Lajm
Ndërmjetësit shëndetësorë në Bullgari
Ndërmjetës mes njerëzve në nevojë dhe institucioneve
„Për fat të keq, profesioni është ende aktual edhe sot, sepse situata në shumë lagje rome është tronditëse“, deklaron prof. Ivajllo Tërnev
Enjte 1 Tetor 2026 07:00
Enjte, 1 Tetor 2026, 07:00
FOTO: Facebook/ Ivajllo Tërnev
Madhësia e shkronjave
Në zona ku ende mbizotëron varfëria dhe ku informacioni që lidhet me shëndetin dhe statusin shoqëror nuk arrin te njerëzit, jetojnë persona, mbijetesa e të cilëve varet nga cilësi të fshehura pas fjalës „humanizëm“. Kështu, në vitin 2001, lindi profesioni i ndërmjetësit shëndetësor, me qëllim që të lidhë njerëzit në nevojë me institucionet në Bullgari që mund të kujdesen për ta.
Prof. Ivajllo Tërnev filloi të punojë me komunitetin rom më shumë se 30 vjet më parë. Drejtuesi i Klinikës së Sëmundjeve të Nervave në Spitalin Aleksandrovska në Sofje, për muaj të tërë, udhëtoi nëpër lagje dhe sot është i bindur se pothuajse nuk ka vend që të mos e ketë vizituar të paktën një herë.
FOTO: Spitali Universitar Multispecialistik për Trajtim Aktiv „Aleksandrovska“
„U përballa me varfërinë, me mungesën e aksesit në kujdesin shëndetësor, me shumë probleme të rënda sociale, të cilat në fillim përpiqesha t’i zgjidhja si ndërmjetës midis institucioneve shëndetësore dhe sociale dhe familjeve të prekura – tregon Ivajllo Tërnev për BNR. – Numri i rasteve doli të ishte jashtëzakonisht i madh dhe në një moment kuptova se kjo ishte e pamundur për një person të vetëm. Megjithatë, isha i vendosur jo vetëm t’i studioja njerëzit e këtyre komuniteteve, por edhe të përpiqesha t’i ndihmoja. Atëherë studiova përvojën evropiane dhe doli se programe të ngjashme ndërmjetësimi ekzistonin prej më shumë se 40 vitesh në Evropën Perëndimore – të drejtuara jo vetëm ndaj komunitetit rom, por edhe ndaj të gjitha pakicave etnike vulnerabël. Së bashku me dr. Pim de Graf, drejtues i Drejtorisë „Marrëdhëniet Ndërkombëtare“ të Ministrisë së Shëndetësisë së Hollandës, filluam të krijonim modelin bullgar të ndërmjetësimit shëndetësor. Vizituam disa lagje për të treguar në mënyrë pilot se si funksionon ky model.“
FOTO: Facebook/ Ivajllo Tërnev
Lagjja e parë ku filluan punën pesë ndërmjetës ishte „Iztok“ në Kjustendill (Bullgaria Jugperëndimore). Ata u njohën me problemet shëndetësore dhe sociale të çdo familjeje, me qëllim që të identifikonin nevojat e saj dhe t’i ofrohej ndihma e nevojshme. Sot ndërmjetësit shëndetësorë janë 370 në më shumë se 160 bashki – 30 për qind e tyre kanë arsim të lartë. Detyra e tyre kryesore është të lehtësojnë aksesin në shërbimet shëndetësore dhe sociale për grupet në pozitë të pafavorshme, të përmirësojnë marrëdhëniet midis mjekëve dhe pacientëve nga komunitetet vulnerabël dhe të rrisin kulturën shëndetësore të pakicave etnike. „Një nga kërkesat ndaj tyre është të jenë njerëz nga vetë komuniteti – të jetojnë në atë vend, të njohin problemet dhe të flasin të njëjtën gjuhë. Me fjalë të tjera – të shkelin në të njëjtën baltë ku shkelin edhe të tjerët“, deklaron profesori.
FOTO: Facebook/ Ivajllo Tërnev
Ndërmjetësit shëndetësorë i nënshtrohen një trajnimi të specializuar, i cili zhvillohet bashkërisht nga Fakulteti i Shëndetit Publik i Universitetit Mjekësor të Sofjes dhe Shoqata „Rrjeti Kombëtar i Ndërmjetësve Shëndetësorë“, dhe në fund marrin një certifikatë.
FOTO: Rrjeti Kombëtar i Ndërmjetësve Shëndetësorë
„Zgjerimi i mëtejshëm vazhdoi me krijimin e kuadrove mjekësore – jo vetëm infermierë, por edhe mjekë, dentistë dhe farmacistë – shton Ivajllo Tërnev. – Ekipi ynë ka trajnuar më shumë se 50 romë, të cilët u bënë mjekë ose aktualisht janë studentë të mjekësisë. Nga grupet tona të para tashmë ka njerëz me disertacione të mbrojtura, që punojnë në spitale universitare; madje njëri prej tyre fitoi çmimin „Mjeku më i mirë i vitit“ në rubrikën „Ti je e ardhmja jonë“. Ndihma jonë ishte organizimi i kurseve të biologjisë dhe kimisë, pra t’u jepnim mundësi disa fëmijëve të përgatiteshin në kushte të barabarta me të tjerët. Të gjithë ata studiojnë shumë dhe janë nxënës të shkëlqyer ose me rezultate shumë të mira. Qëllimi ynë është të lidhim ndërmjetësit shëndetësorë, mjekët romë dhe infermierët në ekipe që të punojnë në lagjet rome.“
FOTO: Facebook/ Ivajllo Tërnev
Prof. Ivajllo Tërnev veçon dy situata kritike në veprimtarinë e ndërmjetësve shëndetësorë. E para ishte në vitin 2009, kur u shfaq një epidemi e paprecedentë e fruthit, nga e cila u sëmurën 24 mijë fëmijë dhe 21 prej tyre humbën jetën. U zbulua se 94 për qind e të prekurve ishin fëmijë të pavaksinuar nga lagjet rome. Më pas u kryen 189 mijë vaksinime të jashtëzakonshme. Momenti i dytë ishte epidemia e Covid-19, kur, sipas mjekut, në mënyrë të pajustifikuar dhe të pabazuar u mbyllën lagjet rome, megjithëse numri i të prekurve në to nuk ishte më i madh. Në këtë situatë, ndërmjetësit u gjendën në vijën e parë, sepse ishin të vetmit që hynin te të sëmurët, duke kryer jo vetëm veprimtari mjekësore, por edhe humanitare.
FOTO: Facebook/ Ivajllo Tërnev
„Kur e filluam programin, mendoja se ai do të ishte i përkohshëm – se për rreth 20 vjet deficiti do të tejkalohej dhe programi do të bëhej i panevojshëm – thotë më tej Ivajllo Tërnev. – Për fat të keq, mendoj se sot ai është edhe më aktual, pasi situata në shumë lagje rome është tronditëse dhe shumë fëmijë jetojnë në varfëri të rëndë, e cila nuk lejon ofrimin e kujdesit të duhur shëndetësor dhe social. Gushtin e kaluar udhëtova nëpër lagje rome dhe u përballa me raste shumë të rënda, madje edhe me sëmundje për të cilat ekziston trajtim, por ai nuk kishte filluar. Ky është një bilanc i trishtueshëm, sepse shumica e shërbimeve sociale nuk arrijnë deri te problemet e këtyre njerëzve. Kështu, ndërmjetësit bëjnë mrekulli; në një masë të madhe janë misionarë, sepse, për një pagë minimale, i kërkojnë të gjitha institucionet, në çdo kohë të ditës dhe të natës, dhe është shumë e vështirë t’i rezistosh këtij ritmi jetese.“
Megjithëse ngjall habi, prof. Ivajllo Tërnev fiton besimin e njerëzve me të cilët punon, sepse, me një qasje atërore, i inkurajon të ecin përpara. „Unë i dua, por në të njëjtën kohë jam shumë i rreptë me ta“, pranon ai dhe e përcakton si misionin e tij kryesor ruajtjen e motivimit dhe të frymës së lartë që mbizotërojnë në një profesion „të rëndësishëm dhe pafundësisht të dobishëm“ për shoqërinë.
Shihni gjithashtu: Neurologu bullgar me famë botërore prof. Ivajllo Tërnev fitoi Oscarin mjekësor
Teksti: Diana Cankova (bazuar në një intervistë të Mihajllina Pavllova dhe Valeri Lekov nga programi „Hristo Botev“ i BNR)
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski