Autor
Elena Karkallanova
Lajm
Festivali i Gjuhëve
Me cirilik dhe folklor: Bullgarët në Rigë prezantuan mëmëdheun e tyre
Diço Çumov për rolin e „ruajtësit të rrënjëve“ dhe ëndrrën e parealizuar për të pasur një Ambasadë të Bullgarisë në Rigë
Dielë 27 Shtator 2026 05:26
Dielë, 27 Shtator 2026, 05:26
FOTO: Iskra Boneva
Madhësia e shkronjave
Gjuha bullgare jehoi sërish në zemër të Letonisë. Për të tretin vit radhazi, Shoqata Kulturore Letono-Bullgare „Kirill dhe Metodij“ prezantoi Bullgarinë në Festivalin e Gjuhëve Evropiane në Rigë. Pjesëmarrja e bashkatdhetarëve tanë në aktivitetin e 18 shtatorit iu kushtua dy përvjetorëve të rëndësishëm – 1200-vjetorit të lindjes së Shën Konstantin-Kirill Filozofit dhe 1140-vjetorit të mbërritjes së nxënësve të tij në Bullgari.
Në stendën e përgatitur posaçërisht për këtë aktivitet u vendosën panele informuese në tri gjuhë – bullgarisht, letonisht dhe anglisht.
FOTO: Iskra Boneva
„Në një mënyrë të kuptueshme dhe tërheqëse nga ana vizuale, ata prezantuan rëndësinë e veprës së dy vëllezërve të shenjtë Kirill dhe Metodij, kapërcimin e dogmës së tri gjuhëve dhe rolin e Bullgarisë në krijimin dhe përhapjen e alfabetit cirilik – një sistem shkrimi që edhe sot përdoret nga miliona njerëz në mbarë botën. Paraqitja historike u plotësua me botime faksimile të disa prej dëshmive më të çmuara të trashëgimisë së shkollës letrare bullgare. Ndër to ishin „Ungjilli i Mbretit Ivan Aleksandër“, i ruajtur në Bibliotekën Britanike në Londër; „Ungjilli i Assemanit“ – dorëshkrimi më i vjetër i njohur nga studiuesit në gjuhën e vjetër bullgare me alfabet glagolitik, i ruajtur në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit; „Historia sllavo-bullgare“ e Paisij Hilendarskit, e ruajtur në Manastirin e Zografit në Malin Athos; si dhe veprat e mbledhura të Klimentit të Ohrit dhe botime të tjera“, tha për Radio Bullgarinë Iskra Boneva, pjesë e ekipit të Shoqatës „Kirill dhe Metodij“.
Vizitorët patën mundësinë të merrnin me vete libra
bashkëkohorë dygjuhësh dhe tregjuhësh kushtuar kulturës bullgare. Njohja me
Bullgarinë në kuadër të Festivalit të Gjuhëve në Rigë ishte një përvojë e
veçantë edhe për fëmijët – vizitorët më të vegjël morën libra me poezi bullgare
dhe botime didaktike.
„Pjesëmarrja bullgare u dallua jo vetëm për historinë dhe trashëgiminë letrare, por edhe për atmosferën e saj të gjallë kulturore. Në fund të ditës së festivalit, Grupi Folklorik Bullgar – Rigë ftoi publikun të bashkohej në një valle bullgare, nën tingujt e këngëve të njohura popullore. Interes të veçantë ngjalli edhe vallja tradicionale bullgare rëçenica, në variantin e saj nga Bullgaria Veriore. Pjesëmarrësit më entuziastë provuan aftësitë e tyre në vallëzim duke u bërë pjesë e atmosferës festive të aktivitetit“, na tregoi më tej Iskra Boneva.
FOTO: Laum Kalninja
Për bullgarët në Letoni, shprehja e përkatësisë kombëtare nuk është thjesht një gjest, por një nevojë e brendshme për të ruajtur identitetin dhe krenarinë e tyre. Pak kohë më parë, koordinatorja e pjesëmarrjes bullgare, Iskra Boneva, tregoi për Radio Bullgarinë se si veshja e kostumit popullor për të shndërrohet në një urë lidhëse me rrënjët bullgare:
„Jam krenare që jam bullgare. Shfrytëzoj çdo mundësi për të marrë pjesë në aktivitete zyrtare me kostum popullor bullgar ose me veshje të zbukuruar me motive tradicionale bullgare. Edhe kur shkojmë në opera, veshim kostumet popullore bullgare. Kostumi popullor bullgar është veshje zyrtare dhe me të mund të shkosh edhe në pritje te mbreti, mbretëresha apo presidenti. Edhe në aktivitetet e kompanisë ku punoj, sa herë që paraqitem me kostum popullor bullgar, të gjithë mahniten, sepse kostumet tona popullore janë jashtëzakonisht të bukura.“
Iskra Boneva
FOTO: Elena Karkallanova
Në qendër të jetës së komunitetit bullgar në Letoni prej më shumë se tri dekadash qëndron kryetari i shoqatës, Diço Çumov. Rruga e tij drejt vendeve baltike nisi në aviacion – pasi punoi në një njësi që ofronte shërbime ajrore me helikopterë, ai u nis për në Rigë për të studiuar inxhinieri në një nga institutet më të mira të Evropës. Pas ndryshimeve të vitit 1991, ai krijoi një biznes të suksesshëm. Është nismëtari dhe kryetar i Shoqatës Letono-Bullgare „Kirill dhe Metodij“, e themeluar më 13 prill 1993. Gjatë një prej vizitave të tij në Sofje, disa kohë më parë, ai foli për mënyrën se si u bë e mundur kjo:
„Me dashuri dhe përkushtim. Versioni i gjatë është se njeriu është një qenie shoqërore dhe gjithmonë kërkon dikë që i ngjan në mënyrën e të menduarit, në humor e kështu me radhë. Dhe kjo vlen edhe për bullgarin. Natyrisht, bullgari ka edhe shpresat e veta, dhe kjo është ndëshkimi më i madh – shpresa. Prandaj, unë i këshilloj të gjithë të mos jetojnë me pritshmëri. Nëse Zoti ta jep, falënderoje dhe ec përpara me guxim. Nëse nuk ta jep, pranoje si një mësim nga Zoti dhe vazhdo sërish me guxim përpara, si samurai, duke ndjekur rrugën tënde“ – shpjegon filozofinë e tij të jetës Diço Çumov. Ai nuk e fsheh as dhimbjen e tij më të madhe: fakti që në Rigë nuk ka Ambasadë Bullgare.
Diço Çumov
FOTO: Elena Karkallanova
„Për gjithë këto vite, arritja jonë më e madhe është se ia dolëm të mbijetonim, pavarësisht shtetit. Gjatë këtyre 37 viteve kemi pasur dëshirën dhe shpresën që Bullgaria të përmbushë detyrimet e saj dhe të hapë një ambasadë në Rigë. Jo se ajo do të na ndihmonte ndonjë gjë të madhe, por gjithsesi, në këtë mënyrë do ta ndienim se kemi shtetin pas vetes. Ka nevojë për shërbime konsullore dhe ambasadore, ndërsa kur nuk i ke këto pas vetes, ndihesh i lënë pas dore“ – shpjegon arsyet e tij zoti Çumov dhe shton se deri tani përpjekjet e tij për të ndihmuar në realizimin e kësaj ëndrre, si edhe kontaktet në nivele të larta, nuk kanë sjellë rezultat.
Për rolin e tij si një njeri që zgjon ndërgjegjen kombëtare, për lirinë personale dhe qëndrimin ndaj atdheut, ai shton: „Unë nuk kam komb tjetër dhe bëj gjithçka që mundem që të mos jemi kaq të paaftë, të mos harrojmë rrënjët tona. Uroj që të gjithë, kur të arrijnë moshën time dhe edhe shumë më tej, kur të kthehen pas dhe të shohin rrugën e bërë, të mos pendohen për asgjë.“
Falë njerëzve si Diço Çumov, Iskra Boneva, si dhe vullnetarëve të tjerë që kontribuuan në prezantimin e radhës të vendit tonë në Rigë – Vasill Calta, Miglena Ivankova, Vlladimir Zikov dhe bashkëkryetares së shoqatës, Benita Skrodere – fryma bullgare në Letoni vazhdon të jetojë dhe të frymëzojë.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova
- #alfabeti cirilik
- #Paisij Hilendarski
- #kostum popullor
- #identitet
- #alfabet glagolitik
- #dogma e tri gjuhëve
- #botime faksimile
- #shkolla letrare bullgare
- #trashëgimia e shkollës letrare bullgare
- #„Ungjilli i Mbretit Ivan Aleksandër“
- #„Ungjilli i Assemanit“
- #dorëshkrimi më i vjetër
- #„Historia sllavo-bullgare“
- #Shoqata Kulturore Letono-Bullgare „Kirill dhe Metodij“
- #Festivali i Gjuhëve Evropiane
- #Manastiri i Zografit
- #Klimenti i Ohrit
- #përkatësi kombëtare
- #veshje të zbukuruar me motive tradicionale bullgare