Lajm
Festivali “Teatri emocionohet” në Varna sjell shfaqje të suksesshme
Dielë 20 Shtator 2026 08:00
Dielë, 20 Shtator 2026, 08:00
FOTO: Teatri Dramatik “Stojan Bëçvarov”
Madhësia e shkronjave
Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Detit të Zi, i organizuar nga Teatri Dramatik “Stojan Bëçvarov” në Varna, do të zhvillohet nga 23 deri më 28 shtator dhe do të ofrojë një përzgjedhje shfaqjesh bullgare dhe të huaja në programin kryesor, ndërsa programi shoqërues do të përfshijë punëtori, ekspozita, prezantime librash dhe diskutime tematike.
Festivali “Teatri emocionohet” synon të prezantojë tituj bashkëkohorë nga trupa teatrore të Bullgarisë dhe Evropës. Gjashtë shfaqje bullgare dhe katër të huaja përbëjnë programin për vitin 2026. Hapja më 23 shtator do të bëhet me premierën e shfaqjes më të re të Teatrit Dramatik të Varnës, “Dëshmitari i akuzës”, bazuar në tregimin me të njëjtin emër të Agatha Christie, me regjisor Stojan Radev. Më pas do të shfaqet shfaqja e suksesshme “Drakula” e Teatrit të Bllagoevgradit, klasiku i Shekspirit “Ëndrra e një nate vere” nga Teatri i të Rinjve, monodrama e Hristo Mutafçiev “O Zot, çfarë bëra”, e vënë në skenë në Teatrin Kombëtar, si dhe “Një muaj në fshat” nga Turgenev, e Teatrit Dramatik të Ruses. Ivan Jurukov do të prezantojë performancën teatrore-muzikore “Pjesë e koleksionit”, bazuar në tekste të Dimitër Voevit.
Gábor Tompa
FOTO: union-theatres-europe.eu
Pjesëmarrja ndërkombëtare më tërheqëse është ajo e regjisorit me famë botërore Gábor Tompa dhe trupës së Teatrit Kombëtar Hungarez në Kluzh-Napoka të Rumanisë, e cila do të prezantohet në Varna me klasikun e Eugène Ionesco-s “Mbreti vdes”. Teatri i Varaždinit nga Kroacia merr pjesë me shfaqjen “Në pritje të Orestit”, bazuar në motive nga “Elektra” e Sofokliut. Turqia përfaqësohet nga Teatri i Bursës me shfaqjen “Trupa e ëndërrimtarëve migrantë”, ndërsa formacioni italian AriaTeatro vjen me shfaqjen “Rita”, me regji të Alberto Giusta. Programi shoqërues përfshin një klasë aktrimi nga regjisori dhe pedagogu i njohur Pico Berkowitch, i cili punon sipas metodës së Sanford Meisner.Punëtori për dramaturgji dhe skenografi do të drejtojnë Tea Denoljubova dhe Boris Dallçev.
Përpiloi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski