare, por një themel i thellë i mendimit të tij muzikor. Siç thekson një nga studiuesit më të njohur të kompozitorit, prof. Ivan Hlebarov: “Pipkovi është kombëtar jo përmes tematikës, por përmes mënyrës së tij të të parit të botës... Dhe duke u mbështetur te folklori, ai formon brenda vetes një harmoni të vetëdijes, e cila mbetet tipari themelor i perceptimit të tij ndaj botës gjatë gjithë rrugëtimit krijues.”
Një shembull i shkëlqyer i këtij botëkuptimi është “Nani mi, nani, Damjanço” (“Fli, fli, Damjanço”) - një këngë në të cilën nuk ka asnjë melodi popullore të cituar drejtpërsëdrejti, por prania e frymës bullgare është e padiskutueshme. Ajo gjendet në intonacionin, në mënyrën e trajtimit të fjalës, në ritmin e frazës muzikore dhe, mbi të gjitha, në mënyrën se si është përfytyruar kjo figurë prekëse: zëri i nënës, afërsia me fëmijën, pesha e jetës së përditshme dhe ajo këmbëngulje e qetë njerëzore që i lejon butësisë të mbijetojë edhe në rrethanat më të vështira.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva