Dizajneri Ivan Donev ndërthur histori njerëzore në fustanin më të madh bullgar

Dielë, 20 Shtator 2026, 10:00

Dizajneri Ivan Donev ndërthur histori njerëzore në fustanin më të madh bullgar

FOTO: Arkivi personal i Ivan Donev

Madhësia e shkronjave

Në Ditën e Bashkimit – 6 shtator, skena e lashtë e Teatrit Antik në Pllovdiv u shndërrua në një urë midis brezave, e mbuluar me krijimin më delikat të duarve të grave – dantellën. Fustani më i madh bullgar, i qepur nga katrorë të punuar me dorë, të ardhur nga 194 vendbanime në Bullgari dhe nga komunitetet bullgare në mbarë botën, u bë protagonisti kryesor i një koncerti-spektakël me një tablo muzikore dhe vizuale të krijuar nga orkestra e Operës së Pllovdivit, Kori Akademik Popullor, kuarteti VAYA dhe projekti 3D mapping i Petko Tançev. Në këtë përjetim skenik përtej kohës, publiku u nis në një udhëtim nga Kozmosi drejt planetit Tokë, duke u zhytur në një histori për kujtesën, vazhdimësinë dhe shpirtin e pathyeshëm.

Ideja për projektin “Fustani më i madh bullgar” – një instalacion artistik i krijuar nga mijëra katrorë – lindi rreth dy vjet më parë. Në themel të tij qëndron fituesi i “Oskarit” të modës dhe i çmimeve të tjera bullgare dhe ndërkombëtare – dizajneri Ivan Donev, i cili bëri thirrje për dhurime të punimeve të thurura me dorë, të ruajtura për dekada të tëra në familjet bullgare.

Dizajneri Ivan Donev ndërthur histori njerëzore në fustanin më të madh bullgar

FOTO: Arkivi personal i Ivan Donev

“Qëllimi ishte të krijonim një fustan bullgar, por jo një kostum tradicional, dhe ai të realizohej përmes një zeje bullgare – thurjes së dantellës së Kaloferit. Në vend që thesaret, të thurura nga duart e arta të nënave dhe gjysheve tona, të mblidhnin pluhur në qeska me naftalinë, vendosëm t’u jepnim jetë, t’ua tregonim brezave të rinj dhe t’i nxirrnim sërish në dritë dhe para syve të njerëzve, në mënyrë që të mund t’i shijonim në formën e një fustani të madh bullgar. Ky fustan do të vazhdojë të rritet dhe të gjithë njerëzit që dëshirojnë të dërgojnë materiale mund të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Ai do të rritet çdo vit dhe në çdo kohë”, tregon Ivan Donev për Radio Pllovdiv të BNR-së.

Në realizimin e fustanit marrin pjesë qindra vullnetarë. Të bashkuar nga motoja “E gjithë Bullgaria në një fustan”, ata krijojnë panelet e veshjes me kujdes dhe përkushtim. Fustani peshon 215 kg dhe shtrihet në një sipërfaqe prej afërsisht 300 m². “Por pas këtyre shifrave nuk qëndrojnë thjesht përmasat dhe rekordi, por 513 histori njerëzore. Qindra duar dhe mijëra orë pune. Kujtime të përcjella nga nëna te vajza dhe nga gjyshja te mbesa”, thekson dizajneri.

Dizajneri Ivan Donev ndërthur histori njerëzore në fustanin më të madh bullgar

FOTO: Arkivi personal i Ivan Donev

Sipas Ivan Donevit, çdo katror i thurur përfaqëson një fragment të vogël të shpirtit bullgar dhe, kur bashkohen, ato shndërrohen në një tërësi – në një simbol të Bullgarisë, të krijuar nga gruaja bullgare, në një fije të bardhë që bashkon brezat. Prandaj edhe ai i kushton nderim çdo gruaje e cila, në vetminë e shtëpisë, ka ndërthurur një pjesë të fatit të saj, por edhe gjurmët e kohës së saj.

Dizajneri Ivan Donev ndërthur histori njerëzore në fustanin më të madh bullgar

FOTO: BNT

“Një pjesë e madhe e këtyre grave nuk janë më mes nesh, prandaj vendosa që t’i ndriçonim emrat e absolutisht të gjithave me dritë dhe yje, si mënyra më e denjë për t’i bërë nder kujtesës, punës dhe amanetit të tyre”, thotë më tej Ivan Donev. Kështu, nën tinguj patetikë dhe shkëlqime të arta të Amfiteatrit të Pllovdivit, nga anonimiteti dalin në pah bashkëautore të fustanit më të madh bullgar, i cili, me bukurinë dhe mesazhet e tij të koduara, sapo ka nisur të përshkojë botën.



Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski