Autor
Veneta Nikollova
Artikull
Nga koleksioni i Radio Bullgarisë
7 veçori të bullgarëve, të cilat i çuditin të huajt
Dielë 4 Tetor 2026 09:46
Dielë, 4 Tetor 2026, 09:46
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Bullgaria është një vend i bukur, i qetë dhe i sigurt, ndërsa bullgarët janë një popull mikpritës dhe krenar, gjithmonë të gatshëm për të treguar më të mirën nga vetja para pjesës tjetër të botës. Por ka veçori tipike bullgare, të cilat janë të pakuptueshme për të huajin kureshtar. Ja disa prej tyre:
“Të mos dalim keq para të huajve“ është një shprehje tipike e jona. I huaji përkëdhelet dhe trajtohet me kujdes të veçantë, si një „vezë e pikturuar“. Qëllimi është të mos dyshojë për asnjë moment në mikpritjen e famshme bullgare – një çështje nderi për çdo mikpritës që respekton veten. Por ndonjëherë kjo shkon shumë larg – nikoqirët do t'ju trajtojnë si mikun e tyre më të mirë dhe do të ofendohen rëndë nëse nuk uleni në tryezën e familjes për t’u argëtuar deri në orët e vona, ose do të këmbëngulin t’ju shoqërojnë kudo për t’ju treguar atraksionet lokale etj.
FOTO: Pixabay
Kujdes! „Po“ do të thotë „Jo“. Kur një i huaj vjen për herë të parë tek ne, ai mund të gjendet në një situatë konfuze për shkak të mënyrës se si u përgjigjemi pyetjeve të tij. Arsyeja? Ne e tundim kokën ndryshe nga pjesa tjetër e botës. Me fjalë të tjera, një tundje e vetme e kokës poshtë dhe lart do të thotë „jo“, ndërsa tundja e kokës majtas-djathtas është në fakt një shenjë pohimi.
Bullgarët buzëqeshin rrallë dhe nuk u pëlqen t'ua shfaqin emocionet e tyre të panjohurve. Ky seriozitet i zymtë, të cilin ne as nuk e vëmë re, bën përshtypje të fortë dhe perceptohet si shfaqje e ftohtësisë dhe mungesë edukate. Por sapo njihet me temperamentin tonë të zjarrtë dhe çiltërsinë tonë, i huaji ndryshon shpejt mendimin e tij fillestar dhe madje „i vjen keq“ që është mashtruar kaq lehtë nga pamja e jashtme.
7 особености на българите, които озадачават чужденците
FOTO: БГНЕС
Sofra festive, argëtime deri në agim! Nëse ka një gjë që ne bullgarët e bëjmë më së miri, ajo është aftësia për t’u çlodhur dhe për t’u argëtuar pavarësisht krizave ekonomike dhe mungesës së vazhdueshme. Të huajt pyesin veten se si mund të jemi një nga vendet më të varfra të BE-së, ndërsa restorantet tona janë gjithmonë plot – nga lokalet e fshatrave më të largëta dhe të zbrazura nga banorët, deri te kafenetë, tavernat dhe restorantet e nivelit të lartë në qytete. Bullgari e ka padyshim qejf të hajë, të pijë dhe të argëtohet në shoqëri, pa marrë parasysh buxhetin e tij.
FOTO: Pixabay
Me këpucët deri këtu! Nëse ju ftojnë për vizitë, është mirë të respektoni këtë veçori tonën – bullgarët kujdesemi shumë për pastërtinë, ndonjëherë deri në mani. Bëhuni gati që në prag të derës t'ju kërkohet me mirësjellje të hiqni menjëherë këpucët, në mënyrë që të mos ndotni qilimin ose parketin e lisit. Për këtë qëllim, mund t'ju japin pantofla të buta, me të cilat të ndiheni si… në shtëpinë tuaj. Mikpritësit nuk do të kishin asnjë kundërshtim nëse jeni përgatitur paraprakisht dhe keni marrë me vete pantoflat tuaja të rehatshme.
FOTO: Pixabay
Kuzhina bullgare është pikante, shpesh e kripur, ndonjëherë e yndyrshme dhe më tepër orientale. Po, sallata “Shopska”, byreku, mishi i pjekur në skarë të përzier, patatet e skuqura me djathë dhe delikatesat e tjera tipike bullgare vlerësohen denjësisht nga mysafiri i huaj. Por shpeshherë ushqimet pikante, të kripurat, erëzat dhe aromat e forta janë të tepërta për të. Përveç kësaj, boza, ajrani i kripur, taratori, çorba e plëndësit, paçja, veshët e derrit në skarë dhe një mori e tërë ushqimesh të tjera tipike bullgare, të çuditshme, ndonjëherë pa shije, herë të tjera tepër pikante ose të yndyrshme për shijen e të huajve, nuk pranohen gjithmonë pa rezerva.
Për të spërkatur ujë për mbarësi. Bullgarët janë të bindur se uji ka fuqi pastruese dhe gjallëruese. Mos u shqetësoni nëse mikpritësi spërkat ujë para jush përpara se të niseni për në aeroport. Kur një pjesëtar i familjes largohet nga shtëpia për një ngjarje të veçantë, si dita e parë e shkollës, provimi, matura, dasma apo udhëtimi jashtë vendit, bullgari nuk harron t’i spërkasë ujë para derës hyrëse, me urimin ritual „Sukses!“ ose „Mbarësi në rrugë!“. Dhe në asnjë rast mos u ktheni mbrapa, me pretekstin se keni harruar pasaportën në komodinë, sepse magjia do të avullojë dhe fati do t’ju lërë!
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova