Sfidë për sistemin e pensioneve:

Pensione të ulëta dhe gjithnjë e më pak të punësuar

Shteti duhet të hartojë një politikë aktive demografike, këshillon ekonomisti Stojan Pançev

Martë, 6 Tetor 2026, 14:30

Pensione të ulëta dhe gjithnjë e më pak të punësuar

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Mbi 2 milionë janë bullgarët që mbështeten te pensioni i tyre për të përballuar shpenzimet e muajit. Që nga 1 korriku i këtij viti, pensioni minimal në Bullgari është 347,51 euro, ndërsa pensioni maksimal është 1738,40 euro. 810 000 janë bullgarët që marrin pension deri në nivelin minimal, ndërsa 9195 arrijnë vlerën më të lartë të pensionit. Në këtë sfond, pensioni mesatar mujor në BE është rreth 1443 euro, çka e rendit vendin tonë në vendin e fundit në Bashkimin Evropian për këtë tregues.

Tema e të ardhurave të popullsisë është gjithmonë aktuale dhe çdo përpjekje për reformë në sektorin social ngre më shumë pyetje sesa përgjigje. Sipas ekonomistit Stojan Pançev, pabarazitë në masën e pensioneve në rajonet e ndryshme të vendit lidhen para së gjithash me të ardhurat, shpërndarja e të cilave është gjithashtu e pabarabartë. Ai komentoi idenë për një ndarje të re territoriale të Bullgarisë, e cila diskutohet periodikisht prej vitesh. Një nga propozimet është që Sofja të nxirret nga Rajoni Jugperëndimor dhe të ndahet si një rajon i veçantë, „Kryeqyteti“:

Stojan Pançev

Stojan Pançev

FOTO: BGNES

„Me sa di unë, ky është drejtimi në të cilin po zhvillohen gjërat. Në praktikë duhet të kemi katër rajone, njëri prej të cilëve do të jetë kryeqyteti (aktualisht rajonet janë gjashtë). Kjo është e drejtë, sepse Sofja i shtrembëron të dhënat ekonomike të Rajonit Jugperëndimor. Ajo është një rajon specifik, me përqendrim të lartë të aktivitetit ekonomik, administrativ dhe të llojeve të tjera, kështu që nxjerrja e saj nga rajoni me siguri do të jetë e dobishme. Se deri në çfarë mase kjo do të ndikojë mbi të ardhurat, nuk jam i sigurt, pasi ato janë pasqyrim jo aq i ndarjes administrative territoriale, sesa i proceseve të tjera. Mendoj se është e nevojshme të ndiqet një politikë decentralizimi të vendit, e cila qartazi është një nga politikat e shumta që nuk po ndiqen në mënyrë aktive, në mënyrë që të shohim ndonjë efekt në këtë drejtim.“

Pensione të ulëta dhe gjithnjë e më pak të punësuar

FOTO: BGNES

Pançev rikujtoi se struktura e sistemit të pensioneve në Bullgari është e tipit shpërndarës, që do të thotë se një numër i caktuar pensionistësh duhet të mbështeten financiarisht nga një numër i caktuar personash që punojnë:

„Në rast se kemi një numër në rënie të personave që punojnë dhe gjithnjë e më shumë pensionistë, kjo do të çojë në deficit në sistemin e pensioneve dhe financimi i tij do të bëhet gjithnjë e më i vështirë. Kjo do të thotë se, nëse duam ta përballojmë këtë problem në planin afatgjatë, duhet të punojmë për një lindshmëri shumë më të lartë dhe për shumë më tepër persona që do të punojnë në të ardhmen, të cilët do të jenë në gjendje të përballojnë deficitin në sistemin e pensioneve.“

Pensione të ulëta dhe gjithnjë e më pak të punësuar

FOTO: BGNES

Bullgaria mund të zbatojë ide dhe mekanizma të rinj për stimulimin e një politike demografike, e cila do të çonte në një rritje të lindshmërisë – është i bindur Pançev, i cili dha si shembull mënyrën se si disa nga politikat demografike të Hungarisë mund të zbatoheshin edhe në vendin tonë:

„Për shembull, në Hungari u miratua që, nëse një grua ka tre ose më shumë fëmijë, ajo të mos paguajë të ashtuquajturin tatim mbi të ardhurat personale. Ndoshta mund ta bëjmë në mënyrë të tillë që në Bullgari nënat e këtij lloji të mos paguajnë pjesën më të madhe të barrës tatimore. Përveç kësaj, mund të ketë shpërblime më të mëdha nga shteti për lindjen e fëmijëve dhe masa të tjera“ – thekson ekonomisti.

Aktualisht, në vendin tonë mbështetja financiare për lindjen e një fëmije është një pagesë njëherëshe dhe është në masën 191,74 euro për fëmijën e parë, 460,17 euro për të dytin dhe 230,09 euro për të tretin, sipas të dhënave të Agjencisë për Ndihmën Sociale.

Pensione të ulëta dhe gjithnjë e më pak të punësuar

FOTO: Aflo Images

Është e rëndësishme që Bullgaria të përqendrohet në studimet mbi politikat që mund të ndiqen për stimulimin e lindshmërisë, madje edhe duke krijuar një organ ose komision të posaçëm që të fillojë zbatimin e tyre, pasi kjo është politika më e rëndësishme që mund të ndjekë një shtet – thekson Stojan Pançev.

A do të rritet mosha në të cilën mund të dalim në pension?


Mosha e pensionimit në Bullgari aktualisht është 62 vjet e 6 muaj për gratë dhe 64 vjet e 9 muaj për burrat. Ajo me siguri do të rritet gjatë viteve të ardhshme – deklaroi ekonomisti për Radio Bullgarinë:

Pensione të ulëta dhe gjithnjë e më pak të punësuar

FOTO: BGNES

„Unë do të rekomandoja që kjo të ndodhë më shpejt, sepse kjo është mënyra më pak e dhimbshme për t’u zgjidhur problemi i numrit më të vogël të personave që punojnë në krahasim me pensionistët. Megjithatë, kjo duhet të kombinohet edhe me një politikë demografike, sepse kur ke një deficit kaq të madh në sistemin e pensioneve, ose duhet të ndalosh indeksimin e pensioneve, ose të rrisësh moshën e pensionimit, ose të gjesh diku shumë më tepër persona që punojnë.“

Ekonomisti është i bindur se, duke pasur parasysh gjendjen e sistemit të pensioneve, njerëzit që aktualisht janë në moshën 35–40 vjeç, si edhe ata më të rinj se ta, me shumë gjasa nuk do të mund të dalin fare në pension, ose të paktën nuk do të marrin një pension me të cilin do të mund të jetojnë një jetë normale dhe dinjitoze.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski