Familja, paqja dhe stabiliteti financiar - më të rëndësishmet për bullgarin

Hënë, 5 Tetor 2026, 17:30

Familja, paqja dhe stabiliteti financiar - më të rëndësishmet për bullgarin

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Pyetja se çfarë vlerësojnë më shumë bullgarët nuk është vetëm filozofike. Gjatë viteve, me të janë marrë agjenci sociologjike dhe institucione kërkimore, organizata ndërkombëtare dhe humanitare, me qëllim që të krijohet një pamje më e qartë se çfarë shoqërie është ajo në të cilën jetojmë dhe drejt çfarë rruge po shkon ajo. Sa e gjatë është rruga midis synimeve të vendosura si shoqëri dhe dëshirës për një botë më të mirë për ne dhe fëmijët tanë. Në frymën e vlerave njerëzore dhe të të menduarit kritik, shqyrtuam disa nga studimet sociologjike më të mëdha të realizuara në vendin tonë dhe në Evropë, morëm parasysh porositësit dhe qëllimet e tyre dhe u përpoqëm të përmbledhim të dhëna nga dhjetë vitet e fundit, të cilat t’i përgjigjen pyetjes – si janë bullgarët sot dhe për çfarë interesohen më shumë.

Studimi i fundit i madh kombëtar përfaqësues mbi këtë temë u realizua në shtator të vitit 2026 nga “Progress Consult”. Studimi zhvillohet periodikisht që nga viti 2017 dhe ndjek se si ndryshon sistemi i vlerave të bullgarëve dhe cilët faktorë përcaktojnë cilësinë e jetës së tyre.

Familja, paqja dhe stabiliteti financiar - më të rëndësishmet për bullgarin

FOTO: “Progress Consult”

Indeksi llogaritet mbi bazën e 82 faktorëve konkretë, të grupuar në shtatë fusha: shëndeti, financat, familja dhe marrëdhëniet, qëllimet personale, profesioni, arsimi dhe pushimi. Ai krahason se sa i rëndësishëm është secili faktor për njerëzit me atë se deri në çfarë mase ai është realisht i pranishëm në jetën e tyre. Përfundimi i madh i këtij viti është se për bullgarin më të rëndësishme rezultojnë shëndeti dhe mirëqenia financiare. Në vend të parë për nga rëndësia, pjesëmarrësit në studim rendisin shëndetin personal, i ndjekur nga shëndeti i njerëzve të afërt. Siguria financiare shënon rritjen më të madhe: nga vendi i 8-të në vitin 2022, në vitin 2026 ajo zë vendin e 3-të. Për herë të parë në dhjetë vlerat më të rëndësishme hyn liria personale dhe autonomia, e cila ngjitet nga vendi i 18-të në vendin e 10-të për nga rëndësia për bashkëkombësit tanë.

Sipas autorit të studimit, sociologut dr. Rosen Kutelov, të dhënat për katër vitet e fundit tregojnë se bullgari ka kaluar “nga një gjendje ankthi të mprehtë drejt një gjendjeje të përshtatur pasigurie”. Sipas tij, njerëzit reagojnë duke ngushtuar rrethin e tyre shoqëror, duke u përqendruar te njerëzit më të afërt dhe duke ndërtuar një botë personale mbrojtëse, me një qasje praktike dhe me kërkesa më të larta ndaj mirëqenies së tyre. Si dëshmi, sipas studimit, në vitin 2022, 33,8% e të anketuarve e përcaktonin mjedisin më të gjerë shoqëror si jashtëzakonisht të rëndësishëm, ndërsa në vitin 2026 kjo përqindje bie në 29,6%. Sipas Kutelovit, mospërputhja më e madhe në jetën e bullgarit vërehet midis dëshirës për siguri financiare dhe arritjes reale të saj.

Familja, paqja dhe stabiliteti financiar - më të rëndësishmet për bullgarin

FOTO: BGNES

Paqja, familja dhe siguria – këto janë vlerat më të rëndësishme sipas rezultateve të studimit të dytë më të madh kombëtar, të realizuar me 1003 qytetarë madhorë, me temën “Vlerat që na bashkojnë”. Ai u realizua në fillim të vitit 2023 nga agjencia “Trend”, me porosi të agjencisë së komunikimit Interpartners Group.

46% e të anketuarve në këtë studim e përcaktojnë paqen si vlerën kryesore. Në studime të ngjashme të mëparshme, në vend të parë ishte familja, por në sfondin e luftës në Ukrainë, paqja në vitin 2023 doli në krye. Në vend të dytë për nga rëndësia renditet familja me 37%, ndërsa e treta është siguria me 36%. Për të rinjtë, më të rëndësishmet janë paqja, liria dhe të drejtat e njeriut. Studimi zbulon një krahasim interesant midis sigurisë dhe lirisë, dhe rezultatet tregojnë qartë preferencën e shoqërisë bullgare: nëse duhet të zgjedhin, 52% e të anketuarve e vendosin sigurinë mbi lirinë. Njerëzit nga 18 deri në 39 vjeç, veçanërisht burrat, megjithatë më shpesh preferojnë lirinë. Të dhënat, natyrisht, janë pasqyrë e konfliktit të vazhdueshëm ushtarak në Ukrainë dhe e konflikteve të reja që po shfaqen në Lindjen e Mesme.

Në analizën e vitit 2023, dukshëm më poshtë renditen liria e shprehjes (14%), demokracia (13%), toleranca (11%) dhe barazia (9%), nga gjithsej 14 vlera. Në vend të fundit është barazia gjinore me 4%, megjithëse në praktikë bullgarët shprehin mbështetje për të. 83% e kundërshtojnë kategorikisht pohimin se gruaja duhet t’i nënshtrohet burrit, 77% mendojnë se punët e shtëpisë duhet të ndahen, ndërsa 70% nuk e pranojnë që burri të marrë një pagë më të lartë se gruaja. Fëmijët dallohen si një vlerë kyçe për çiftet në vendin tonë, por martesa si akt institucional po humbet rëndësinë në Bullgarinë bashkëkohore, pasi 55% nuk e konsiderojnë të domosdoshme lidhjen e martesës.

Familja, paqja dhe stabiliteti financiar - më të rëndësishmet për bullgarin

FOTO: Pixabay

Sa i përket ndjenjës së përkatësisë ndaj një grupi më të madh njerëzish, pjesa më e madhe (53%) e pjesëmarrësve në studim deklarojnë se për ta kjo përkatësi është ndaj Bullgarisë, 22% veçojnë përkatësinë ndaj komunitetit lokal, ndërsa vetëm 6% ndaj Bashkimit Evropian. Autorët mendojnë se kjo tregon një distancim të vazhdueshëm ndaj BE-së, edhe pas anëtarësimit të vendit tonë në komunitet në vitin 2007.

Sa i përket arsimit, i cili historikisht është një vlerë e rëndësishme për bullgarët, rezultatet e agjencisë “Trend” tregojnë se 90% e të pyeturve mendojnë se arsimi dhe kujdesi shëndetësor duhet të jenë plotësisht falas, ndërsa 81% mendojnë se shteti ka detyrimin t’i sigurojë punë kujtdo që dëshiron të punojë. Sociologët e hedhin poshtë shpjegimin e thjeshtë se kjo është thjesht një trashëgimi e së kaluarës, duke argumentuar se te më të rinjtë përqindjet janë pothuajse të njëjta me ato të shoqërisë në tërësi. Në këtë drejtim, 62% mendojnë se suksesi në Bullgari varet nga fakti se kë njeh. Të njëjtin mendim kanë edhe 56% e të rinjve dhe 61% e personave me arsim të lartë. Shumica nuk beson se në Bullgari një person mund të ketë sukses vetëm përmes punës së palodhur ose të pasurohet në mënyrë të ndershme.

Familja, paqja dhe stabiliteti financiar - më të rëndësishmet për bullgarin

FOTO: patriarshia.bg

institucional pa një religjiozitet të thellë. Një përfundim të tillë mund ta nxjerrim nga të dhënat e “Gallup International Balkan”, nga një studim i zhvilluar për BNT-në midis 28 marsit dhe 5 prillit 2024, me 805 persona, përmes intervistave “ballë për ballë” me tableta, me një kampion përfaqësues të popullsisë madhore. Sociologët theksojnë se besimi te Kisha ka qenë i qëndrueshëm gjatë viteve të fundit dhe lëviz midis 40 dhe 50%. 49,7% e të anketuarve thonë se kanë besim te Kisha, ndërsa në qëndrim të kundërt janë 34,1%.

Një studim i veçantë i së njëjtës agjenci, i realizuar në gusht të vitit 2024, tregon se besimi te Kisha është 43,1%, ndërsa mosbesimi është 35,8%, dhe shton një detaj të rëndësishëm: tre të katërtat e njerëzve e përcaktojnë veten si ortodoksë, por pak më pak se dy të tretat deklarojnë se besojnë në Zot. Besimi te Kisha ndër të rinjtë është i ulët. Pamja ndërkombëtare është e ngjashme: sipas një studimi global të Shoqatës Botërore “Gallup International” nga viti 2022, 53% e bullgarëve e përcaktojnë veten si fetarë, gjë që e rendit vendin ndër shoqëritë mesatarisht fetare në botë.

Familja, paqja dhe stabiliteti financiar - më të rëndësishmet për bullgarin

FOTO: BTA

Busulla morale e të rinjve: të drejtat e njeriut, siguria dhe ankthi

Një portret të detajuar të të rinjve bullgarë e gjejmë në rezultatet e studimit të Fondacionit “Friedrich Ebert” (FFE) të vitit 2024, “Optimizëm për individin, pesimizëm për shoqërinë”, në partneritet me Institutin e Sociologjisë “Ivan Haxhijski”, i cili përfshin të rinj nga 14 deri në 29 vjeç në 12 vende të Evropës Juglindore. Autorët janë doc. Boris Popivanov, dr. Përvan Simeonov, dr. Lilija Elenkova, Stefan Georgiev, Janica Petkova dhe Juliana Galova.

Në pyetjen se cilat vlera të lidhura me demokracinë janë më të rëndësishme personalisht për ta, të rinjtë bullgarë deri në moshën 29 vjeç vendosin në vend të parë të drejtat e njeriut (24%), të ndjekura nga siguria (20%) dhe mirëqenia ekonomike (14%). Barazia (7%) dhe demokracia (5%) mbeten në vendet e fundit. Mendimi për emigrimin nuk është i huaj për 74% të të intervistuarve. Një analizë dytësore e të njëjtave të dhëna zbulon gjithashtu një dallim midis gjinive: gratë e reja kërkojnë mbrojtje përmes solidaritetit dhe të drejtave, ndërsa burrat e rinj mbështeten më shumë te forca, rendi dhe pragmatizmi ekonomik.

Studiuesit vërejnë në përgjithësi një nivel të lartë ankthi në mesin e popullsisë aktive të vendit. Sipas doc. Boris Popivanov, një prej autorëve, frikërat e të rinjve janë kryesisht ekzistenciale: për jetën, shëndetin dhe të ardhmen. Më shpesh ata shqetësohen për sistemin shëndetësor (47%), për luftën (44%) dhe për ndryshimet klimatike (42%). Një tjetër tendencë që tregojnë rezultatet është rritja e aktivitetit qytetar dhe politik mes të rinjve bullgarë, ku 21% e tyre deklarojnë se janë të interesuar për jetën politike të vendit, ndërsa në të njëjtin studim të vitit 2018 kjo përqindje ishte vetëm 7%.

Familja, paqja dhe stabiliteti financiar - më të rëndësishmet për bullgarin

FOTO: Parlamenti Evropian

Ku qëndrojmë ne në krahasim me Evropën?

Sipas një studimi të gjerë të Eurobarometrit, të zhvilluar në periudhën shkurt–mars 2025, për vlerat që duhet të mbrojë Parlamenti Evropian, bullgarët vendosin në vend të parë paqen (45%), e ndjekur nga demokracia (32%) dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut (22%). Në një studim të Eurobarometrit të fundit të vitit 2021 bëhet e qartë se 25% e bullgarëve dëshirojnë që institucionet evropiane të mbrojnë respektimin e identiteteve kombëtare, kulturave dhe traditave, krahasuar me 14% mesatarisht në BE. Barazia gjinore është e rëndësishme vetëm për 11% të bullgarëve, kundrejt 24% në BE. 48% e bullgarëve mendojnë se zëri i tyre nuk merret parasysh në institucionet evropiane.

Familja, paqja dhe stabiliteti financiar - më të rëndësishmet për bullgarin

FOTO: magnific.com

Në përfundim, mund të themi se në majën e piramidës morale të bullgarit bashkëkohor qëndrojnë familja dhe njerëzit e tij të afërt. Vargu i krizave politike dhe paqëndrueshmëria financiare, inflacioni dhe konfliktet ushtarake gjatë viteve të fundit e kanë shndërruar dëshirën për paqe, siguri dhe mirëqenie financiare në një aspiratë kryesore për bashkëkombësit tanë. Siguria vendoset mbi lirinë, veçanërisht tek popullsia më e moshuar, ndërsa besimi te institucionet mbetet ende i ulët. Gjëja më shqetësuese është se parimet demokratike dhe barazia mes njerëzve vazhdojnë të humbasin terren në kuptimet personale të vlerave të bullgarëve sot. Kjo mund të ngrejë vetëm pyetje të tjera për të ardhmen e ndritur evropiane të kombit tonë.


Përpiloi: Vesella Krësteva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski