U zbulua pranë Svishtovit një figurinë e rrallë bronzi

Mërkurë, 30 Shtator 2026, 17:37

U zbulua pranë Svishtovit një figurinë e rrallë bronzi

FOTO: uw.edu.pl

Madhësia e shkronjave

Një figurinë e rrallë bronzi e perëndisë së lashtë greke Priap është zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike në qytetin romak Novae, pranë Svishtovit. Nga rajoni i Danubit të Poshtëm deri tani njihen vetëm pesë gjetje të ngjashme, njoftoi Universiteti i Varshavës.

Novae po studiohet pa ndërprerje që nga viti 1960 nga një ekip i përbashkët arkeologësh polakë dhe bullgarë. Prof. Piotr Dyczek, drejtor i Qendrës për Studimin e Antikitetit të Evropës Juglindore në Universitetin e Varshavës, theksoi se zbulimet e reja përfshijnë gjithashtu një fragment unaze ari dhe dy altarë me mbishkrime, njëri prej të cilëve është ruajtur pothuajse tërësisht.

“Secili prej këtyre monumenteve është një pjesë tjetër e mozaikut që na ndihmon të kuptojmë më mirë jetën e banorëve të Novae dhe historinë e këtij qendre jashtëzakonisht të rëndësishme romake në Danub”, tha profesori.

Figurina prej bronzi u zbulua nga studiuesit e Universitetit të Varshavës gjatë kërkimeve në një kompleks monumental banimi, që shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 3000 metrash katrorë, sqaroi për gazetën “24 Çasa” asistentja kryesore Petja Andreeva nga Instituti Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.

Mes gjetjeve të tjera janë suva me piktura dhe një dysheme shumëngjyrëshe e punuar me mjeshtëri të veçantë.

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva