Mërkurë, 23 Shtator 2026, 06:03

Qilimat unikë të Kotelit

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

A mund të jetë një qilim një “pasaportë” drejt trashëgimisë kulturore botërore? Dhe pse duart e shkathëta të mjeshtreve nga qyteti i Kotelit nuk mund të zëvendësoheshin nga inteligjenca artificiale? Përgjigjet gjenden në botën e veçantë të shkollës së qilimave të Kotelit. Studiuesja dhe autore Dora Kurshumova i vuri vetes një qëllim ambicioz: qilimi i famshëm i Kotelit të përfshihej në listën prestigjioze të UNESCO-s si një pasuri kulturore e mbrojtur.

Qilimat unikë të Kotelit

FOTO: BTA

Të larmishëm për nga ngjyrat dhe të trashë, këta qilima përcillnin frymën e kohës, ngrohtësinë e shtëpisë dhe mënyrën e jetesës së njerëzve shekuj më parë. Qilimi i Kotelit e kishte tejkaluar prej kohësh kufirin e një sendi të përdorimit të përditshëm dhe ishte shndërruar në simbol të kulturës së veçantë bullgare, të zakoneve dhe riteve tradicionale, si edhe të prestigjit shoqëror. Sot, rreth kësaj tradite unike po bashkohen përpjekjet për t’i dhënë asaj njohje në nivel botëror. Dora Kurshumova, autore e një udhëzuesi të gjerë për përcaktimin e periudhës së punimit të qilimave të Kotelit, është e bindur – ka ardhur koha për hapin e madh të radhës:

Dora Kurshumova

Dora Kurshumova

FOTO: BTA

“Që teknika e endjes së qilimave të Kotelit të regjistrohet dhe të njihet nga UNESCO-ja, duhet të dokumentohen numri i modeleve dhe i ornamenteve, si dhe veçoritë e shkollës së endjes së qilimave të Kotelit, të cilat e dallojnë atë nga shkollat e tjera të endjes së qilimave në Bullgari. Në fakt, unë kam bërë një studim të tillë dhe e kam përfshirë në librin “Udhëzues për datimin e qilimave të vjetër të Kotelit”, ku kam përshkruar të gjitha veçoritë e mënyrës së endjes së qilimave të Kotelit.Megjithatë, kjo nuk është plotësisht e mjaftueshme, por përbën një bazë të mirë mbi të cilën mund të mbështetemi për të përgatitur një propozim të argumentuar drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe për të ndjekur të gjitha hapat e nevojshëm. Ndërsa vetë kandidatura duhet të paraqitet nga Bashkia e Kotelit ose nga Muzeu i Kotelit, i cili gjithashtu i përket bashkisë. Dhe, meqë gjatë pesë viteve të fundit pashë se nuk ka specialistë që i njohin në thellësi të gjitha hollësitë që dëshmojnë veçantinë e shkollës së endjes së qilimave të Kotelit, u përpoqa t’i përmbledh në këtë libër të gjitha dëshmitë dhe argumentet që kam mbledhur. Libri ka më shumë se 300 faqe.”

Qilimat unikë të Kotelit

FOTO: BTA

Por, përse shkolla e Kotelit ishte kaq e ndryshme nga të tjerat në vendin tonë, për shembull nga tradita e njohur e Çiprovcit? Sekretet fshihen si te vetë teknika e punimit, ashtu edhe te filozofia e mënyrës së punimit. Gratë e Kotelit i endnin qilimat më shpejt, me lesh dhe fije baze më të trasha, gjë që i bënte qilimat më të ngrohtë dhe me reliev. Për më tepër, çdo qilim punohejnë përputhje me përmasat e një dhome të caktuar dhe nuk përsëritej, tregon më tej Dora Kurshumova:

Qilimat unikë të Kotelit

FOTO: BTA

“Qilimpunuesja e Kotelit punon shumë më shpejt se ajo e Çiprovcit, sepse përdor fije më të trashë, ndërsa baza e qilimit është më e trashë dhe numri i fijeve në 10 centimetra është shumë më i vogël se te qilimi i Çiprovcit. Te qilimi i Çiprovcit, leshi është i tjerrë shumë më hollë dhe baza është më e hollë, çka e ngadalëson punën e qilimpunueses. Megjithatë, edhe pse ajo arrin të punojë me shpejtësi, në të njëjtën kohë arrin të krijojë një qilim më të trashë, i cili mban më shumë ngrohtësi. Falë kësaj teknike, ornamentet duken pak më të mëdha se ato të qilimave të Çiprovcit. Kur ngjyrosen me ngjyrat bazë që përdoren në qilimat e Kotelit – blu, të kuqe, të gjelbër, të zezë dhe pak ngjyrë vere – krijohet një kontrast shumë i mirë. Ngjyrat janë të zbutura, pasi përdoren ngjyrues natyralë me bazë bimore. Edhe në këtë rast, merita i takon qilimpunueses së Kotelit, falë saktësisë dhe zgjuarsisë së saj për t’i shndërruar ornamentet gjeometrike në motive shumë të bukura, të cilat e kanë bërë këtë shkollë të njohur.”

Qilimat unikë të Kotelit

FOTO: BTA

Ndryshe nga qilimat e Çiprovcit, qilimat e Kotelit nuk endeshin për t’u shitur, as në shekullin e XVIII-të dhe as në shekullin e XIX-të. Prandaj, secili prej tyre ka përmasa të ndryshme, të përshtatura me madhësinë e dhomës për të cilën ishte bërë. “Pikërisht për këtë arsye nuk ka dy qilima të njëjtë. Ndryshojnë nga ngjyrat, sepse çdo grua i ngjyroste vetë fijet; ndryshojnë edhe nga mënyra se si janë vendosur motivet dhe zbukurimet, pasi secila kishte mënyrën e saj të të parit dhe të krijuarit. Edhe përmasat ndryshojnë, sepse qilimi bëhej sipas madhësisë së dhomës ku do të përdorej”, shpjegon studiuesja.

Qilimat unikë të Kotelit

FOTO: BTA

Që kjo botë unike e qilimave të Kotelit të ruhet, nevojitet vazhdimësia e kësaj tradite. Pavarësisht sfidave që sjell koha, ende ka shpresë. Në Shkollën e Mesme Kombëtare të Arteve në qytetin e afërt të Slivenit, vajza dhe djem të rinj vazhdojnë të mësojnë këtë zanat, duke dëshmuar se duart e shkathëta nuk kanë konkurrencë, madje as përballë inteligjencës artificiale. 

Qilimat unikë të Kotelit

FOTO: nhgdd-sliven.net

“Ky është brezi i ri i endësve të Bullgarisë, të cilët duhet të kuptojnë se, nga njëra anë, po ruajnë një zanat të vjetër, ndërsa nga ana tjetër, mund ta përshtatin atë me interierin modern. Dhe kjo është vërtet e mundur në shumë mënyra, edhe në forma moderne – duke e përdorur në veshje, në rripa, në broshë apo edhe në bizhuteri.”

Qilimat unikë të Kotelit

FOTO: BTA

Rruga e qilimit të Kotelit drejt trashëgimisë kulturore botërore është një histori e kujtesës, e punës, e ngjyrave dhe e shpirtit të palëkundur bullgar. Nëse UNESCO-ja do ta njohë këtë thesar si pjesë të trashëgimisë kulturore botërore, kjo mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt – për sa kohë të ketë njerëz që endin, kjo traditë do të vazhdojë të jetojë.

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova