Seksion
Mjekët bullgarë sërish me vizita falas për banorët e bashkisë së Pustecit
Premte 25 Shtator 2026 13:15
Premte, 25 Shtator 2026, 13:15
FOTO: Facebook /Fondacioni “Kujtesa Bullgare”
Madhësia e shkronjave
Filloi faza e dytë e vizitave mjekësore të specializuara parandaluese për të gjithë banorët e Bashkisë Pustec dhe zonës përreth. Më 25 dhe 26 shtator, specialistë bullgarë do të kryejnë vizita falas në fushën e mamologjisë, urologjisë, gastroenterologjisë, pulmonologjisë, otorinolaringologjisë dhe ortopedisë.
FOTO: Facebook /Fondacioni “Kujtesa Bullgare”
Nisma zhvillohet për të katërtin vit radhazi dhe organizohet nga Fondacioni “Kujtesa Bullgare”, Shoqata e Miqësisë Bullgaro-Shqiptare në Korçë, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Bullgarisë dhe Ministria bullgare e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Bashkisë së Pustecit, - informon Ambasada e Bullgarisë në Tiranë në një njoftim për mediat.
FOTO: Facebook /Fondacioni “Kujtesa Bullgare”
Një risi e rëndësishme e fushatës së këtij viti është përfshirja e ekipeve shqiptare nga spitalet rajonale të Korçës dhe Pogradecit. Në fazën e dytë do të ketë pesë specialistë shqiptarë, të cilët do të punojnë së bashku me mjekët bullgarë dhe në rast nevoje do të marrin pjesë në ndjekjen e rasteve pas përfundimit të vizitave. Ky bashkëpunim krijon mundësi për vazhdimësinë e kujdesit mjekësor dhe monitorimin e pacientëve që kanë nevojë për ekzaminime ose trajtim të mëtejshëm.
FOTO: Facebook /Fondacioni “Kujtesa Bullgare”
Gjatë fazës së parë, të zhvilluar më herët këtë muaj nën drejtimin e kardiologut prof. Ivo Petrov, u kryen gjithsej 487 vizita të specializuara: 280 vizita kardiologjike dhe vaskulare, 100 endokrinologjike, 62 reumatologjike dhe 45 neurologjike. Numri prej 487 vizitash nuk përfaqëson numrin e pacientëve të veçantë, pasi disa persona kanë vizituar më shumë se një kabinet të specializuar. Gjatë fazës së parë nuk u konstatuan raste që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme mjekësore urgjente. Për tre pacientë po shqyrtohet mundësia e trajtimit të mëtejshëm në Bullgari, pas kryerjes së vlerësimit të nevojshëm mjekësor dhe përcaktimit të kushteve organizative.
Sh.T. z. Ivajllo Kirov
FOTO: Facebook /Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri
“Qëllimi ynë është që banorët e zonës të kenë qasje falas te specialistët, të përfitojnë nga parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm dhe të marrin rekomandime për ndjekjen dhe trajtimin e mëtejshëm. Bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me specialistët shqiptarë është një hap i rëndësishëm për të siguruar vazhdimësinë e kujdesit edhe pas përfundimit të iniciativës”, theksoi Sh.T. z. Ivaylo Kirov, Ambasador i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë.
Dr. Milen Vrabevski
FOTO: Facebook /Fondacioni “Kujtesa Bullgare”
Në informacionin e mbërritur nga misioni ynë diplomatik në kryeqytetin shqiptar citohet edhe kryetari i Fondacionit “Kujtesa Bullgare”, dr. Milen Vrabevski, i cili gjatë hapjes së fazës së dytë të nismës deklaroi: “Për ne, misioni nuk përfundon me kryerjen e vizitës. Kur konstatohet një problem shëndetësor që kërkon diagnostikim ose trajtim të mëtejshëm, ne përpiqemi që pacienti të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor. Pikërisht kjo vazhdimësi e shndërron iniciativën nga një gjest i njëhershëm në një mbështetje reale dhe të qëndrueshme për njerëzit në Prespën e Vogël.”
FOTO: Facebook /Fondacioni “Kujtesa Bullgare”
Rajoni i Prespës së Vogël përfshin nëntë vendbanime me rreth 5000 banorë, të cilët marrin shërbime nga dy poliklinika – në fshatrat Pustec dhe Goricë. Në secilin prej dy institucioneve shëndetësore punon vetëm një mjek i përgjithshëm, ndërsa për vizita të specializuara dhe trajtim, banorët vendas, një pjesë e madhe e të cilëve janë të moshuar, duhet të udhëtojnë drejt kryeqytetit, Tiranës.
FOTO: Facebook /Fondacioni “Kujtesa Bullgare”
Gjatë viteve të fundit, Fondacioni “Kujtesa Bullgare” ka realizuar një sërë projektesh me ndikim konkret për banorët vendas. Ndër to janë dhurimi i një ambulance, i një automjeti zjarrfikës dhe i një automjeti fuoristradë për shërbimin e përkujdesjes sociale, pajisja e poliklinikës me aparatura profesionale mjekësore, si dhe sigurimi i një kontenieri mjekësor të pajisur për një nga fshatrat.Gjithashtu, pas riparimit të një ujësjellësi kryesor, është rikthyer furnizimi 24-orësh me ujë në një pjesë të vendbanimeve; është siguruar ndriçimi rrugor në katër fshatra; janë pajisur laboratorë kompjuterikë dhe biblioteka shkollore, si dhe janë mobiluar 44 vende pune në godinën e bashkisë – kujtojnë nga Fondacioni “Kujtesa Bullgare”.
FOTO: Facebook /Fondacioni “Kujtesa Bullgare”
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello