Seksion
Zakoni “Surva” mori jetë në muret e një ndërtese gjashtëkatëshe në Pernik
Shtunë 3 Tetor 2026 08:10
Shtunë, 3 Tetor 2026, 08:10
FOTO: finegraffart.com
Madhësia e shkronjave
Maska, brirë dhe kambana të rënda – një mural i ri monumental, i frymëzuar nga tradita e kukerëve dhe festivali ndërkombëtar “Surva” në Pernik, e ka shndërruar fasadën e një ndërtese gjashtëkatëshe në një lloj skene për një nga zakonet popullore më të njohura bullgare.
Projekti mbresëlënës “GHOSTBUSTERS” (“Gjuetarët e fantazmave”) shtrihet në dy mure me përmasa të përbashkëta 18 me 15 metra. Autorë janë artistët vizualë të Fine Graff Art Studio, misioni i të cilëve është të zhvillojnë artin modern në Bullgari, duke e bërë atë pjesë të mjedisit urban dhe një hapësirë takimi me tema të rëndësishme kulturore dhe histori vendase.
FOTO: finegraffart.com
Në veprën e tyre më të re, titulli ka edhe një kuptim simbolik, duke iu referuar drejtpërdrejt kukerëve si “gjuetarë/largues të së keqes”. Ata janë personazhi qendror i zakonit të lashtë dimëror “Surva”, në të cilin maskat, kambanat dhe veprimet rituale kanë një funksion simbolik mbrojtës. Kjo traditë qëndron edhe në themel të Festivalit Ndërkombëtar të Lojërave me Maska “Surva”, i cili çdo vit në janar mbledh grupe maskaradash nga Bullgaria dhe jashtë vendit.
Në një informacion dërguar Radio Bullgarisë, autorët nga Fine Graff Art Studio thonë se kanë dashur të përcjellin pikërisht forcën e “Survës” – një traditë që nuk është e heshtur dhe statike, por e gjallë, e zhurmshme dhe mbresëlënëse.
FOTO: finegraffart.com
“Kompozimi i parë përcjell praninë e fuqishme dhe mbresëlënëse të figurës së kukerit. I dyti e vendos këtë rojtar të lashtë përballë fytyrës së një të riu nga Perniku, i cili jo vetëm që e vëzhgon traditën, por merr pjesë në të dhe e pranon atë si pjesë të identitetit të tij.”
Vepra, e cila tashmë është bërë pjesë e përditshmërisë urbane, është krijuar me teknikë të përzier për më pak se dy javë. Ajo mund të shihet dhe fotografohet lirisht në qendër të Pernikut.
Përpiloi: Elena Karkallanova