Shtunë 3 Tetor 2026 14:29
Shtunë, 3 Tetor 2026, 14:29
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Mijëra bullgarë nga të gjitha anët e vendit, me flamujt bullgarë në duar, si dhe mysafirë të Bullgarisë mbushën sheshin „Princi Aleksandër I“ përpara Pallatit Mbretëror në Sofje, ku u zhvillua ceremonia shtetërore për pritjen e eshtrave të një prej sundimtarëve më të njohur të Bullgarisë Mesjetare, carit Samuill (997–1014), të kthyer nga Greqia.
FOTO: BTA
Kthimi i mbetjeve mortore të carit bullgar në atdheun e tij u bë i mundur pas gjashtë dekadash negociatash mes Bullgarisë dhe Greqisë. Nga vendi fqinj jugor, ato u transportuan drejt Sofjes me një avion ushtarak „Spartan“, i cili, pasi hyri në hapësirën ajrore bullgare, u shoqërua nga dy çifte avionësh luftarakë MiG-29 dhe F-16. Formacioni fluturoi mbi sheshin „Princi Aleksandër I“, mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të turmës.
Në Aeroportin „Vasil Levski“ të Sofjes, eshtrat e carit Samuill u pritën nga një formacion ceremonial i Gardës Kombëtare, iu bënë nderimet ushtarake dhe më pas u transportuan nga Ushtria Bullgare drejt sheshit.
Nën tingujt e orkestrës frymore të Gardës Kombëtare, arkivoli me eshtrat e Samuilit u vendos mbi një podium në një vend qendror të sheshit.
„Para nesh ndodhen mbetjet mortore të carit Samuill. Atij i ra barra e rëndë të mbronte atdheun në Gadishullin Ballkanik, në fqinjësi me Perandorinë e fuqishme Bizantine, të përballonte goditjet nga pas edhe prej njerëzve të tij të afërt, por njëkohësisht të mbronte kufijtë tanë në lindje dhe në jug... Ra Presllavi, kryeqyteti i lashtë i Bullgarisë, dhe Samuill me vëllezërit e tij trashëguan një Bullgari të dobësuar. Samuilit i takoi barra e rëndë të zhvillonte luftëra për të mbrojtur identitetin bullgar dhe të përballonte dhimbjet e plagëve krah për krah me ushtarët e tij. Dhe, pas shekujsh, pikërisht krahu i shëruar keq do t’i ndihmonte arkeologët të përcaktonin identitetin e tij në ishullin e Shën Ahilit. Ai i kalonte ditët mbi kalë, me qëllim që të ruante unitetin shtetëror të Bullgarisë. Episodi i fundit i jetës së sundimtarit tonë të madh është i denjë për një tragjedi biblike. Në vitin 1014, Samuili u plagos dhe vdiq kur pa ushtarët e tij të verbuar. Çfarë fisnikërie më të madhe mund të ketë në zemrën e një sundimtari, e cila copëtohet nga pamja e vuajtjeve të ushtarëve të tij?“, tha kryeministri Rumen Radev para turmës së mbledhur, cituar nga BGNES.
FOTO: BTA
Nga sheshi „Princi Aleksandër I“, mbetjet mortore u nisën në procesion drejt Kishës „Shën Sofia“.
FOTO: BTA
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bulgarisë:
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova