Seksion
125 vjet nga lindja e Ivan Tabakov – klasiku i harruar i pikturës bullgare
“Artisti e pikturon me mjeshtëri dritën, gjë që i bën figurat më të gjalla”, thotë Hristo Bozhkov, kurator në Galerinë e Arteve të Vracës.
Shtunë 19 Shtator 2026 09:05
Shtunë, 19 Shtator 2026, 09:05
Ivan Tabakov (autoportret)
FOTO: artzona.bg
Madhësia e shkronjave
Më 18 shtator 1901, në Sofje lindi Ivan Tabakov – një nga piktorët e mëdhenj bullgarë, ndjeshmëria e hollë e të cilit dhe aftësia për të rikrijuar botën vizuale me një stil individual që nga fëmijëria e hershme u ushqyen nën ndikimin e artit klasik. Kështu, ndërthurja e ndjeshmërisë artistike dhe kulturës muzikore formësoi perceptimin e tij për ngjyrën, dritën dhe figurën njerëzore.
FOTO: galleryloran.com
Që në fëmijëri, Ivan Tabakov shfaqi interes për violinën, ndërsa motra e tij, Cvetana Tabakova, një ditë do të renditej ndër këngëtaret e njohura bullgare të operës. Pavarësisht mjedisit muzikor familjar, ai gradualisht zbuloi thirrjen e tij të vërtetë në pikturë. Në Akademinë e Arteve në Sofje studioi nën drejtimin e artistëve të mëdhenj, profesorëve Nikolla Danushev dhe Nikolla Marinov, pas së cilës u nis për në Paris.
Hristo Bozhkov
FOTO: Muzeu Historik Rajonal i Vracës
“Ai qëndroi në kryeqytetin francez deri në vitin 1932, ku u arsimua dhe ekspozoi në mënyrë aktive veprat e tij – tregon Hristo Bozhkov, kurator në Galerinë e Arteve ‘Ivan Funev’ në Vraca. – Me portretet e tij të njohura të grave të viteve 1930 dhe 1931 mori pjesë në Sallonin e Vjeshtës, ndërsa një vit më vonë ekspozoi pikturat e tij edhe në Sallonin e Artistëve të Pavarur. Pas kthimit në atdhe, filloi të pikturonte peizazhe detare, ndoshta i ndikuar nga miqësia me marinatët e njohur Aleksandër Mutafov dhe Mario Zhekov. Në vitin 1933 hapi ekspozitën e tij të parë personale në atdhe, kryesisht me piktura nga periudha e tij pariziane, por ekspozoi gjithashtu portrete dhe vepra me skena nga jeta rurale. Përveçse rikrijoi shumë subjekte të frymëzuara nga vendlindja, artisti udhëtoi në të gjithë botën dhe veprat e tij u pritën mirë. Në Bienalen e Venecias në vitin 1942 mori pjesë me portretin e shkrimtarit Georgi Rajçev dhe tërhoqi vëmendjen e shtypit italian. Akademia e Arteve e Milanos, nga ana tjetër, e shpalli anëtar nderi.”
FOTO: galleryloran.com
Galeria e Arteve e Vracës zotëron 12 vepra të Ivan Tabakovit. Këtu ndodhen “Mëngjes në Senë”, me dritën e fortë mbi lumë, dhe “Varka për riparim”, e frymëzuar nga marinatët bullgarë, si dhe pamjet e katedraleve “Saint-Séverin” dhe “Sainte-Geneviève”, portreti i madh i primadonës së operës CvetanaTabakova dhe “Gruaja ime”, peizazhi “Vjeshtë” me qasje impresioniste…
FOTO: galleryloran.com
“Ivan Tabakov la një gjurmë të qëndrueshme kryesisht si portretist dhe peizazhist, por historianët e artit e rendisin edhe ndër artistët që u ndikuan fuqishëm nga impresionizmi – shton kuratori i galerisë. – Në Académie Julian të Parisit, profesorët e tij Albert Besnard dhe Marcel Baschet e nxitën të njihej me shkollën e lartë akademike të Kontinentit të Vjetër, ku ai rizbuloi interesin e tij për portretin, peizazhin dhe natyrën e qetë. Baschet ishte një nga portretistët kryesorë të kohës së tij, ndërsa Besnard ishte një ndjekës i zjarrtë i impresionizmit. Ivan Tabakov e pikturonte me mjeshtëri dritën, gjë që i bënte figurat më të gjalla, ndaj ai mori diçka edhe nga Albert Besnard. Për këtë arsye, ai është një figurë interesante, e arsimuar në akademi prestigjioze evropiane, por edhe në akademinë bullgare, e cila hodhi bazat e formimit të tij akademik.”
FOTO: galleryloran.com
Rruga jetësore e artistit përfundoi në nëntor të vitit 1977. Gjatë gjithë jetës së tij ai punoi kryesisht si artist i pavarur dhe realizoi tridhjetë ekspozita personale. Krijoi stilin e tij, i dalluar për gjallëri dhe harmoni ngjyrash, me përdorim të guximshëm të dritës dhe vëllimeve.
“Për fat të keq, që gjatë jetës së tij mbeti padrejtësisht në hijen e emrave më të bujshëm të brezit të tij, ndërsa pas vdekjes emri i tij u mbulua nga harresa”, thekson historiani i artit Ljudmill Veselinov. Gjatë viteve të fundit, disa galeri janë përpjekur të nxjerrin nga harresa një prej klasikëve të pikturës bullgare.
FOTO: galleryloran.com
Teksti: Diana Cankova (bazuar në intervistën nga Sonja Valerieva për Radio Vidin të BNR-së)
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello