“Alfa Research”: Zgjedhjet presidenciale pritet të vendosen në balotazh
Hënë 5 Tetor 2026 10:41
Hënë, 5 Tetor 2026, 10:41
FOTO: alpharesearch.bg
Madhësia e shkronjave
Çifti kandidat për president Ilijana Jotova – Kirill Vëllçev ka mbështetjen e 44,5% të votuesve që kanë vendosur përfundimisht të votojnë më 25 tetor, tregon një sondazh i “Alfa Research”. Në vend të dytë renditet çifti Andrej Gjurov – Georgi Kandev me 26,1%, ndërsa i treti është çifti Kostadin Kostadinov – Petër Vollgin me 10,5%.
Në një prononcim për bTV, sociologia Borjana Dimitrova theksoi se bëhet fjalë për qëndrimet e votuesve që në fillim të fushatës kishin vendosur përfundimisht të votonin, ndërsa deri në ditën e zgjedhjeve mund të ketë ndryshime. “Fillimisht, flasim për një balotazh të sigurt dhe, me një shkallë shumë të lartë probabiliteti, për një balotazh mes dy çifteve të para kandidate për president”, tha Dimitrova. Megjithatë, ajo theksoi se deri në përfundim të fushatës nuk përjashtohen ndryshime në renditjen e kandidatëve në krye. Sipas saj, 30% e votuesve që kanë vendosur përfundimisht të votojnë ende mund ta ndryshojnë zgjedhjen e tyre. Ajo vuri në dukje gjithashtu se rreth 40% e njerëzve që deklarojnë se nuk do të votojnë motivohen nga zhgënjimi me politikanët, ndërsa rreth 24% mendojnë se nuk ka politikan që i përfaqëson.
Sondazhi tregon gjithashtu se ka një pritshmëri të lartë për një debat të drejtpërdrejtë televiziv mes kandidatëve kryesorë: 62,6% mendojnë se një debat i tillë duhet të zhvillohet para raundit të parë. Sipas Dimitrovës, shoqëria ka nevojë për qëndrime të qarta dhe për të kuptuar më mirë vizionet e kandidatëve.
Sondazhi i “Alfa Research” u krye në periudhën 24 shtator – 1 tetor, me fonde të vetë agjencisë, në mesin e 1000 shtetasve madhorë bullgarë, njofton BGNES.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova