Lajm
Në OKB, presidentja bëri thirrje për paqe në Ukrainë dhe siguri në Detin e Zi
Enjte 24 Shtator 2026 09:16
Enjte, 24 Shtator 2026, 09:16
Ilijana Jotova
FOTO: OKB
Madhësia e shkronjave
Nga foltorja e OKB-së, presidentja Ilijana Jotova bëri thirrje që Deti i Zi të shndërrohet nga një zonë me rrezik të shtuar në një hapësirë të sigurt, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ajo e përshkroi atë si një zonë sigurie dhe lundrimi të lirë, ku mund të funksionojnë korridore të sigurta transporti, energjetike, tregtare dhe digjitale, si dhe të zhvillohet turizmi – një hapësirë ku kultura, fetë dhe sistemet e ndryshme politike të bashkëjetojnë në paqe. Presidentja bëri të ditur gjithashtu se Bullgaria po përgatit një nismë për të arritur, së bashku me vendet e rajonit dhe të gjitha shtetet e interesuara, një marrëveshje dhe veprim të përbashkët që do të garantonte lundrimin e lirë dhe të sigurt në Detin e Zi.
Në fjalimin e saj në Asamblenë e 81-të të Përgjithshme të OKB-së, presidentja deklaroi: “Lufta në Ukrainë ka dalë përtej ujërave territoriale të vendeve të përfshira në konflikt dhe kjo prek drejtpërdrejt Bullgarinë, këtu dhe tani. Por problemi në Detin e Zi, nga një çështje rajonale, është shndërruar në një çështje globale.” Jotova theksoi se pasojat rajonale të konfliktit, të ndërthurura me ato të luftës në Iran dhe mungesën e ujit në lumin Danub, rrisin rrezikun e një krize ushqimore.
Nga foltorja e OKB-së, Jotova shprehu nderimin e saj për kapitenin Marin Marinov, i cili humbi jetën në Rripin e Gazës teksa po kryente një mision humanitar në kuadër të OKB-së.
Jotova ngriti pyetjen nëse nuk ka ardhur koha që Evropa ta rishikojë politikën e saj të sigurisë. Si pikënisje për këtë debat, presidentja bëri thirrje që konflikti në Ukrainë të zhvendoset nga fusha ushtarake në atë politike dhe diplomatike. Bëhet fjalë për negociata që kërkojnë dialog dhe të paktën një nivel minimal besimi, të mbështetur nga garanci të përshtatshme. Fati i Ukrainës nuk mund të vendoset pa Ukrainën”, theksoi Jotova. Në të njëjtën kohë, sipas saj, Evropa nuk mund të mbetet thjesht një vëzhguese. Ajo duhet të jetë pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në negociatat për arkitekturën e sigurisë së kontinentit pas përfundimit të luftës, deklaroi presidentja. “Evropa duhet të jetë në gjendje të garantojë sigurinë e saj. Sigurisë ushtarake duhet t’i shtohet edhe shtylla e dytë e sigurisë – ajo kontraktuale dhe juridike, e cila duhet të garantojë që forcimi i kapaciteteve mbrojtëse do të sjellë më shumë siguri dhe jo një garë. “Do të ishte e papërgjegjshme nëse, pas përfundimit të luftës në Ukrainë, nuk do të mund t’u ofronim qytetarëve evropianë asgjë më të mirë se një Luftë të Ftohtë të re dhe edhe më të ashpër”, paralajmëroi presidentja.
Duke folur për sfidat e përbashkëta me të cilat përballet bota, përfshirë edhe inteligjencën artificiale, presidentja bullgare bëri thirrje për politika të qëndrueshme dhe afatgjata, që nënkuptojnë përgatitjen për ndryshimet që tashmë kanë nisur. Klima po ndryshon, krizat shëndetësore mund të prekin të gjithë botën, ndërsa teknologjitë e reja po ndryshojnë mënyrën se si punojmë dhe jetojmë. “Ne mund ta ndalim ndryshimin, por duhet ta menaxhojmë në mënyrë të tillë që ai të jetë në të mirë të njerëzve”, deklaroi presidentja.
Ajo bëri thirrje që OKB-ja të mos jetë vetëm një forum ku diskutohen krizat, por edhe një forcë shtytëse për parandalimin dhe zgjidhjen paqësore të tyre. “Bullgaria është e gatshme të kontribuojë në këtë drejtim, jo vetëm si përfituese e sigurisë, por edhe si krijuese e saj”, tha në përfundim Ilijana Jotova, raportojnë BTA dhe BGNES.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova