Lajm
Cilët janë “iluministët” e Bullgarisë së sotme – nominoni deri më 30 shtator!
Dielë 27 Shtator 2026 07:00
Dielë, 27 Shtator 2026, 07:00
FOTO: BNR
Madhësia e shkronjave
Kush sot i frymëzon njerëzit të jenë më aktivë, të ruajnë kujtesën dhe kulturën e tyre, t’i ndihmojnë të tjerët ose të ndryshojnë mjedisin përreth tyre? Përgjigjen e kërkon nisma “Iluministi i Vitit”, e cila prej më shumë se një dekade nderon individë, organizata dhe projekte që japin kontribut në shoqërinë bullgare.
Termi “iluminist” ka rrënjë të thella në historinë bullgare. Tradicionalisht, ai lidhet me shkrimtarët, iluministët dhe revolucionarët e periudhës së Rilindjes Kombëtare Bullgare, të cilët ia kushtuan jetën ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe ndërgjegjes kombëtare bullgare. Sot, nisma e përdor këtë koncept në një kuptim më të gjerë – për njerëz dhe kauza që na frymëzojnë dhe na bashkojnë si komunitet dhe që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë.
Iva Dojçinova
FOTO: Ani Petrova
Fushata u krijua në vitin 2014 nga gazetarja dhe aktivistja publike Iva Dojçinova dhe zhvillohet me mbështetjen e Radios Kombëtare Bullgare. Deri më 30 shtator të këtij viti, çdokush mund të propozojë një person, organizatë ose projekt që, sipas tij, meriton mirënjohje për veprimtarinë e vet ose ka nevojë për mbështetje për të vazhduar zhvillimin e kauzës së tij.
Nominimet dërgohen në adresën buditel@bnr.bg, së bashku me një tekst të shkurtër që paraqet misionin dhe veprimtarinë e të nominuarit ndër vite. Në këtë nismë nuk mund të nominohen gazetarë dhe politikanë.
FOTO: Ani Petrova
Nga të gjitha propozimet, një juri e posaçme do të përzgjedhë dhjetë finalistë. Në të bëjnë pjesë fituesi i vitit të kaluar, Martin Atanasov, gazetarët Dobrina Çeshmexhieva, Daniell Nençev dhe Svetosllav Ivanov, sipërmarrësi Nikolla Rahnev, historiani dr. Rumen Manov dhe krijuesja e nismës, Iva Dojçinova.
Pas shpalljes së finalistëve, fituesi do të përcaktohet përmes një votimi publik në një platformë online të krijuar posaçërisht për këtë qëllim.
Organizatorët bëjnë thirrje që të nominohen njerëz dhe kauza që meritojnë të jenë të dukshme – pavarësisht nëse veprojnë në Bullgari apo jashtë vendit.
Përpiloi: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski