Lajm
Java Evropiane e Sportit nxit një mënyrë jetese të shëndetshme
Mërkurë 23 Shtator 2026 05:33
Mërkurë, 23 Shtator 2026, 05:33
FOTO: Ministria e Rinisë dhe Sportit
Madhësia e shkronjave
“#Bëhu aktiv, përmirëso aftësitë e tua, fito më shumë” është motoja e Javës Evropiane të Sportit #BeActive 2026, e cila nis nga 23 shtator para Teatrit Kombëtar “Ivan Vazov”. Edicioni i këtij viti përfshin aktivitete në Sofje dhe në qytete të tjera të vendit, me qëllim nxitjen e sportit, aktivitetit fizik dhe një mënyre jetese të shëndetshme.
Nisma do të hapet nga ministri i rinisë dhe sportit Enço Kerjazov, kampionet olimpike Stojka Krësteva dhe Ivet Goranova, ekipi kombëtar i gjimnastikës ritmike, volejbollisti Teodor Sallparov dhe notari Canko Cankov. Ambasadorë të nismës janë zgjedhur atletët Bozhidar Sarëbojukov, Aleksandra Naçeva dhe Viktoria Angellova, si dhe gjimnastet Borjana Kalejn dhe Stiliana Nikollova.
Po atë ditë do të zhvillohet edhe ekspozita #BeActive kushtuar jetesës së shëndetshme, ku vizitorët do të kenë mundësi të ndjekin demonstrime sportive, të marrin pjesë në stërvitje dhe sfida të ndryshme, si dhe në aktivitete të tjera që promovojnë shëndetin.
Kulmi i Javës Evropiane të Sportit do të jetë më 26 shtator, para Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK). Dita do të nisë me turneun ndërkombëtar “Break the Limits”, i cili do të pasohet nga #BeActive Fshati i Sportit dhe #BeActive Nata e Sportit, me demonstrime të shumta sportive, shfaqje kërcimi e gjimnastike, arte marciale dhe performanca me patina. Atmosferën do ta ndezin artistët I.N.I dhe FYRE, ndërsa mbrëmja do të përfundojë me një shfaqje me drita.
#BeActive është një nismë e Komisionit Evropian që synon të nxisë sportin dhe aktivitetin fizik te qytetarët e Bashkimit Evropian. Koordinator kombëtar për Bullgarinë është Ministria e Rinisë dhe Sportit.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova