Propozohet rritja e tarifës për vizat e qëndrimit afatgjatë për të huajt

Hënë, 5 Tetor 2026, 13:04

Propozohet rritja e tarifës për vizat e qëndrimit afatgjatë për të huajt

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Ministria e Punëve të Jashtme propozon rritjen me 20% të tarifës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave për lëshimin e vizës së qëndrimit afatgjatë, të tipit D. Propozimi u publikua në Portalin e konsultimeve publike të qeverisë, njofton BTA. Viza e tipit D u lëshohet të huajve që dëshirojnë të vendosen për një periudhë të gjatë ose përgjithmonë në Bullgari. Propozohet që tarifa të rritet nga 100 në 120 euro. Në argumentimin e ministrisë thuhet se u bë një analizë e tarifave që aplikojnë vendet e tjera të BE-së për lëshimin e vizave kombëtare të qëndrimit afatgjatë.

Tarifa aktuale në Bullgari është nën nivelin mesatar, gjë që, sipas ministrisë, krijon rreziqe fiskale, administrative dhe migratore. Tarifa ka edhe efekt rregullator, pasi niveli i saj më i ulët krahasuar me vendet e tjera të zonës Shengen e bën Bullgarinë një “pikë hyrëse” tërheqëse për presionin migrator dhe përpjekjet për abuzim me të drejtën e qëndrimit. Ministria thekson gjithashtu se kjo situatë rrit ngarkesën administrative mbi shërbimet konsullore dhe autoritetet bullgare të migracionit.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova