Autor
Diana Cankova
Lajm
Nga “Shpërthimi” te “Obsesioni”:
Takim me dizenjuesen e bizhuterive Bogdana Topreva
“Besoj se krijuesit janë të prekur nga Zoti dhe jam mirënjohëse që e kam këtë ndjesi”, shprehet ajo dhe prezanton një ekspozitë retrospektive në Sofje.
Martë 29 Shtator 2026 20:00
Martë, 29 Shtator 2026, 20:00
FOTO: Diana Cankova
Madhësia e shkronjave
Të dërgosh një mesazh për vendin tënd në botë dhe të përcaktosh veten mund të bëhet në mënyra nga më të ndryshmet, përfshirë edhe përmes bizhuterive të dizajnuara. Në ekspozitën e saj retrospektive “Obsesioni”, në galeri-librarinë “Sofia Press”, Bogdana Topreva përshkon tri dekada gjatë të cilave i ka shndërruar stolitë në art – nga zbukurime të trupit të njeriut ato shndërrohen në bartëse të kujtesës dhe në një shenjë materiale të pozicionit tonë në këtë tokë.
FOTO: Diana Cankova
“Unë me të vërtetë ndihem e pushtuar nga artizanati i bizhuterive, por në kuptimin pozitiv”, shprehet artistja lidhur me titullin e ekspozitës. Dhe, në vitin e veçantë të jubileut të saj, ajo bën këtë rrëfim:
FOTO: Diana Cankova
“Në fillim të rrugëtimit tim krijues isha shumë më e çlirët. Ndoshta kjo është karakteristike për vitet e rinisë, kur njerëzit hidhen në gjëra me shumë më tepër entuziazëm, pa menduar për pasojat, se si duken saktësisht bizhuteritë, por më shumë për atë që duan të thonë përmes tyre. Fatkeqësisht, kjo ka kaluar disi dhe tani jam në një periudhë shumë më të pjekur, shumë më serioze dhe shumë më të ‘jubiluar’.”
Koleksioni “Shpërthimi”
FOTO: Diana Cankova
FOTO: Diana Cankova
Në vitin 1998 – një kohë e trazuar transformimesh, si personale, ashtu edhe shoqërore – Bogdana Topreva krijon koleksionin “Shpërthimi”. Në të, bizhuteritë me përmasa të mëdha janë punuar prej argjendi dhe polimeri, i cili shkëlqen nën dritën ultravjollcë dhe krijon ndjesinë e një spektakli skenik. Dy koleksionet e saj të fundit, “Çati të padukshme / Sofje – Paris”, janë frymëzuar nga tema e një këndvështrimi tjetër të mundshëm – ai i zogjve dhe i njerëzve fluturues. Kështu, me ndihmën e fotografive të realizuara me dron, imazhe të padukshme për syrin e njeriut e shndërrojnë arkitekturën urbane në bazën e bizhuterive.
“Çati të padukshme”
FOTO: Diana Cankova
Brenda kësaj hapësire kohore, Bogdana Topreva shpreson që vizitorët e ekspozitës të ndiejnë historinë e saj. “Jeta ime është e lidhur me krijimtarinë dhe në çdo bizhuteri unë tregoj një përrallë. Dhe nëse një njeri që nuk më njeh hyn në galeri dhe, duke parë bizhuteritë, e ndien këtë, do të jem e lumtur që e kam prekur emocionalisht”, thotë ajo.
Rrugëtimi i saj krijues nis në Akademinë Kombëtare të Arteve në Sofje, ku përfundon studimet për “Dizajn industrial”, por që në punimin e saj të diplomës e përqendron vëmendjen te bizhuteritë. Më vonë merr pjesë në programin e rezidencës Cité internationale des arts – Paris dhe atje organizon ekspozita personale në vitet 2012 dhe 2025. Përveç kryeqytetit francez, ajo ekspozon koleksionet e saj në Bratisllavë, Budapest, Vjenë dhe Sofje. Por si lind ideja për to dhe cili është burimi i parë – diçka brenda nesh, në mjedisin përreth apo në atë botë të supozuar që u dhuron frymëzim krijuesve të vërtetë?
Koleksioni “Figura”
FOTO: Diana Cankova
“Ideja mund të lindë në çfarëdo mënyre”, përgjigjet Bogdana Topreva në një intervistë për Radio Bullgarinë. “Mund të ndodhë që në mëngjes, kur të zgjohem, të dëgjoj këngën e një harabeli dhe të krijoj një koleksion ‘Zogjtë’ – pikërisht kështu lindi ai. Mund të jetë ndonjë film apo këngë që të provokojë gjendjen time emocionale. Kështu që frymëzimi mund të gjendet kudo dhe në çdo moment. Besoj se njerëzit që krijojnë janë të prekur nga Zoti dhe jam shumë mirënjohëse që e kam këtë ndjesi dhe mund ta bëj këtë. Pra, po, besoj se padyshim idetë e mia më dërgohen dhe unë jam vetëm një përcjellëse e tyre.”
Koleksioni “Alisa”
FOTO: Diana Cankova
Çfarëdo që krijon, bizhuteritë e Bogdana Toprevës mbajnë vulën e dallueshmërisë. Këtë e dëgjon si nga kolegët, ashtu edhe nga klientët. “Gëzohem që njerëzit e shohin këtë pjesë, edhe pse vetë nuk mund të them se çfarë është saktësisht”, thotë ajo. Adhuruesit e artit të saj e dallojnë atë edhe në blindat e mëdha për trupin.
Koleksioni “Përshtypje shumëngjyrëshe”
FOTO: Diana Cankova
“Ato janë më tepër një lloj bizhuterie skenike, por kjo nuk i pengon të shprehin një lloj të caktuar ndjeshmërie dhe qëndrimi ndaj botës”, shton krijuesja e tyre. “Dhe mendoj se ka mjaft zonja që do të vendosnin një blindë të tillë dhe do të dilnin në rrugë. Por këtë do ta bënin ato prej tyre që mbartin në shpirt vetëm një cilësi – lirinë. Pavarësisht blindës.”
Koleksioni “Përshtypje shumëngjyrëshe”
FOTO: Diana Cankova
Bogdana Topreva beson se do të vazhdojë të jetë e pranishme në art edhe për shumë vite dhe se do të realizojë ende shumë ekspozita. Për momentin, mbetet enigmë se çfarë horizonti do të hapë rruga e përshkuar deri tani – nëse do të jetë një vazhdim dhe zhvillim i mëtejshëm apo një faqe krejtësisht e re. Dhe, në pritje të frymëzimit, ajo shpreh hamendësimin e saj: “Mbetet të shohim se në çfarë drejtimi do të më çojë kjo prekje nga Zoti dhe fantazia ime.”
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski