Violinistja e orkestrës së BNR-së shpall grevë urie për shkak të pagave të ulëta

Enjte, 17 Shtator 2026, 19:05

Violinistja e orkestrës së BNR-së shpall grevë urie për shkak të pagave të ulëta

FOTO: arkiva personale

Madhësia e shkronjave

Violinistja Iva Xhaxheva, soliste-orkestruese në Orkestrën Simfonike të Radios Kombëtare Bullgare (BNR), njoftoi sot synimin e saj për të nisur një grevë urie më 28 shtator, në lidhje me protestat e vazhdueshme të muzikantëve të formacioneve të radios për shkak të pagave të ulëta.

“Pas një viti e gjysmë agonie, thjesht po ndërmarr masën e fundit, duke shpallur grevë urie, sepse orkestra jonë po shpërbëhet dhe ne thjesht nuk kemi më zgjidhje të tjera. Jemi të mbushur me dëshpërim. Kërkojmë të na kushtohet vëmendje”, tha muzikantja.

Ajo i bëri të ditura motivet e saj në një letër drejtuar presidentes së Republikës së Bullgarisë, Ilijana Jotova, kryeministrit Rumen Radev dhe ministrit të Kulturës, Evtim Milloshev, si dhe kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për Kulturën dhe Mediat në Kuvendin Popullor, raportoi BNR Horizont.

Orkestra Simfonike e Radios Kombëtare Bullgare u krijua në vitin 1948. Ajo ka dhënë koncerte në një sërë shtetesh, ndërsa solistë dhe dirigjentë të ftuar të Orkestrës Simfonike të BNR-së kanë qenë një numër i madh interpretuesish bullgarë dhe të huaj me famë botërore.

Më 6 mars, formacionet muzikore të BNR-së njoftuan ndërprerjen paralajmëruese të veprimtarisë së tyre koncertale në shenjë proteste. Asokohe, ministri në detyrë i Kulturës, Najden Todorov, u angazhua për të kërkuar mënyra që orkestrat të përfshiheshin në institucionet kulturore, me qëllim sigurimin e financimit shtesë.

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello