“Nata e Letërsisë” ngre “fole” në 12 qytete bullgare dhe në një fshat

Enjte, 1 Tetor 2026, 14:00

“Nata e Letërsisë” ngre “fole” në 12 qytete bullgare dhe në një fshat

FOTO: “Facebook / ‘Nata e Letërsisë’ Ivo Chupetlovski

Madhësia e shkronjave

Për të pesëmbëdhjetën herë, Bullgaria i bashkohet nismës “Nata e Letërsisë” – një format frymëzues që na jep mundësinë të dëgjojmë pjesë nga vepra të autorëve, krijimtaria e të cilëve nuk vihet shpesh nën dritën e projektorëve. Leximet zhvillohen në vende jo tipike për letërsinë, të quajtura “fole leximi”. Këtë vit, më 1 tetor, letërsia evropiane dhe bullgare ndërtojnë “fole” në 12 qytete të mëdha – Sofje, Pllovdiv, Varna, Burgas, Bllagoevgrad, Veliko Tërnovo, Gabrovo, Dobriç, Lloveç, Pazharxhik, Ruse, Stara Zagora – dhe në një fshat bullgar, Çavdar.

Fshati Çavdar

Fshati Çavdar

FOTO: Facebook/ Svetllozar Zhelev

Pse në Çavdar?

Çavdari ndodhet në rrëzë të malit Stara Pllanina, 70 kilometra nga Sofja, dhe është i vetmi fshat në një nga komunat më të vogla bullgare, me një popullsi prej rreth 1300 banorësh. Por ky është gjithashtu një nga fshatrat më të sistemuara dhe më të zhvilluara në Bullgari, i cili gjatë viteve të fundit është shndërruar në një destinacion për turizmin kulturor. Këtu ndodhet Parku Arkeologjik “Topollnica”, me kopje të banesave neolitike të vjetra rreth 7000 vjet, si dhe një muze që paraqet kulturën parahistorike. Gjithashtu, këtu ndodhet Qendra Interaktive e Folklorit, e cila ruan dhe prezanton traditat vendase përmes teknologjive moderne digjitale. Komuna organizon një sërë aktivitetesh – festivale roku, tubime motoçiklistësh, një nga festivalet më të mëdha të lojërave të tavolinës, një festival folklorik, si edhe “Fshati i Krishtlindjeve”, i famshëm në të gjithë vendin.

Por tani le ta shohim Çavdarin si një destinacion letrar – cilat janë kushtet që ky fshat i bukur bullgar të shndërrohet në një qendër letrare dhe kulturore të emocioneve pozitive?

“Nata e Letërsisë” ngre “fole” në 12 qytete bullgare dhe në një fshat

FOTO: Facebook/ Svetllozar Zhelev

“Me siguri ka dy komuna në Bullgari që dallojnë dukshëm për nga jeta kulturore, aktivitetet, krijimi i gjërave të reja dhe kushtet për zhvillimin e kulturës dhe letërsisë. Dhe këto janë një komunë e madhe, siç është Burgasi, dhe një nga komunat më të vogla, siç është Çavdari – shprehet botuesi dhe pedagogu Svetllozar Zhelev. – E gjithë kjo, natyrisht, i detyrohet përpjekjeve personale dhe përkushtimit të kryetarit të Komunës së Çavdarit, Grigor Daullov, i cili shtatë vjet më parë, kur ishte ende punonjës i komunës, nisi një tjetër nismë që hodhi themelet për shndërrimin e Çavdarit në fshatin letrar të Bullgarisë. Ky ishte “Muaji i Librit”.

“Nata e Letërsisë” ngre “fole” në 12 qytete bullgare dhe në një fshat

FOTO: Facebook/ Svetllozar Zhelev

Në kuadër të tij kanë qenë të ftuar shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë bullgarë, si Georgi Gospodinov, Rene Karabash, Zdravka Evtimova, Teodora Dimova, Zahari Karabashliev, Radosllav Bimballov, Nikollaj Terzijski e të tjerë. E gjithë kjo krijon një mjedis. Gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur edhe aktivitete të tjera, fundjava kushtuar arteve të ndryshme, koncerte muzikore, shfaqje teatrale… Sepse kultura dhe letërsia kërkojnë qëndrueshmëri. Nga shpërthime të veçuara të tipit – tani do të bëjmë diçka, do të ftojmë dikë e kështu me radhë – nuk ka asnjë kuptim. Nëse nuk ka qëndrueshmëri, nëse nuk ndërtohen tradita, asgjë nuk mund të arrihet.

“Nata e Letërsisë” ngre “fole” në 12 qytete bullgare dhe në një fshat

FOTO: Facebook/ Svetllozar Zhelev

Aktualisht, Çavdari ka krijuar një mjedis njerëzish që lexojnë, që janë të interesuar për letërsinë dhe që marrin pjesë në aktivitetet letrare.

Nëse pyesni ndonjë prej shkrimtarëve që kanë qenë të ftuar në Çavdar, do të shihni se secili prej tyre ka qenë jashtëzakonisht i befasuar që në një komunë me 1300 banorë, në një promovim libri marrin pjesë nga 70 deri në 100 njerëz. Kjo shumë shpesh nuk ndodh as në Sofje, Pllovdiv, Varna apo Burgas. Fatkeqësisht, për ndërtimin e këtij mjedisi, po e përsëris, nevojitet kohë, nevojitet qëndrueshmëri, vizion dhe këmbëngulje” – shpjegon bashkëbiseduesi ynë.

Svetllozar Zhelev dhe Rene Karabash

Svetllozar Zhelev dhe Rene Karabash

FOTO: Facebook/ Svetllozar Zhelev

Këtë vit, fshati merr pjesë në “Natën e Letërsisë” me plot tre “fole librash”, ku do të lexohen pjesë nga librat “Lagjja e Artistëve” të Viktor Topallovit, “Ndihu në blu, vishu me të kuqe” të shkrimtares greke Ersi Sotiriopullu dhe romani “Intermezzo” i një prej shkrimtareve bashkëkohore më të njohura irlandeze – Sally Rooney.

Për Svetllozar Zhelevin, librat nuk janë thjesht një kauzë, por një mënyrë jetese. Prandaj nuk është e rastësishme që pikërisht ai ka ndihmuar fshatin Çavdar të pozicionohet në hartën letrare të vendit. Sot ai tashmë mund të mburret edhe me rezidencën e tij për shkrimtarë, ku në muajin mars të këtij viti kanë qenë të ftuar shkrimtarët Rene Karabash (e nominuar për çmimin Booker), Nikollaj Terzijski dhe Kristina Terzijska:


“Nata e Letërsisë” ngre “fole” në 12 qytete bullgare dhe në një fshat

FOTO: Facebook/ Svetllozar Zhelev

“Ideja është që ajo t’u japë mundësinë autorëve të punojnë për librat e tyre të rinj, të takohen edhe me publikun në Çavdar, dhe nga ana tjetër – të krijohet mundësia që shkrimtarët bullgarë, gjatë një periudhe të caktuar, të punojnë edhe me përkthyes nga bullgarishtja në gjuhë të huaja. Shpresoj që ajo të ndërkombëtarizohet dhe të na vijnë edhe shkrimtarë të huaj, të cilët do të punojnë me përkthyes bullgarë për përkthimet e librave të tyre.”

Në një kohë kur informacioni na vërshon nga gjithfarë vendesh dhe në mënyra të ndryshme, libri, i cili deri disa dekada më parë kishte qenë burimi kryesor i informacionit, tashmë i kërkon lexuesit e vet në format digjital ose në format audio. Por deri në ç’masë formatet si “Nata e Letërsisë”, si edhe festivalet e ndryshme që kanë mbushur rrugët e shumë qyteteve tona, kontribuojnë në promovimin e leximit si një aktivitet i këndshëm dhe mbi të gjitha i dobishëm, me të cilin ia vlen të mbushësh kohën e lirë:

“Nata e Letërsisë” ngre “fole” në 12 qytete bullgare dhe në një fshat

FOTO: Facebook/ Svetllozar Zhelev

“Çdo nismë e tillë, me siguri, ndihmon që të rinjtë të kuptojnë se sa i rëndësishëm është leximi dhe, në fakt, sa gjë e bukur është letërsia. Nëse të rinjtë lexojnë më shumë, është shumë e vështirë të thuhet. Matja e zakoneve të leximit të njerëzve është shumë e vështirë.

Për shkak të mjedisit digjital në të cilin jetojmë të gjithë, këtij presioni që koha ushtron përmes lëvizjes së shpejtë në ekran, krijimit të zakoneve digjitale e kështu me radhë, në fund leximi shndërrohet në një ekzotikë, për të cilën vazhdimisht justifikohemi se nuk kemi kohë” – thekson Zhelev.

Megjithatë, takimet e Svetllozar Zhelevit me të rinjtë e programit të masterit “Përkthyes-Redaktor” në Universitetin e Sofjes, si edhe në jetën e përditshme, i tregojnë se ka shumë bullgarë që lexojnë. Pavarësisht kësaj, ai mbështet shumë shpresa te të gjitha format e mundshme për të tërhequr gjithnjë e më shumë lexues nga ky brez, sepse leximi është një aktivitet jashtëzakonisht i ngadaltë, i dobishëm dhe i bukur. Dhe tani po afron “Nata e radhës e Leximit”, në të cilën mund t’i përkushtohemi atij.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski