HISTORI

Seksion

Bizanti njohu patriarkun e parë bullgar, Damjanin, në tetor të vitit 927

Enjte, 8 Tetor 2026, 07:05

Bizanti njohu patriarkun e parë bullgar, Damjanin, në tetor të vitit 927

FOTO: bulgarianhistory.org

Madhësia e shkronjave

Në vitin 927 u lidh një traktat paqeje midis Bullgarisë dhe Bizantit (Perandorisë Romake të Lindjes). Në të, Kostandinopoja për herë të parë njohu zyrtarisht se Kisha Autoqefale Bullgare kishte rangun e një patriarkati, të barabartë me atë të patriarkanave lindore dhe të Kishës së Romës. Një listë historike e mëvonshme, e shekullit XII, na jep emrin e patriarkut të parë bullgar – Damjani – dhe e lidh atë me qytetin Drëstër, në brigjet e Danubit.

Ja rrethanat historike që çuan në njohjen nga Bizanti të pavarësisë së Kishës Ortodokse Bullgare:

Nga kronologjia historike dimë se më 27 maj 927 vdiq cari i madh bullgar i Mesjetës – Simeoni i Madh. Pas shumë luftërash me antagonistin kryesor të Bullgarisë në Mesjetë – Bizantin, Simeoni kishte kërkuar të njihej si car jo vetëm i bullgarëve, por edhe i romejve. Ai nuk arriti ta realizonte këtë gjatë jetës së tij. Sundimtari bullgar u pasua nga i biri, Pjetri I. Cari i ri ndërmori veprime ushtarake në Traki dhe e detyroi perandorin bizantin Roman Lakapinin të hynte në negociata. Në fillim të tetorit 927 u nënshkrua e ashtuquajtura “Paqe e Thellë” midis bullgarëve dhe romejve. Kostandinopoja e njohu carin Pjetër si “Vasiliu i bullgarëve”. Për të vulosur paqen, cari bullgar u martua me Marinë, mbesën e perandorit bizantin Roman Lakapini. Me rastin e martesës, Maria mori emrin Irina, që do të thotë “paqe”.

Sipas kushteve të së njëjtës marrëveshje paqeje, patriarku i Kostandinopojës, Stefani II, rikonfirmoi pavarësinë e Kishës Bullgare dhe i njohu asaj dinjitetin patriarkal.

Monedhë me portretin e carit Pjetër I

Monedhë me portretin e carit Pjetër I

FOTO: wikipedia.org

Deri atëherë, Kisha Bullgare kishte pasur statusin e një kryedioqeze autoqefale – vetëqeverisëse. Ky status u fitua në vitin 870, gjatë sundimit të princit Boris I Pagëzori, i cili vendosi krishterimin në Bullgari pas vitit 866.

Kisha e Rrumbullakët e carit Simeon I në Presllavin e Madh

Kisha e Rrumbullakët e carit Simeon I në Presllavin e Madh

FOTO: wikipedia.org

45 vjet më vonë, në vitin 924, kur vdiq patriarku i Kostandinopojës, Nikolla Mistik, car Simeoni i Madh “shpallet ‘perandor i bullgarëve dhe i romejve’.. Në atë kohë, Jozefi I u shugurua si patriark. Megjithatë, këto veprime të pavarura bullgare nuk u njohën nga Bizanti.

Përveç emrit të tij – Damjan – për patriarkun e parë bullgar të njohur edhe nga Kostandinopoja nuk dihet pothuajse asgjë.

Ekzistojnë shumë hipoteza dhe mjaft kundërthënie lidhur si me personalitetin e këtij kleriku të lartë, ashtu edhe me kohën, vendin dhe shtrirjen e veprimtarisë së tij kishtare. Emri i tij u botua për herë të parë në vitin 1680, në veprën e Charles du Cange, Hystoria Byzantina.

Bizanti njohu patriarkun e parë bullgar, Damjanin, në tetor të vitit 927

FOTO: wikipedia.org

Gjatë kërkimeve të tij, dë Cange zbuloi në Bibliotekën Mbretërore të Parisit të ashtuquajturat lista dioqezane nga kancelaria e Patriarkanës së Kostandinopojës (sot ato ruhen në Bibliotekën Kombëtare të Francës). Midis tyre gjendet një listë e shekullit XII me emrat e kryepeshkopëve të Kishës Bullgare dhe të pasardhëses së saj, Kryepeshkopatës së Ohrit. Dokumenti, i njohur gjithashtu si Lista e du Cange, u botua në katalogun e koleksionit të përkthimeve të teksteve bizantine Historia Byzantina.

Në burim thuhet: “Damiani shërbeu si në Dorostol, ndërsa tani në Dristra. Gjatë kohës së tij, edhe Bullgaria u nderua me statusin e autoqefalisë. Me urdhër të perandorit Roman Lakapini, ai u shpall patriark nga këshilli perandorak, por më pas u rrëzua nga Joani Cimishija.”

Bizanti njohu patriarkun e parë bullgar, Damjanin, në tetor të vitit 927

FOTO: Arkiva

Pse Damjani është shënuar se ka shërbyer në Silistra, dhe jo në kryeqytetin perandorak Presllav? Ka të ngjarë që kjo të lidhet me autorin e listës – kryepeshkopin e Ohrit, Joan Komnin. Për klerikun bizantin ishte më e rëndësishme ta ulte patriarkun bullgar në rangun e “mitropolitit të Drëstërit” dhe të theksonte se ai ishte dëbuar nga perandori bizantin. Pas vdekjes së carit Pjetër, Cimishij sulmoi Bullgarinë dhe pushtoi kryeqytetin Presllav, e më pas edhe Drëstër (ose Dorostoll).

Bizanti njohu patriarkun e parë bullgar, Damjanin, në tetor të vitit 927

FOTO: Arkiva

Por pas emrit të Damjanit, në listën e du Cange, vendoset: “Germani që shërbeu në Voden dhe Prespë.” Këto të dhëna të shkurtra kanë bërë që prof. Pllamen Pavllov dhe një sërë historianësh të tjerë bullgarë të mbrojnë tezën se, pas pushtimit të Presllavit dhe kapjes së carit Boris II, patriarku Damjan nuk iu nënshtrua Bizantit. Kleriku i lartë u largua nga Drëstër dhe e zhvendosi selinë e Patriarkanës Bullgare drejt perëndimit – në Sredec dhe në territoret e lira bullgare nën sundimin e mbretit të ardhshëm Samuill. Më pas, Patriarkana Bullgare u zhvendos në Ohër, ndërsa patriarku German u vendos gjithashtu në Prespë. Për fat të keq, nuk dimë asgjë për vdekjen e patriarkut Damjan.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello