MUZIKË

Seksion

“Bojna te porta rrinte” dhe zëri unik i Trakisë – Janka Taneva

Premte, 25 Shtator 2026, 07:00

Janka Taneva me “Treshen Trake”: Stojan Veliçkov, Mihaill Marinov dhe Rumen Sirakov

Janka Taneva me “Treshen Trake”: Stojan Veliçkov, Mihaill Marinov dhe Rumen Sirakov

FOTO: Arkiva Shtetërore - Burgas

Madhësia e shkronjave

“Bojna te porta rrinte dhe nga pylli shikonte…” – zëri i plotë i Janka Tanevës nis thellë, që nga larg. Nga Trakia e lashtë, nga vatrat dhe mbledhjet tradicionale, ku këngët janë përcjellë nga nëna te bija. Një nga këngët popullore trake më prekëse rrëfen për pritjen, ankthin dhe shpresën gjatë kohës dramatike dhe heroike të lëvizjes sonë për çlirim kombëtar, kur fati personal është pjesë e fatit të popullit.Timbri unik i Janka Tanevës i jep një emocion të veçantë kësaj miniature folklorike. Zëri i një prej këngëtareve më emblematike të folklorit trakas dhe solistes shumëvjeçare të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore “Filip Kutev” nuk ka se si të mos njihet: i thellë dhe i fuqishëm, me një regjistër karakteristik të ulët. Për dekada me radhë, Taneva ishte e njohur si interpretuesja folklorike me zërin që kap notat më të ulëta në Bullgari. Timbri i pazakontë e shndërron çdo interpretim të saj në një rrëfim prekës dhe në një lloj peizazhi tingullor të Trakisë.

Janka Taneva

Janka Taneva

FOTO: Arkiva Shtetërore - Burgas

E lindur më 18 shtator 1927 në fshatin Dautlii (sot qyteti Kableshkovo në Bullgarinë juglindore, pranë Burgasit), Janka Taneva u rrit me këngët e vendlindjes së saj. Ajo këndonte që fëmijë dhe e përvetësoi folklorin nga nëna, gjyshja, hallat dhe gjithë familja e saj, e njohur për traditën e këngës.Në vitin 1951, së bashku me bashkëshortin e saj, shkoi në Sofje për të marrë pjesë në konkursin për ansamblin e sapokrijuar të këngëve dhe valleve popullore të Filip Kutevit. Deri në fund të jetës së saj, ajo kujtonte se, para provimit, dëgjoi zërat e ndritshëm, të lartë dhe kumbues të kandidateve të tjera dhe u shqetësua për zërin e saj – “të trashë” dhe të pazakontë. Madje ishte gati të largohej, por bashkëshorti i saj këmbënguli që të paraqitej para komisionit, në të cilin bënin pjesë Filip Kutev, piktori Ilija Beshkov dhe shkrimtari Dimitër Osinin.

“Bojna te porta rrinte” dhe zëri unik i Trakisë – Janka Taneva

FOTO: Arkiva personale e Liljana Galevska

Kur fillon të këndojë, Filip Kutev ngrihet nga karrigia dhe e dëgjon në këmbë, ndërsa Ilija Beshkov thërret: “Bravo, moj bijë! Çfarë zëri, çfarë mrekullie!” Ndër këngët me të cilat zëri i Janka Tanevës mbush sallën është edhe “Bojna te porta rrinte”, dhe pas provimit vendimi merret – ansamblit i nevojitet pikërisht ky zë i thellë. Më vonë, Filip Kutev do i thotë: “Pikërisht ti më duheshe mua, ty të kërkoja”.Janka Taneva bëhet soliste e pazëvendësueshme e Ansamblit “Filip Kutev”. Ajo merr përsipër pjesët më të ulëta dhe më të vështira në këngë që më vonë bëhen të njohura në mbarë botën – “A je tulipan, a je zymbyl”, “A më do mua, o i dashur”, etj. Por “Bojna te porta rrinte” mbetet një shembull i profesionalizmit të këngëtares së madhe.

Jeta e saj nuk është e lehtë. Mbetet e ve që në moshën 27-vjeçare dhe i rrit e vetme dy fëmijët e saj. Megjithatë, ajo vazhdon të këndojë, të regjistrojë këngë, të udhëtojë në turne dhe festivale, duke i shpërthyer sallat nga duartrokitjet. Më vonë ajo tregonse para koncerteve qante e vetme në dhomën e zhveshjes, që të lehtësohej, dhe më pas dilte para publikut me buzëqeshje.Ndoshta pikërisht për këtë zëri i saj është diçka më shumë se një tingull, ndërsa interpretimet e saj janë më shumë se këngë. Kur Janka Taneva këndon “Kur do të vish, Rosene…”, Bojna nuk është më thjesht një personazh i folklorit. Është një grua prej mishi e gjaku që pret, vështron nga pylli dhe shpreson. Ndërsa alt-i i fuqishëm i këngëtares përcjell ankthin, forcën dhe dinjitetin e saj.

Janka Taneva ka fituar shumë çmime, ka kënduar në ansamble si “Zërat e Mëdhenj Bullgarë”, “Engjëjt” dhe “Zërat Kozmikë”, dhe ka lënë pas dhjetëra regjistrime. Por, mbi të gjitha, ajo mbetet një zë me cilësi të jashtëzakonshme, që nuk mund të ngatërrohet me asnjë tjetër. Zëri i papërsëritshëm i Trakisë.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello