Ngjarjet me adresë ballkanike

Shtunë, 26 Shtator 2026, 06:00

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: politiadefrontiera.ro

Madhësia e shkronjave

Rumania heq tarifat e kalimit në 3 ura kyçe mbi Danub

Nga 1 tetori, drejtuesit e automjeteve nuk do të paguajnë tarifa për kalimin në urat kryesore mbi lumin Danub në Rumani, njoftoi ministri i Transportit dhe Mbrojtjes, Radu Miruța. Heqja e tarifave përfshin 3 nga strukturat më të ngarkuara të urave: atë në pikën Giurgiu–Ruse, që lidh Rumaninë me Bullgarinë, urën në Fetești, në autostradën drejt Detit të Zi, si dhe urën në Giurgeni–Vadu Oii, që lidh rajonet Muntenia dhe Dobruxha.

Qëllimi është lehtësimi i trafikut, nxitja e aktivitetit ekonomik në rajonet ndërkufitare dhe ulja e barrës administrative dhe financiare si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset, theksoi Miruța.

Masa do t’u japë fund radhëve të gjata të automjeteve dhe kamionëve që zakonisht krijohen në pikat e pagesës së tarifave, veçanërisht gjatë periudhave të pikut në verë dhe gjatë festave, transmeton BTA.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: rtvslo.si

Kroacia, Sllovenia dhe Italia vazhdojnë patrullimet e përbashkëta kufitare

Migracioni i paligjshëm përgjatë itinerarit përmes Ballkanit Perëndimor është në rënie, por vetë itinerari mbetet aktiv. Për këtë arsye, Kroacia, Italia dhe Sllovenia do të vazhdojnë patrullimet kufitare trepalëshe, njoftuan ministrat e Brendshëm të tre vendeve, transmeton HRT.hr.

Ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, deklaroi se gjatë 8 muajve të parë të vitit rastet e kalimit të paligjshëm të kufirit janë ulur me 28%.

Ministri kroat i Brendshëm, Davor Božinović, theksoi se këtë vit janë arrestuar 842 trafikantë, një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitin 2025.

Božinović deklaroi se Kroacia ka kërkuar vendosjen e punonjësve të Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (“Frontex”) në Bosnjë dhe Hercegovinë, pasi mbi 95% e migrantëve të paligjshëm që ndjekin itinerarin përmes Ballkanit Perëndimor vijnë nga ky drejtim.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: RINA

Dronët e policisë do të monitorojnë shkeljet e rregullave të qarkullimit në Serbi

15 punonjës të Policisë Rrugore të Serbisë kanë përfunduar trajnimin për përdorimin e dronëve, ndërsa pritet të trajnohen edhe të tjerë, njoftoi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dačić. Dronët do t’i mundësojnë policisë të monitorojë segmente më të gjata të rrugëve nga një pozicion i vetëm dhe të konstatojë shkelje ose sjellje të rrezikshme që është e vështirë të vërehen nga toka, transmeton televizioni N1. Sipas tij, kur të konstatohet një shkelje ose sjellje e rrezikshme, dronët do të mund të drejtojnë patrullat policore drejt segmentit përkatës të rrugës.

Dačić theksoi se mjetet ajrore pa pilot do të plotësojnë, dhe jo do të zëvendësojnë, mjetet e tjera të kontrollit të trafikut – patrullat policore, radarët, të ashtuquajturit “interceptorë”, pra automjete shërbimi pa shenja policie, si dhe sistemet e videomonitorimit.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: turkiyetoday.com

Trafiku i rënduar rrugor i kushton Turqisë miliarda dollarë në vit

Banorët e metropolit turk të Stambollit humbasin rreth 120 orë në bllokime trafiku çdo vit, ndërsa trafiku i rënduar në qytetet turke i kushton Turqisë deri në 60 miliardë dollarë në vit, sipas një raporti të ri që shqyrton problemet e transportit në vend, raporton Daily Sabah. Ekspertët e cituar në raport theksojnë se aktualisht në Turqi ka mesatarisht 200 automjete për 1000 banorë, që është dukshëm më pak se mesatarja prej 400 automjetesh për 1000 banorë në BE dhe 700 automjetesh për 1000 banorë në SHBA. Nëse qytetarët turq do t’i arrinin këto nivele, problemet me trafikun dhe humbjet financiare mund të përkeqësoheshin ndjeshëm, thuhet në analizë.

Rreth 55% e pjesëmarrësve në trafikun rrugor në Turqi i konsiderojnë pakujdesinë e shoferëve, shkeljet e qëllimshme të rregullave dhe mungesën e ndërgjegjësimit si faktorët kryesorë të rëndimit të trafikut.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: euronews.com

Kryeministri grek kërkon që Britania t’i kthejë skulpturat e Partenonit

Përmes një artikulli në gazetën britanike “The Guardian”, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kërkoi sërish bashkimin e përhershëm të skulpturave të Partenonit, transmeton AMNA.gr. Duke iu referuar mbërritjes së fundit të Tapisë së Bayeux në Britani në formën e një huazimi të përkohshëm, Mitsotakis vuri në dukje se ajo, ndryshe nga skulpturat e frizit të Partenonit, është “e paprekur”. Sipas tij, skulpturat e frizit të Partenonit janë “të copëtuara” dhe të ndara midis Athinës dhe Londrës.

“Askush nuk do të mendonte seriozisht ta priste më dysh pjesën e mbijetuar të tapetit, të ekspozonte njërën gjysmë në Londër dhe tjetrën në Bayeux dhe të pretendonte se kjo është një mënyrë e përshtatshme për ta përjetuar atë. Pikërisht kjo i ndodhi skulpturave të Partenonit. Një kryevepër e vetme u nda dhe pjesët e saj të mbijetuara sot janë të shpërndara kryesisht midis Londrës dhe Athinës”, shkruan Mitsotakis.


Përpiloi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski