Maqedonia e Veriut nuk i lejoi hyrjen një deputeti bullgar

Hënë, 28 Shtator 2026, 11:52

Angell Georgiev

Angell Georgiev

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikat ndaj Bullgarëve Jashtë Vendit, Angell Georgiev, nuk u lejua të hyjë në Maqedoninë e Veriut. Këtë e bëri të ditur vetë deputeti përmes një postimi në Facebook.

Georgiev po udhëtonte drejt Koçanit për të marrë pjesë në seancën gjyqësore ndaj Iva Mihajllovës, e cila ka edhe shtetësi bullgare, raportoi Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA). Mihajllova akuzohet në Maqedoninë e Veriut për një vepër të rëndë penale të lidhur me trafikun rrugor. Aksidenti, në të cilin u plagosën disa persona, mes tyre edhe vetë Mihajllova, ndodhi në fillim të tetorit 2025. Pas aksidentit, dokumentet e Iva Mihajllovës u sekuestruan, gjë që, sipas saj, nuk i mundëson të marrë trajtim mjekësor në Bullgari. Bullgaria është një nga vendet ku ajo mund të trajtohet për shkak të natyrës së dëmtimeve në shtyllën kurrizore.

“Pothuajse prej një viti shteti po më mban peng, duke shkelur të drejtat e mia njerëzore pa asnjë arsye, sepse nuk kam faj për aksidentin që ndodhi. Kam nevojë për trajtim, por nuk më lejojnë të shkoj për t’u kuruar jashtë vendit”, deklaroi Mihajlova për mediat bullgare, cituar nga bTV.

Deputeti Angell Georgiev tha se deri tani mori pjesë në dy seanca gjyqësore në Koçan, por këtë herë nuk u lejua të hynte për një arsye që, sipas tij, ishte e sajuar. Ai deklaroi se do t'i kërkojë Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë ta ngrejë çështjen pranë institucioneve evropiane dhe të reagojë edhe ndaj autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova  

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova