Mozaiku “Parajsa” nga Serdika – në fokus të ekspozitës së Katja Lekovës

Përmes tij, mjeshtrit tregojnë gëzimin e përjetimit të vlerave të krishtera në trojet tona

Enjte, 24 Shtator 2026, 07:00

Mozaiku “Parajsa” nga Serdika – në fokus të ekspozitës së Katja Lekovës

FOTO: Qendra Çeke në Sofje

Madhësia e shkronjave

Rreth 40 mozaikë antikë dhe paleokristianë paraqet docent Katja Lekova në ekspozitën e saj të radhës, të gjashtën me radhë, me piktura mbi xham. E gjithë rruga e saj profesionale ka kaluar si pedagoge e kimisë organike në Universitetin Jugperëndimor “Neofit Rilski”, por tani ajo i është përkushtuar pasionit të saj më të madh – kërkimit dhe përcjelljes mbi xham të të gjithë gamës së ngjyrave dhe formave të mozaikëve prej guri. Ajo ka vizituar shumë muze në mbarë botën, ka parë mozaikët e ekspozuar në muzetë e Siçilisë dhe të Romës dhe vetë thotë se në Bullgari kemi me çfarë të krenohemi dhe se pjesë e kësaj trashëgimie janë edhe mozaikët. Ato gjenden në Bazilikën e Vogël dhe në Bazilikën e Madhe në Plovdiv, ndërsa mozaikë të bukur janë zbuluar edhe në Vilën antike “Armira”, pranë Ivajllovgradit. Mozaikëve u është kushtuar edhe një muze i tërë në qytetin e Devnjës, të cilin autorja e pikturave e ka vizituar. E madhe është pasuria e mozaikëve të zbuluar gjatë gërmimeve në Serdikën e lashtë. Një prej shembujve paleokristianë, i datuar në shekujt II–III, tërheq veçanërisht vëmendjen e Katja Lekovës dhe ajo e rikrijon në mënyrë krijuese në ekspozitën e saj. Ky është mozaiku i titulluar “Parajsa” – një prej shembujve më të shquar të artit të mozaikut nga periudha e Antikitetit të Vonë. Mozaiku datohet në shekullin III dhe ndodhet në absidën e bazilikës “Shën Sofia” në kryeqytet. Sot vendi njihet si muzeu i nivelit arkeologjik të kishës “Shën Sofia”.

“Mozaiku antik ‘Parajsa’ nga Serdika

“Mozaiku antik ‘Parajsa’ nga Serdika

FOTO: Muzeu Historik Rajonal i Sofjes

Ai është punuar me tesera guri dhe smalti, ose me gurëza, të zgjedhura me finesë sipas formave dhe ngjyrave. Në qendër të kompozimit ndodhet një degë e madhe palme me dy pëllumba, ndërsa poshtë saj ka dy shporta me bimë, prej të cilave ushqehen edhe dy pëllumba të tjerë. Në të dyja anët e tyre, në mënyrë simetrike, janë vendosur dy qiparisa, të ndërthurur me degë hardhish. E gjithë kjo, sipas të krishterëve të hershëm, simbolizon parajsën me shpirtrat e besimtarëve, të paraqitur përmes pëllumbave.

Sot mozaiku prej guri “Parajsa” është pronë e Institutit Kombëtar të Arkeologjisë me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Ai është regjistruar në librin e inventarit më 13.03.1899. Është botuar nga prof. Bogdan Filov në veprën e tij “Kisha ‘Shën Sofia’ e Sofjes” në vitin 1913. Por kujt duhet t’i jemi mirënjohës për zbulimin dhe ruajtjen e kësaj gjetjeje të çmuar, pikërisht në vitet kur një shkencë si arkeologjia po zinte vend në shtetin e ri bullgar? Për personalitetin e jashtëzakonshëm të një shkencëtari çek, i cili e lidhi përgjithmonë emrin e tij me Sofjen dhe me Bullgarinë, na kujton docent Katja Lekova:

Katja Lekova

Katja Lekova

FOTO: katyalekova.com

“Mozaiku u zbulua në vitin 1893 nga arkeologu çek Vatslav Dobrushki (1858–1916). Më pas ai vazhdoi të kryente edhe gërmime të tjera nëpër Bullgari, por ajo që është interesante tek ai është se, pasi përfundoi Fakultetin Filozofik të Universitetit të Karlit në Pragë, pas Çlirimit erdhi në Bullgari. Fillimisht iu përkushtua veprimtarisë së mësimdhënies dhe për 10 vjet dha latinisht në gjimnazin e Pllovdivit, e më pas edhe në Sofje. Më vonë filloi të mbante leksione në Universitetin e Sofjes. Për 20 vjet dha mësim në disiplina të ndryshme – arkeologji antike, trakologji, numizmatikë. Ishte një njeri shumë erudit, i cili i ka dhënë shumë Bullgarisë. Ndërkohë, krahas veprimtarisë së tij mësimore, Vatslav Dobrushki mori pjesë në një sërë gërmimesh në të gjithë Bullgarinë. Diku mund të haset edhe si arkeolog bullgar me origjinë çeke. Por në fakt ai ishte çek, i cili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Bullgari. Fatkeqësisht, vdiq vetëm në moshën 58-vjeçare, por 30 vjet nga jeta e tij aktive ia kushtoi Bullgarisë. Ajo që gjithashtu dihet pak është se ai ishte drejtori i parë i të ashtuquajturit Muze Kombëtar, i cili më pas u shndërrua në Institutin Kombëtar të Arkeologjisë me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, ose, siç e njohim ne – Muzeun Arkeologjik në Sofje.

Mozaiku “Parajsa” nga Serdika – në fokus të ekspozitës së Katja Lekovës

FOTO: Qendra Çeke në Sofje

Vetë Vatslav Dobrushki e hapi muzeun në vitin 1905, në prani të princit Ferdinand, i cili mbajti një fjalim shumë prekës gjatë kësaj ngjarjeje. Ndërsa vetë arkeologu Vatslav Dobrushki iu drejtua princit bullgar me mirënjohje që kishte ndihmuar dhe mbështetur këtë vepër – krijimin e këtij muzeu – dhe bëri një lloj raporti të veçantë për punën e kryer deri në atë moment. Prandaj duhet të flitet shumë për këtë njeri, por sipas meje, ai njihet vetëm nga rrethet e arkeologëve, historianëve dhe filologëve të Universitetit të Sofjes. Në nëntor të vitit 2025, ata përkujtuan përvjetorin e vdekjes së tij dhe mbajtën referate; u organizua një forum i posaçëm shkencor kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Vatslav Dobrushkit, i cili gjithashtu bën pjesë në grupin e të ashtuquajturve ‘çekë të Bullgarisë’, të ardhur për të kontribuar në ndërtimin e Bullgarisë pas Çlirimit. Por, fatkeqësisht, qarqet akademike nuk e kanë bërë emrin e Dobrushkit më të njohur në mesin e bullgarëve.”

Mozaiku “Parajsa” nga Serdika – në fokus të ekspozitës së Katja Lekovës

FOTO: Gergana Mançeva

“Ja, shembuj të tillë duhet t’u jepen brezave të rinj. Të dinë se historia jonë është shumë e pasur, por ajo duhet të ruhet, duhet të bëhet e njohur dhe duhet të dihet” – shton në rrëfimin e saj për arkeologun çek Vatslav Dobrushki docent Katja Lekova. Pikërisht me idenë për t’i bërë mozaikët më të dukshëm dhe më të njohur, ajo fillon t’i pikturojë me hollësi mbi xham, duke përdorur bojëra të posaçme dhe një teknikë të qëndrueshme të zhvilluar prej saj.

Mozaiku “Parajsa” nga Serdika – në fokus të ekspozitës së Katja Lekovës

FOTO: Gergana Mançeva

Ekspozita e docent Katja Lekovës është e strukturuar në tri pjesë, ndërsa pjesa e fundit përmban edhe disa tablo që janë imazhe digjitale novatore. Qëllimi është që, përmes teknikës së imazhit tredimensional, të paraqiten disa mozaikë që janë shkatërruar dhe nuk mund të restaurohen, por për të cilët ekzistojnë të dhëna se si kanë qenë dhe ku janë gjetur. “Parajsa”, e zbuluar në nëndheshën e “Shën Sofisë”, është jashtëzakonisht e ruajtur mirë. Ajo është mozaiku i parë i ngritur, pra i zhvendosur, në Bullgari dhe çdokush mund ta shohë në Muzeun Kombëtar Arkeologjik, ku është ekspozuar, restauruar dhe ruajtur në formën e saj autentike. Mozaikë të tjerë të së njëjtës periudhë nuk janë në gjendje të mirë, prandaj restauruesit kanë preferuar të qëndrojnë aty ku janë zbuluar. Katja Lekova shton se këtu, në nëndhesën e “Shën Sofisë”, në vitin 2014, një ekip i madh shkencëtarësh, artistësh dhe restauruesish krijoi një kopje 3D të “Parajsës” dhe ajo tani mund të shihet edhe në vendin ku mozaiku u zbulua. “Mozaiku nuk quhet rastësisht ‘Parajsa’; në të është paraqitur dega e palmës – simboli i jetës së përjetshme për të krishterët” – shpjegon docent Katja Lekova:

Mozaiku “Parajsa” nga Serdika – në fokus të ekspozitës së Katja Lekovës

FOTO: katyalekova.com

“Ky mozaik ndryshon mjaft nga ata që ne njohim, sepse i përkasim rajonit të Mesdheut Perëndimor. Mozaiku është më i thjeshtë, më i pastër. Ai përqendrohet te përfytyrimi i të krishterëve të hershëm për botën qiellore. Prandaj paraqet dy pemë, ka hardhi që ndërthuren rreth pemëve dhe zogj. Dy prej zogjve pinë ujë nga ky enë e veçantë, në të cilën të lashtët pinin verë dhe ujë. Në këtë rast, në të është zhytur një degë palme. E gjithë kjo shpreh entuziazmin e të krishterëve të hershëm dhe mënyrën se si ata e përfytyronin botën qiellore. Ata ishin shumë të frymëzuar, sepse në atë kohë krishterimi tashmë ishte pranuar si fe. Sepse më parë krishterimi ishte i përndjekur dhe pothuajse konsiderohej herezi. Shumë viktima pati, shumë njerëz humbën jetën duke luftuar për përhapjen e fesë së krishterë. Pikërisht këtë paraqet mozaiku – fitoren e krishterimit dhe vendosjen e tij si një fe e rëndësishme.”

Mozaiku “Parajsa” nga Serdika – në fokus të ekspozitës së Katja Lekovës

FOTO: Gergana Mançeva

Këta mjeshtër të mozaikëve të lashtësisë mund të jenë vërtet gjenialë, po të shohim pasurinë që ka arritur të ruhet deri në ditët tona. Sipas docent Lekovës, mjeshtrit e lashtë dinin se si të arrinin përmasa, bukuri dhe qëndrueshmëri në vendosjen e gurëzave me ngjyra. Historia e mozaikëve është një fushë e tërë e shkencës dhe bëhet edhe më interesante kur njeriu thellohet në studimet rreth tyre, siç bën bashkëbiseduesja jonë e sotme. “Përmes tyre unë sikur e rishqyrtova jetën pikërisht përmes kësaj periudhe të artit të lashtë. Dhe fakti që edhe në Serdikë zbulojmë në kaq shumë vende mozaikë, të lënë fjalë për fjalë nën këmbët tona, duhet të na bëjë të ndihemi krenarë që jemi trashëgimtarë të një qyteti të banuar nga shumë njerëz të ngritur shpirtërisht, të cilët kishin një vizion për të ardhmen dhe kanë lënë testamentin e tyre përmes mozaikëve. Fakti që këtu kanë punuar disa prej mjeshtërve më të mirë dhe më të talentuar të mozaikëve është edhe një tjetër detaj i historisë, i cili vazhdon të frymëzojë edhe sot specialistë, studiues dhe dashamirës të historive të qytetit të lashtë.”


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski