Autor
Krasimir Martinov
Lajm
Në kërkim të zërit të përbashkët të kulturës bullgare në botë
Premte 2 Tetor 2026 19:42
Premte, 2 Tetor 2026, 19:42
Vesella Rajçinova
FOTO: Krasimir Martinov
Madhësia e shkronjave
Kultura bullgare prej kohësh nuk njeh kufij gjeografikë. Ajo udhëton bashkë me njerëzit – përmes gjuhës, këngës, librit, vallëzimit dhe festave. Por kur njerëzit janë të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, shtrohet pyetja: si mund të takohen krijuesit, të komunikojnë me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë përvoja dhe të bëhen më të dukshëm, edhe në vendin e tyre?
Përgjigjen do të përpiqet ta gjejë Shoqata e Organizatave Kulturore Bullgare Jashtë Vendit (ABKSHJ). Themelet e saj u hodhën më 29 korrik 2025, gjatë mbledhjes themeluese të zhvilluar në Qendrën Bibliotekare dhe të Informacionit të Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, në Sofje. Një vit më vonë, shoqata tashmë ka fituar edhe regjistrimin zyrtar si person juridik, duke krijuar kështu mundësinë të veprojë si një organizatë përfaqësuese që bashkon organizatat kulturore bullgare jashtë vendit. Tani, detyra e vërtetë e Këshillit të saj Drejtues, me nëntë anëtarë, është të gjejë bashkëpunëtorë me të njëjtin vizion mes numrit të madh të krijuesve dhe organizatave kulturore bullgare në mbarë botën.
Si do ta bëjë këtë? Për këtë dhe për pyetjet e tjera që lidhen me veprimtarinë e ardhshme, iu drejtohemi kryetares së ABKSHJ-së, Vesella Rajçinova, e cila vetë është një njeri e përkushtuar ndaj kulturës dhe krijuese e festivalit ndërkombëtar “Shpirti bullgar në Tokën e Shenjtë”, në Izrael, i cili është shndërruar në një hapësirë takimi për bullgarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Pikërisht komunikimi me ta e ka bindur Rajçinovën për nevojën e krijimit të një bashkimi më të qëndrueshëm të krijuesve. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ajo thotë se synimi i shoqatës së re është të shndërrohet në një platformë më të gjerë se shoqatat tradicionale.
Vesella Rajçinova
FOTO: Krasimir Martinov
“Përveç organizatave, duam të afrojmë edhe krijues që nuk janë të lidhur me asnjë organizatë - shpjegon Vesella Rajçinova. - Bëhet fjalë për artistë që krijojnë, por për një arsye ose një tjetër nuk kanë mundësi të paraqiten, ose edhe kur dalin në publik, nuk përfaqësohen sa duhet. Pra, duam që shoqata të bashkojë një gamë të gjerë organizatash dhe veprimtarësh që punojnë për ruajtjen e identitetit kulturor, gjuhës dhe traditave bullgare jashtë vendit. Kështu, me ne mund të bashkohen si shoqata krijuese dhe kulturore, ashtu edhe formacione të ndryshme dhe artistë individualë, shkrimtarë, piktorë e intelektualë të angazhuar me kulturën bullgare. Anëtarë të shoqatës mund të jenë edhe persona që janë pjesë e organizatave të tjera, si Shoqata e Shkollave Bullgare Jashtë Vendit apo organizatat e ansambleve folklorike. Nëpër botë ka edhe shoqata letrare e të shkrimtarëve, klube poetësh, sallone arti dhe galeri. Të gjitha këto mund të bëhen anëtarë të shoqatës sonë.”
Këshilli Drejtues i Shoqatës së Organizatave Kulturore Bullgare Jashtë Vendit përbëhet nga përfaqësues nga shtete të ndryshme. Ideja është që secili anëtar i Këshillit Drejtues të shërbejë si një lloj lidhjeje me një rajon të caktuar, duke lehtësuar kështu krijimin e një rrjeti kontaktesh me organizatat kulturore dhe krijuesit bullgarë. Vesella Rajçinova e përshkruan në mënyrë figurative këtë proces si një “zinxhir të bukur shumëngjyrësh”, ku secili shton rruazën e vet. Por pas kësaj metafore fshihet një detyrë krejt praktike – të gjenden njerëzit, organizatat dhe nismat që mund të punojnë së bashku.
Një tjetër synim i shoqatës është që veprimtaria kulturore e bullgarëve jashtë vendit të bëhet shumë më e dukshme edhe në Bullgari.
“Do të organizojmë takime shumë të shpeshta në Bullgari. Pra, do të punojmë që krijimtarinë dhe veprimtarinë kulturore të bullgarëve jashtë vendit t’ua paraqesim bullgarëve në Bullgari. Synimi ynë është gjithashtu të ndihmojmë në përmirësimin e bashkëpunimit të krijuesve dhe organizatave tona që veprojnë jashtë vendit me institucionet në Bullgari.”
Pas përfundimit të fazës organizative të krijimit të shoqatës së re, e cila përfshin zhvillimin e një platforme në internet, krijimin e logos dhe dërgimin e ftesave për anëtarësim te shoqatat kulturore bullgare dhe krijuesit individualë në mbarë botën, pritet që në fillim të nëntorit të këtij viti organizata të fillojë të tërheqë aktivisht anëtarë.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova