Artikull
Edukimi qytetar, një praktikë që ka vend në shkollat bullgare
Hënë 5 Tetor 2026 07:00
Hënë, 5 Tetor 2026, 07:00
FOTO: BNR - arkiv
Madhësia e shkronjave
Qyteti bullgar Vidin, i vendosur në brigjet e Danubit, është një nga vendbanimet e përfshira në programin kombëtar “Edukimi Qytetar Evropian”. Programi është krijuar nga Instituti për Politika Publike, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Fondacionin gjerman “Hanns Seidel”, të cilët organizojnë trajnime për mësuesit që japin lëndën e edukimit qytetar në rajone të ndryshme të vendit.
Çfarë përfaqëson edukimi qytetar në Bullgari?
Ky është një lëndë mësimore me mbi njëqind vjet histori në vend, e cila ka përshtatur idetë, traditat dhe përvojën evropiane në fushën e edukimit qytetar me kontekstin bullgar. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në periudhën 1944-1989, edukimi qytetar u zëvendësua me mësimin e bazave të komunizmit, me synimin për të formuar një botëkuptim të caktuar ideologjik te të rinjtë. Pas ndryshimeve demokratike në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, me iniciativën e organizatave joqeveritare, shoqatave dhe mësuesve, kjo lëndë u rikthye fillimisht si lëndë me zgjedhje për nxënësit nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën. Vetëm në vitin 2020 ajo u bë pjesë e programit të detyrueshëm për nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta.
FOTO: BNR - Vidin
Cili është vendi i edukimit qytetar në procesin arsimor? Kjo është pyetja që synon t’i japë përgjigje një studim i posaçëm i disa organizatave joqeveritare, me titull “Lidershipi qytetar dhe bashkëpunimi aktiv”. Qëllimi kryesor i tij është të paraqesë mënyra të ndryshme përmes të cilave edukimi qytetar mund të zbatohet më me efektivitet dhe të fitojë mbështetjen e më shumë drejtorëve, mësuesve, prindërve dhe nxënësve, tha në një intervistë për BNR Vidin Julija Mishkova, anëtare e ekipit të fondacionit “Së bashku në klasë” dhe drejtuese e nismës.
Julija Mishkova
FOTO: zaednovchas.bg
“Gjatë pranverës së këtij viti arritëm të konsultonim mbi 1000 mësues përmes pyetësorëve, grupeve të fokusit dhe intervistave, për të kuptuar se si e perceptojnë ata edukimin qytetar, si e shohin vendin e tij në procesin arsimor dhe rolin e tyre në të. Shumica e mësuesve me të cilët biseduam e konsiderojnë edukimin qytetar si diçka të rëndësishme dhe e shohin vendin e tij në procesin arsimor. Megjithatë, për një arsye ose tjetër, duke pasur parasysh të gjitha detyrat me të cilat janë të ngarkuar, ata shprehin shqetësime nëse ai realizohet mjaftueshëm në mënyrë efektive, përballë të gjitha objektivave të tjera që pritet të përmbushin dhe provimeve për të cilat duhet të përgatisin nxënësit e tyre. Kjo, natyrisht, ndikon edhe në kohën që janë të gatshëm t’i kushtojnë.”
A ndryshojnë qëndrimet dhe nevojat e mësuesve në vendbanimet më të vogla nga ato të kolegëve të tyre në qendrat rajonale?
"Nuk mendoj se ka ndonjë dallim kyç apo të madh. Ajo që shohim është se mësuesit përballen me shqetësime të ngjashme dhe hasin shembuj të ngjashëm pozitivë. Në përgjithësi, aty ku mësuesit marrin mbështetje nga drejtuesit e shkollës, ku kanë hapësirë të mjaftueshme dhe, ndoshta, më shumë përvojë, ata ndihen më të sigurt për të trajtuar tema të ndryshme.
Megjithatë, kudo
mbetet e hapur çështja se sa kohë kanë ata për të zhvilluar biseda më cilësore
me nxënësit mbi çështje shoqërore që shfaqen në jetën tonë të përditshme, në
mënyrë që t’i shqyrtojnë vërtet nga këndvështrime të ndryshme. Po aq e
rëndësishme është edhe se deri në ç’masë vetë mësuesit kanë kohë të përgatiten
për biseda të tilla."
FOTO: zaednovchas.bg
Lënda “Edukimi
qytetar” fillon të mësohet në fazën e dytë të arsimit të mesëm të lartë.
Mësuese e kësaj lënde në Gjimnazin e Gjuhëve të Huaja “Jordan Radiçkov” në
Vidin është Valja Aleksandrova. Cilat janë, sipas saj, përparësitë dhe
mangësitë që shoqërojnë zbatimin e kësaj lënde në praktikë?
Valja Aleksandrova
FOTO: BTA
“Problemi i parë i madh është se një orë në javë, si në klasën e 11-të ashtu edhe në të 12-tën, është krejtësisht e pamjaftueshme. Problemi i dytë është se nuk ka mësues të specializuar për edukimin qytetar. Mësuesit duhet të jenë vërtet njerëz me specializime në disa fusha të arsimit të lartë, pra jo me një specializim të ngushtë, sepse edukimi qytetar kërkon që vazhdimisht të jesh në hap me ndryshimet e jetës së përditshme. Nevojiten njohuri në ekonomi, filozofi, gjeografi dhe histori. E rëndësishme është edhe motivimi personal i mësuesit për të punuar me të rinjtë dhe me këtë lëndë, në të cilën ai duhet të përpiqet të jetë sa më i dobishëm për nxënësit.”
Emilia Emillova është nxënëse në klasën e 12-të në Gjimnazin e Gjuhëve të Huaja në Vidin dhe mendon se mësimi i edukimit qytetar zhvillon te nxënësit aftësinë për të menduar në mënyrë kritike:
"Mësimet janë shumë interesante, sipas mendimit tim, sepse trajtojnë nene të Kushtetutës së Bullgarisë. Për shembull, nga 20 nene të caktuara, zgjedh 10 që i konsideron më të rëndësishme dhe më pas i diskutojmë. Krahas të drejtave dhe detyrimeve tona, në këto orë ne mësojmë edhe të mendojmë në mënyrë kritike, sepse shumë shpesh zhvillojmë diskutime për tema të ndryshme.
Shpesh trajtojmë çështjen e dezinformimit dhe të lajmeve të rreme, si t'i dallojmë ato, dhe mendoj se kjo do të na ndihmojë shumë në të ardhmen kur dikush të përballet me një dilemë të tillë..."
FOTO: facebook.com/YordanRadichkovVidin
Sipas shoqes së saj të klasës, Nia Marianova, kjo lëndë duhet të fillojë të mësohet më herët dhe në mënyrë më të thelluar:
"Për institucionet mendoj se në tekstet shkollore ka informacion të mjaftueshëm, por më shqetëson fakti se shumë të rinj nuk janë të edukuar sa duhet për politikën. Do të vijë një moment kur atyre do t’u duhet të votojnë dhe nuk dinë për kë, për çfarë, si dhe pse të votojnë. Nëse kjo lëndë do të studiohej më herët dhe më në thellësi, mendoj se do të ishte shumë e dobishme."
Raisa Krumova është në klasën e 11-të dhe këtë vit do ta studiojë për herë të parë këtë lëndë, por ajo vlerëson rëndësinë e saj dhe dobitë që sjell përtej institucionit arsimor:
"Po filloj të kuptoj se cili është roli im si e re dhe si pjesë e shoqërisë. Marr pjesë aktivisht në veprimtari të ndryshme jashtëshkollore që lidhen me vlerat evropiane, pjesëmarrjen qytetare dhe komunitetin nxënësor. Jam pjesë edhe e parlamentit të nxënësve, ku kemi mundësinë të organizojmë nisma, të shprehim mendimin tonë dhe të punojmë së bashku për kauza të ndryshme.
Pikërisht ky është, për mua, kuptimi i edukimit qytetar: jo thjesht të dish cilat janë të drejtat dhe detyrimet e tua, por të kesh dëshirën të marrësh pjesë, të shprehësh qëndrimin tënd, të respektosh mendimin e ndryshëm dhe të japësh kontribut për komunitetin."
Redaktoi: Joan Kolev, sipas materialit të Teodora Jordanova-Spasova nga BNR Vidin
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva