POLITIKË

Seksion

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shtunë, 3 Tetor 2026, 06:00

Siegfried Mureșan

Siegfried Mureșan

FOTO: EPA/BNES

Madhësia e shkronjave

Rumania në kërkim të kryeministrit të katërt pas dështimit të qeverisë së propozuar nga Mureșan

Rumania mbetet pa një qeveri të rregullt, pasi parlamenti rrëzoi qeverinë e propozuar nga liberali Siegfried Mureșan, e cila mori 182 vota pro, ndërsa nevojiteshin 233. Presidenti Nicușor Dan do të zhvillojë të hënën konsultime të reja për kandidaturën e katërt për postin e kryeministrit, raportoi Radio Romania International.

Kriza politike në vend vazhdon prej gati pesë muajsh. Qeveria e Ilie Bolojan ra pas një mocioni mosbesimi në maj, por vazhdon të qeverisë si kabinet në detyrë. Kandidati i parë, Eugen Tomac, u tërhoq pasi nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme, ndërsa qeveria e propozuar nga liberali Adrian Veștea u rrëzua nga parlamenti.

Pas dy qeverive të propozuara të rrëzuara dhe më shumë se 60 ditësh nga kërkesa e parë për mocion mosbesimi, Kushtetuta i lejon presidentit të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, Dan e kundërshton një skenar të tillë, i cili sipas tij do të thellonte paqëndrueshmërinë dhe do të vononte korrigjimet urgjente të nevojshme në buxhet.


Aleksandër Vuçiç dhe Ana Brnabiç

Aleksandër Vuçiç dhe Ana Brnabiç

FOTO: vreme.com

Vuçiç dorëzon postin e presidentit dhe synon postin e kryeministrit

Kryetarja e parlamentit serb, Ana Brnabiç, mori përkohësisht funksionet e presidentit më 28 shtator, pasi Aleksandër Vuçiç dha dorëheqjen. Ai deklaroi se po tërhiqet nga posti i presidentit për të marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, si kandidat i Partisë Përparimtare Serbe për kryeministër, raportoi N1.

Zgjedhjet u shpallën të parakohshme pas një krize të gjatë politike dhe protestave masive studentore, të nisura pas tragjedisë në stacionin e trenit në Novi Sad në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona. Protestuesit kërkojnë përgjegjësi për korrupsionin dhe institucione më transparente.

Sipas Kushtetutës, Brnabiç mund të ushtrojë funksionet e presidentit për një periudhë deri në 3 muaj. Brenda këtij afati duhet të zhvillohen zgjedhjet për presidentin e ri të vendit.

Edi Rama

Edi Rama

FOTO: euronews.com

Shqipëria do të synojë më shumë të ardhura nga turizmi luksoz

“Shqipëria do të synojë një turizëm me shërbime të një niveli më të lartë pas rritjes së numrit të turistëve”, deklaroi kryeministri Edi Rama në Euronews Travel & Tourism Summit 2026 në Bruksel. Në vitin 2025, vendi regjistroi 12.47 milionë vizita nga të huajt, 6.6% më shumë krahasuar me vitin 2024, ndërsa në vitin 2013, kur Rama u bë kryeministër, shifra ishte rreth 2 milionë. Sipas tij, mes vizitorëve ka turistë nga Japonia, SHBA-ja, Amerika Latine, Kina, Izraeli dhe Lindja e Mesme, raportoi shqiptarja.com.

Tani e tutje, vendi do të synojë jo vetëm më shumë vizitorë, por edhe zgjerimin e segmentit të turizmit luksoz, tërheqjen e turistëve me fuqi më të lartë blerëse dhe rritjen e të ardhurave nga sektori.

Gjatë verës në Shqipëri vijuan protestat masive kundër planifikimit të resortit luksoz pranë Zvërnecit, të lidhur me dhëndrin e Donald Trumpit, Jared Kushner. Protestuesit paralajmërojnë se projekti prek zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe do të dëmtojë ekosistemin lokal. Më 30 shtator, Rama deklaroi për Euronews se fati i investimit do të përcaktohet nga vlerësimi i ndikimit në mjedis nga “shkenca”, dhe jo nga “rruga dhe ideologjia”.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: kosova.info

Kosova mbështetet gjithnjë e më shumë te punëtorët e huaj

Kosova po kompenson gjithnjë e më shpesh mungesën e fuqisë punëtore me punëtorë të huaj, në një kohë kur vazhdon emigrimi, kryesisht i të rinjve në moshë aktive, drejt vendeve të Bashkimit Evropian, shkruan Koha.

Gjatë vitit 2025, mbi 9000 të huaj morën leje qëndrimi, prej të cilëve 5087 për qëllime punësimi, krahasuar me 2122 në vitin 2021. Numri më i madh i lejeve të përkohshme iu dha shtetasve turq – 3263, të ndjekur nga shtetasit e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera. Mungesa e fuqisë punëtore është më e theksuar në sektorët e ndërtimit, tregtisë, hotelerisë, gastronomisë dhe prodhimit. “Institucionet duhet të kërkojnë masa për ruajtjen e fuqisë punëtore ekzistuese, nxitjen e kthimit të emigrantëve dhe zhvillimin e aftësive profesionale”, paralajmëroi kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, popullsia e Kosovës në vitin 2025 ishte 1 582 322 banorë.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: gov.me

Të rinjtë në Malin e Zi marrin mbështetje për biznesin social

Tre ekipe të rinjsh në Malin e Zi morën nga 2500 euro kapital fillestar për idetë e tyre në fushën e biznesit social, në finalen e programit ndërkombëtar “Social Impact Award” në Podgoricë, shkruan Vijesti. Konkursi mbështet të rinjtë që zhvillojnë zgjidhje për problemet shoqërore përmes sipërmarrjes. Mbështetja iu dha projekteve Plovi Farma – një platformë për menaxhimin digjital të fermave bujqësore, FireFly – një platformë me inteligjencë artificiale për dronë autonomë që mundësojnë zbulimin e hershëm të zjarreve, dhe Brain Reset Cards – një aplikacion për ushtrime të shkurtra për trurin. Çmimin e publikut, së bashku me 1500 euro, e fitoi ReDsponse – një platformë që lidh dhuruesit e gjakut me shërbimet e transfuzionit.Fituesit do të përfitojnë gjithashtu tre muaj mbështetje nga mentorë, hapësirë pune falas në Parkun Shkencor dhe Teknologjik, si dhe pjesëmarrje në samitin ndërkombëtar SIA Summit. Gjatë pesë viteve të programit janë prezantuar 268 ide me ndikim social, të zhvilluara nga më shumë se 600 të rinj.

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello