Hënë 21 Shtator 2026 18:17
Hënë, 21 Shtator 2026, 18:17
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Gjatë gërmimeve të sivjetshme, arkeologët bullgarë kanë gjetur dëshmi se në „Provadija-Kriporet“, qendra më e vjetër e njohur e prodhimit të kripës dhe një nga qendrat më të hershme urbane në Evropë, që ka ekzistuar nga viti 5600 deri në vitin 4350 p.e.s., prodhohej edhe birrë. Lajmin e bëri të ditur drejtuesi i gërmimeve, akademiku Vasill Nikollov, i cili u prezantoi gazetarëve gjetjet e zbuluara nga ekipi i tij gjatë gërmimeve të kësaj vere, raportoi Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA). Sipas Nikollovit, bëhet fjalë me shumë gjasë për dëshminë e parë të prodhimit të kësaj pijeje në trojet tona. Ai nuk përjashtoi mundësinë që zbulimi të përfaqësojë një nga dëshmitë më të hershme të prodhimit të birrës në Evropë.
Në studimin e këtij zbulimi ka marrë pjesë edhe botanistja Elena Marinova. Arkeologët gjetën një enë të ndarë në dy pjesë, brenda së cilës ndodheshin kallinj gruri einkorn me dy kokrra, të cilët kishin mbirë në një mënyrë që tregon procesin e prodhimit të maltit. Ena u gjet në një banesë që po studiohet nga arkeologët dhe e cila ishte djegur në një zjarr.
Deri më tani, mendohej se prodhimi i birrës kishte nisur gjatë Epokës së Bronzit në Azinë e Afërt dhe në Egjipt. Por tashmë kemi dëshmitë e para se në këtë zonë prodhohej birrë që rreth vitit 4500 p.e.s., tha Nikollov.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova